Ballina Bota E çuditshme/ Gjithçka rreth sherrit online Trump-Musk

E çuditshme/ Gjithçka rreth sherrit online Trump-Musk

President Donald Trump participates in a press conference with departing DOGE adviser Elon Musk, Friday, May 30, 2025, in the Oval Office. (Official White House Photo by Molly Riley)

Një përplasje e ashpër dhe e papritur shpërtheu të enjten në rrjetet sociale mes Elon Musk dhe Donald Trump, dy ish-aleatë të afërt. Themeluesi i Tesla-s bëri thirrje për shkarkimin e presidentit amerikan dhe e akuzoi atë për lidhje me të dënuarin për abuzim seksual, Jeffrey Epstein. Ky reagim erdhi pas kërcënimeve të Trump për të ndërprerë kontratat federale dhe subvencionet për kompanitë e Musk.

Përkeqësimi i marrëdhënies së tyre, dikur e konsideruar si e fortë pasi u ndërtua mbi interesa të përbashkëta, u shoqërua me një shkëmbim publik të akuzave personale dhe politike në rrjetet sociale.

Pika kulmore e kësaj përplasjeje ishte postimi i Musk në X, ku ai pretendoi se administrata Trump nuk i kishte bërë publike dosjet për Epstein sepse ato përmbanin informacione që implikonin vetë presidentin. Më pas, ai shpërndau një postim që bënte thirrje për shkarkimin e Trump, duke paralajmëruar se tarifat e tij tregtare do të çonin në recesion.

“Koha për të lëshuar bombën: Donald Trump është në dosjet e Epstein. Kjo është arsyeja e vërtetë pse nuk janë bërë publike. Kalofsh një ditë të mbarë!” shkroi Musk, pasi Trump kishte deklaruar se anulimi i subvencioneve për kompanitë e Musk do të kursente “miliarda”.
Përplasja nxiti reagime të shumta, përfshirë edhe atë të komentueses së njohur konservatore Ashley St. Clair, e cila është nëna e një prej fëmijëve të Musk dhe aktualisht e ka paditur atë për mbështetje financiare ndaj fëmijës. “Më thuaj nëse ke nevojë për këshilla të ndarjeve,” shkroi ajo në X, duke iu referuar Trump.

Pas publikimit të deklaratave të presidentit Trump, aksionet e Tesla pësuan një rënie prej afro 15%, ndërsa konkurrentët e SpaceX, përfituan nga situata duke rezultuar me rritje në bursë.

Tensionet kishin nisur prej javësh, kur Musk kritikoi projektbuxhetin republikan. Musk e cilësoi ligjin si “të neveritshëm”.

Trump, i ftuar në një konferencë për shtyp në Zyrën Ovale me praninë e kancelarit gjerman Friedrich Merz, u shpreh me ironi për syrin e nxirë të Musk dhe la të kuptohej se marrëdhënia e tyre kishte përfunduar.

“Elon dhe unë kishim një marrëdhënie të shkëlqyer. Nuk e di nëse do ta kemi më,” tha Trump, duke shtuar se Musk kundërshtoi projektbuxhetin vetëm pasi kuptoi se ai nuk i shërbente interesave të Tesla-s. Gjithashtu, Trump tërhoqi mbështetjen për kandidatin e preferuar të Musk për të drejtuar NASA-n.
Musk reagoi menjëherë në X, duke e akuzuar Trump për mosmirënjohje ndaj mbështetjes financiare që ai kishte dhënë për fushatën e rizgjedhjes së Trump.

“Pa mua, Trump do t’i kishte humbur zgjedhjet. Demokratët do të kontrollonin Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senati do të ishte 51–49 për Republikanët,” shkroi Musk, duke shtuar: “Çfarë mosmirënjohjeje.”
Trump mohoi ndikimin e Musk në fitoren e tij, veçanërisht në shtetin e Pensilvanisë dhe më vonë publikoi në Truth Social se e kishte shkarkuar Musk nga roli si këshilltar special në Shtëpinë e Bardhë për shkak të lodhjes së stafit nga prezenca e tij. Musk reagoi duke shkruar: “Gënjeshtër e pastër. Shumë e trishtueshme.”

Pas kësaj, Musk publikoi postimin e tij lidhur me dosjet e Epstein, duke e akuzuar Trump për përfshirje në një rrjet të dyshuar abuzimi seksual të fëmijëve. Megjithatë, ai injoroi faktin që edhe vetë është fotografuar në një festë në vitin 2014 me Ghislaine Maxwell, partneren e dikurshme të Epstein, e dënuar në vitin 2021 për përfshirje në trafikim seksual.

Kjo përplasje publike shënon fundin e një bashkëpunimi të gjatë mes dy figurave me ndikim të madh në skenën politike dhe ekonomike amerikane. Pavarësisht paralajmërimeve të demokratëve dhe zërave kritikë brenda rrethit të Trump, marrëdhënia mes tyre zgjati më shumë nga sa ishte parashikuar.

Gjatë viteve të fundit, Musk kontribuoi me qindra milionë dollarë në fushatën për rizgjedhjen e Trump përmes një komiteti të posaçëm, që financoi një pjesë të rëndësishme të fushatës në terren. Megjithatë, ndikimi real i këtyre përpjekjeve në rezultatin zgjedhor mbetet i paqartë.

LEXO:
VIDEO bonus:
@tetovanews
@tn.lajmelokale