Prokuroria Speciale e Kosovës, ka njoftuar se tashmë ka caktuar prokurorin për rastin e kërcënimit me jetë që i është bërë presidentes të vendit, Vjosa Osmani. Lajmi u bë i ditur nga Arbnora Luta, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale. Sipas saj, prokurori është caktuar që të enjten, pra më 22 maj, pas marrjes së raportit policor në lidhje me veprimet fillestare.
Luta tha se pas marrjes së informacionit nga Policia e Kosovës, në lidhje me rastin në fjalë, Prokurori kujdestar nga Prokuroria Speciale, ka autorizuar njësitë kompetente të Policisë së Kosovës për të vepruar menjëherë në drejtim të identifikimit dhe zbulimit të autorit/ve të dyshuar per kryerjen e kesaj vepre penale.
“Ndërsa, të enjten pas pranimit të raportit policor në lidhje me veprimet fillestare, menjëherë është caktuar prokurori përgjegjës nga Prokuroria Speciale dhe rastin do ta trajtoj me prioritet të lartë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të siguruar zbardhjen e plotë të çështjes dhe ndëshkimin e përgjegjësve të këtyre akteve”- tha Luta për Kallxo.com.
Sipas Lutës, Prokuroria Speciale e së Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin e kanosjes se Presidentes së Republikës së Kosovës.
“Po ashtu, Prokuroria Speciale, siguron opinionin publik se është në koordinim të plotë me organet e sigurisë, për të garantuar mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të përfaqësuesve të lartë të shtetit”– tha Luta.
Më herët, Presidenca e Kosovës ishte shprehur e shqetësuar duke deklaruar se ende nuk është caktuar asnjë prokuror që të merret me këtë rast.
“Sot jemi njoftuar nga Policia se Prokuroria Speciale nuk e ka ngarkuar ende asnjë prokuror të merret me kërcënimet ndaj Presidentes Osmani”- ka thënë këshilltari për media, Bekim Kupina.
Kupina ka thënë se deri më tani ka pasur dhjetëra kërcënime në vazhdimësi, por asnjë i arrestuar nga organet përgjegjëse, edhe pse shumë prej tyre kërcënimet i kanë bërë pa e fshehur identitetin.
“Është shqetësuese të mos ketë një reagim efikas dhe të shpejtë nga organet përgjegjëse, ngase kemi të bëjmë me kërcënime ndaj kreut të shtetit të cilat janë edhe kërcënime ndaj rendit kushtetues, duke e ditur që për momentin Presidenca është institucioni i vetëm me kompetenca të plota”- ka thënë Kupina.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mori një kërcënim me jetë përmes një e-maili që mbante datën 15.05.2025.
“Me tra nprit dekt me tlan partis dyt mundsin duhet deri tash kriminele antikushtetuse ordinere ti ha ropt tvraj” – ishte përmbajtja e mesazhit kërcënues në adresë të presidentes./Kallxo.com
@tetovanews
@tn.lajmelokale