Ballina Bota JD Vance sinjale pozitive për negociatat tregtare SHBA-BE (VIDEO)

JD Vance sinjale pozitive për negociatat tregtare SHBA-BE (VIDEO)

Në një takim të zhvilluar të dielën në Romë, nën kujdesin e kryeministres italiane Giorgia Meloni, në prani të zv.presidentit amerikan JD Vance dhe Presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen, u hodhën hapat e parë pozitivë për një rifillim në marrëdhënien tregtare mes SHBA-së dhe BE-së — një sinjal i rrallë nga administrata Trump, e cila muajin e kaluar nisi një valë të re tarifash në shkallë globale.

“Do të kemi një bisedë të shkëlqyer dhe shpresoj që kjo të jetë fillimi i disa negociatave tregtare afatgjata dhe përfitimeve afatgjata për të dyja palët”, deklaroi JD Vance, duke cilësuar Melonin si “ndërtuese urash” mes Uashingtonit dhe Brukselit.

Meloni, që prej vizitës së saj në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar ku e ftoi Donald Trump në Itali për një samit me liderët europianë, u shfaq e qetë në rolin e “ndërtueses së urave” mes dy aleatëve të mëdhenj.

“Jam shumë krenare që kam mundësinë sot të pres dy nga liderët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për të nisur një dialog. E dimë sa të rëndësishme janë marrëdhëniet tona ekonomike dhe jemi këtu pikërisht për këtë,” tha Meloni.

Ursula von der Leyen nga ana e saj theksoi nevojën për dialog teknik mbi propozimet e ndërsjella që po qarkullojnë që prej javës së kaluar:

“Ajo që na bashkon është dëshira për një marrëveshje të mirë për të dyja palët. Tani që kemi shkëmbyer dokumentet, është e rëndësishme që ekspertët të thellohen në detaje.”

Deri tani, administrata Trump ka vendosur 10% taksë mbi të gjitha importet dhe 25% tarifa për çelikun, aluminin, makinat dhe pjesët e tyre – masa që prekin edhe BE-në. Një tjetër valë tarifash me 10 pikë përqindje është pezulluar deri në fillim të korrikut, por SHBA-ja vetëm javën e kaluar i paraqiti zyrtarisht Brukselit një plan të detajuar për objektivat e saj.

Ky takim i profilit të lartë vjen menjëherë pas inaugurimit të Papës së ri Leoni XIV në Vatikan, një moment me simbolikë të fortë edhe për Vance, i cili tha: “Shtetet e Bashkuara janë shumë krenare për të dhe jashtëzakonisht të entuziazmuara.”

Ndërsa Trump ka shfaqur herë pas here qëndrim armiqësor ndaj BE-së — duke e quajtur “më e ligë se Kina” dhe duke pretenduar se BE-ja është krijuar për të “shtypur SHBA-në” — deklaratat e Vance në Romë sugjerojnë një përpjekje për të zbutur tensionet përmes një rruge tregtare më pragmatike, me Italinë në rolin e ndërmjetësit.

LEXO:
VIDEO bonus:
@tetovanews
@tn.lajmelokale