Bie gongu! Shqipëria çel sot zyrtarisht fushatën elektorale për garën e madhe të 11 majit.
Socialistët dhe kryeministri Edi Rama kërkojnë mandatin e katërt, ndërsa Partia Demokratike kërkon rikthimin në pushtet pas 12 vitesh.
A do të arrinë partitë e reja “të thyejnë” binomin PS-PD për herë të parë që pas pluralizmit?
Një muaj fushatë që parashikon një agjendë të ngjeshur takimesh elektorale në të 12 qarqet e vendit, për 140 mandatet e Kuvendit, ku çdo forcë apo koalicion, sipas formulës së re elektorale, ka 186 kandidatë për deputetë, ku 46 janë nga lista e mbyllur dhe 140 nga lista e hapur.
Partia Demokratike dhe koalicioni Aleanca për Shqipërinë Madhështore do të çelë e para fushatën, me sloganin “Për Shqipërinë Madhështore”. Në sheshin “Nënë Tereza” po punohet për ndërtimin e skenës së mitingut hapës, i cili është parashikuar të nisë në orën 19:00.
Vetë Berisha premtoi surpiza, por nuk zbuloi detaje nga ajo që pritet të ndodhë ditën e sotme.
“Fushata surprise”, deklaroi Berisha një ditë më parë.
Mesazhin kryesor në hapjen e fushatës elektorale do ta japë kryetari i PD Sali Berisha dhe Chris LaCivita, strategu i fushatës se presidentit Trump në vitin 2024 i cili është strategu i betejës se PD për tu rikthyer në pushtet pas 12 viteve opozitë.
Ndërkohë, ditën e nesërme, në orën 12:00 në sheshin “skënderbej” Ps do të çelës zyrtarisht fushatën.
“12 prill nga 12 qarqe rreth 12 yjeve të Europës në 12.00, familja jonë e madhe politike, mblidhet në Sheshin Skënderbej për takimin festiv Shqipëria 2030 në BE”, shkruante Rama në llogarinë në Facebook, duke njoftuar të gjithë mbështetësit dhe strukturat për takimin e së shtunës në mesditë.
Fushatën më 12 prill, një orë para socialistëve do e çelë edhe Lulzim Basha i cili në zgjedhjet e 11 Majit do të hyjë nën logon e koalicionit euroatlantik.
Surpriza paralajmëron dhe Partia Mundësia e drejtuar nga politikani Agron Shehaj, e cila do të çelës nesër fushatën në një mënyrë të veçantë. Shehaj do të zhvillojë një tur nga veriu në jug me autobus të personalizuar me simbole të partisë së tij. Ai do të niset nga Shkodra në 08:00 të mëngjesit, Lezhë, Durrës, Kavajë, Lushnje, Fier, Vlorë, Selenicë dhe në orën 20:00 turin do ta mbyllë në Sarandë, ndërsa më 13 prill do të zhvillojë një takim të posaçëm për prezantimin e plotë të programit.
Nisma Shqipëria Bëhet do të hapë fushatë në Vlorë më 12 prill, ora 18:00, në sheshin para “Flamurtari”.
Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit do të hapë zyrtarisht fushatën elektorale më 13 prill në Fier, 10:30, te Teatri Bylis.
Djathtas për Zhvillim nuk do të zhvillojë diçka të posaçme në kuadër të çeljes zyrtare të fushatës, pasi sipas saj aktiviteti hapës i fushatës së tyre quhet ai i 24 marsit te Hotel Tirana.
@tetovanews
@tn.lajmelokale