Një shtetas shqiptar është vënë nën hetim nga autoritetet malazeze, pasi dyshohet se ka tentuar të fusë në Shqipëri një shumë prej 940,000 eurosh të fituara nga aktiviteti i paligjshëm i trafikut të drogës.
Prokuroria Speciale e Malit të Zi ka njoftuar se shtetasi me inicialet T. M. kishte transportuar paratë e fshehura në një automjet mallrash nga Austria në drejtim të Shqipërisë, përmes Sllovenisë, Kroacisë dhe Malit të Zi. Sipas autoriteteve, destinacioni final i shumës së konsiderueshme ishte një person ende i panjohur në Shqipëri.
Sasia e parave u zbulua gjatë një kontrolli të imtësishëm në pikën kufitare mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, në Božaj. Operacioni u zhvillua në zbatim të një urdhri nga Prokuroria Speciale e Shtetit, në bashkëpunim mes Administratës Doganore dhe Departamentit Special të Policisë së Administratës së Policisë.
Në kuadër të hetimeve, prokuroria ka propozuar zgjatjen e masës së paraburgimit për të dyshuarin si dhe sekuestrimin përfundimtar të shumës së parave të kapura dhe automjetit të përdorur për transportin e tyre.
Rasti po trajtohet si një operacion i rëndësishëm për goditjen e rrjeteve kriminale që përfitojnë nga trafiku i drogës dhe kanalizimi i fitimeve të paligjshme drejt vendeve të tjera. Hetimet vijojnë për të identifikuar bashkëpunëtorët dhe rrjetin e mundshëm kriminal që fshihet pas këtij aktiviteti.
@tetovanews
@tn.lajmelokale