Ballina Blog Faqe 132

Një grua i vdiq vitin e parë të martesës, të dytën e rrëmbeu: Historia e Ismail Qemalit

Më 1864, siç shkruan edhe vetë, Ismail Qemali u martua me një grua nga Konica, e cila vdiq në vitin e parë të martesës, së bashku me vajzën (ndoshta gjatë lindjes).

Më 1867, duke qenë me punë në Rusçuk (Bullgari), Ismail Qemali u dashurua me Kleoniqi Surmeli, e bija e Antonit, një fisnik grek nga Edirneja, nga familja e Vezirit të Madh, Ali Pasha Surmeli (Vezir i Madh 1694-95).

Duke qenë se familja e vajzës, kryesisht e njerka, për shkak të ndryshimit të fesë, nuk ishte dakord që të martoheshin, Ismail Qemali, me njerëzit e tij të besuar, e rrëmbeu gruan e tij të ardhshme dhe, po të njëjtën ditë, në prani të dëshmitarëve nënshkroi “kontratën e martesës” sipas të cilës, nga pikëpamja islamike, hiqej çdo mundësi tjetër për një martesë të dytë.

“Martesa ime,- shkruan Ismail Qemali,- me gjithë zhurmën që kishte shkaktuar, më dha shumë prova simpatie nga ana e miqve të mi”.

Me Kleoniqi Surmelin pati lumturinë, siç do shprehej edhe vetë, të kishte 10 fëmijë:

Gjashtë djem: Mahmud bej Vlora(1871-1920), Tahir bej Vlora (1875-1932), Et’hem bej Vlora (1885-1937), Xhevdet bej Vlora (1888-1910), Qazim bej Vlora (1893-1953), Qamil bej Vlora (1895-1950) dhe katër vajza: Mevedet (1873-1954), Alije (xx-1955), Ylvije (xx-1934), një vajzë vdiq pak pas lindjes.

Lavrovi paralajmëroi se do të vijë në Samitin e OSBE-së në Shkup

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov deklaroi se do të vijë në samitin e OSBE-së në Shkup nëse Bullgaria hap hapësirën e saj ajrore, duke shtuar se disa vende perëndimore kishin kërkuar të takoheshin me të, transmeton Portalb.mk.

“Bullgaria pretendohet se i ka premtuar Maqedonisë së Veriut se do të hapë hapësirën e saj ajrore. Nëse kjo ndodh, do të jemi në Shkup. Do ta shohim. Tashmë kemi disa kërkesa për takime, duke përfshirë edhe përfaqësuesit perëndimorë”, tha Lavrov në një konferencë për shtyp në Moskë.

Ai u takua me Sekretarin e Shtetit të SHBA Anthony Blinken në samitin e G20 vitin e kaluar.

“Nëse dikush na afrohet, ne kurrë nuk ikim apo fshihemi”, shtoi Lavrov.

Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të OSBE-së do të mblidhen në një samit në Shkup më 30 nëntor dhe 1 dhjetor.

Bullgaria mbylli hapësirën e saj ajrore për avionët rusë si pjesë e sanksioneve evropiane kundër Rusisë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës.

Këshilli Ministror i OSBE-së është ngjarja më e madhe në historinë e Maqedonisë së Veriut si për nga dimensioni ashtu edhe për nga rëndësia për vendin. Në Këshillin Ministror pritet të marrin pjesë 76 delegacione të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe partnerëve, të përfaqësuar në nivel të ministrave të jashtëm ose më shumë se 1000 përfaqësues të delegacioneve.

Diçka befasuese po ndodh në Silicon Valley

Po përballemi me një kufi të ri për zhvillimin njerëzor dhe nuk është koha për t’iu dorëzuar tundimit për të pasur frikë, duke u kthyer mbrapsht.

Diçka befasuese po ndodh në Silicon Valley. Përplasja e ashpër për fatin e OpenAI përfundoi me kthimin e Sam Altman në rolin e CEO, por ajo që kemi parë ka një rëndësi shumë më të madhe: përshkruan sfidën e fortë, për të përcaktuar natyrën dhe perspektivat e inteligjencës artificiale. Prandaj është një pikë kthese në revolucionin teknologjik që i jep formë shekullit të 21-të dhe hyn edhe në jetën tonë.

Rreth një vit pas debutimit të ChatGPT, i cili e bëri universale qasjen në inteligjencën artificiale, dy qëndrime të kundërta mbi atë “çfarë duhet bërë tani” u përballën brenda OpenAI: nga njëra anë ata që duan të përshpejtojnë zhvillimin e tij sa më shumë të jetë e mundur, në mënyrë që të lejojë këtë teknologji futuriste të zgjidhë disa nga problemet më të mëdha të njerëzimit, dhe nga ana tjetër ata që preferojnë të përqendrohen tek shqetësimet rreth çështjeve të “sigurisë”, dhe për këtë arsye synojnë të ngadalësojnë ritmin.

Në krye të atyre që duan të ecin më shpejt është Sam Altman, 38 vjeç, ndërsa lideri i frontit kundërshtar është Emmett Shear, 40 vjeç, bashkëthemelues i Twitch, të cilin bordi i OpenAI do ta kishte dashur si pasardhës. Teza e Shear është se nëse shpejtësia e zhvillimit të inteligjencës artificiale (IA) tani është 10, ajo duhet të reduktohet në 1-2.

Ilya Sutskever, bashkëthemelues i OpenAI, qëndroi në mbështetje të Shear, dhe për këtë arsye kur bordi i kompanisë shkarkoi Altmanin, ishte teza e “ngadalësimit për arsye sigurie” ajo që mbizotëroi. Por revolta masive e menaxherëve dhe punonjësve të OpenAI – 700 nga 770, me një mobilizim pothuajse të paprecedentë në Silicon Valley – e përmbysi situatën, duke çuar në rikthimin e Altmanit dhe duke bërë që të mbizotërojë pozicioni i atyre që duan të ecin më shpejt. Deri në atë pikë sa vetë Sutskever ndryshoi mendim, duke nxituar për të mbështetur përsëri Altmanin.

Për të patur një ide mbi ndikimin e rezultatit të kësaj përplasjeje, duhet mbajtur parasysh se Microsoft, i cili investoi 13 miliardë dollarë në OpenAI, ishte gati të merrte Sam Altmanin, dhe për këtë arsye do ta kishte bërë të vetën edhe qasjen e Altmanit, duke nënkuptuar se nuk i kishte dyshimet për çështjet e “sigurisë”. Drejtori i Përgjithshëm i Microsoft, Satya Nadella, ishte i qartë në zgjedhjen e tij: është koha për të përshpejtuar, jo për të ngadalësuar zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Prandaj, kthimi i Sam Altmanit shënon një rezultat domethënës në lidhje me drejtimin që po mbizotëron në Silicon Valley. Dhe ndikimi në tregun global mund të jetë i rëndësishëm sepse ballafaqimi mbi shpejtësinë e rritjes së IA, fsheh një nivel të dytë përplasjeje: midis atyre investitorëve që favorizojnë mundësinë e të ardhurave marramendëse të krijuara sa më shpejt, për të optimizuar avantazhin ndaj konkurrencës, dhe atyre studiuesve që shohin me kini frikë nga zhvillimi i teknologjive, të cilat teorikisht mund të eliminojnë lloje të tëra punësh si dhe të gjenerojnë sisteme që janë aq autonome, sa të mund t’i shpëtojnë çdo forme kontrolli nga cilido.

Por nuk është kjo e gjitha, sepse Larry Summers, ish-sekretari i Thesarit i Bill Clintonit, ish-drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar të Barack Obamës dhe ish-rektor i Universitetit të Harvardit, qëndron në bordin e ri të OpenAI, së bashku me Sam Altman. Me pak fjalë, një nga emrat më të njohur në Wall Street, pavarësisht polemikave të së shkuarës së afërt për fyerjet ndaj grave.

Teza e Summers është që ChatGPT “ka mundësinë të krijojë terrene të reja lojërash” duke ripërcaktuar vetë idenë e fuqisë punëtore, sepse do të ndryshojë mënyrën se si mjekët bëjnë diagnoza, botuesit punojnë me libra dhe investitorët operojnë në tregje. Prandaj, ekziston një pikë takimi midis “përshpejtuesve” të Sam Altmanit dhe një prej mendimtarëve të pavarur më të njohur në Wall Street: po përballemi me një kufi të ri për zhvillimin njerëzor dhe nuk është koha për t’iu dorëzuar tundimit për të pasur frikë, duke u kthyer mbrapsht.

Prandaj, tani mund të bëhemi dëshmitarë të një rritje të konkurrencës me OpenAI nga konkurrentët më të fortë në inteligjencën artificiale. Ashtu si Mustafa Suleyman, CEO i Inflection, i cili nxitoi të thoshte “Ejani të garoni me ne!”, apo “kryeshkencëtari i IA” tek kompania e Zuckerbergut, Meta, Yann LeCun, i sigurt se ekipi i tij do të befasojë të gjithë dhe do të mposhtë çdo rival.

Për të mos përmendur Anthropic dhe Google, të cilët po ringjallin motorët e tyre me besimin se ajo që ndodhi brenda OpenAI shënon një pikë kthese pothuajse ideologjike për inteligjencën artificiale: sfida tani është harmonizimi i përshpejtimit dhe sigurisë, pa hezituar. Në pritje të debutimit të produkteve të reja “të pabesueshme” të Sam Altman, të cilat të gjithë i presin tani në Silicon Valley, siç ndodhi dikur për iPhone-ët e Steve Jobs. / la repubblica – bota.al

Tetovë, prishet kontrata me shërbimet karrotrec

Tashmë disa muaj në Tetovë nuk funksionojnë dy karrotrecët që komuna e Tetovës i kishte kontraktuar me kompani private, por u desh një vit e gjysmë që kryetari i komunës, Bilall Kasami ta kuptoj se kontratat me “kaçubetët” kanë qenë problematike, andaj edhe është dhënë urdhër që të njëjtat të prishen. Tash thonë se marrëveshjet u prishën pas kritikave që ka marrë nga mediat e qytetarët, shkruan TV 21.

“Sa i përket karrotrecit, ne i marrin parasysh kritikat e qytetarëve, të mediumeve, të përfaqësuesve të mediumeve për shkak se bëhej fjalë për një kontratë që llogaritej problematike kontrata. Ne kemi dhënë udhëzim tek ndërmarrja që të ndryshoj kontratën dhe nga viti të ri shpall kontratë për shfrytëzim të automjeteve me qira për shkak se ndërmarrja nuk është në gjendje të blejë dhe të siguroj vetë dhe do të shohim nëse do të paraqiten kompani atëherë do të shkojmë me qiramarrje të dy apo më shumë, në bazë të kërkesave të ndërmarrjes”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

Kontrata me kompanitë private u nënshkrua në maj-qershor 2022. Marrëveshja parashihte që 70% të fitimit e merrte kompania private dhe vetëm 30% komuna.

Ndërkohë, qyteti i Tetovës vazhdon të përballet me mungesën e parkingjeve në qytet. Kryetari i komunës ka dështuar në realizimin në tërësi të planit me pesë pika për krijimin e parkingjeve të reja në Tetovë gjatë vitit 2022. Kasami e arsyeton me atë se për parkingjet në kate ende nuk mund të gjejnë zgjidhje ligjore. Nga ana tjetër,  tha se dinamika për parkingjet e hapura dhe të mbyllura vijon,

Kasami në fushatën parazgjedhore kishte premtuar se parkingu do të jetë falas derisa të krijojë parkingje të mjaftueshme për çdo veturë, megjithatë nuk e realizoi këtë premtim. Parkingu pa pagesë ishte vetëm dy javë dhe e pagesa u rikthye. Ndërkaq më pas u rrit çmimi i parkimit zonal, atyre të mbyllura dhe ajo e shërbimit merimangë.

Video bonus:

Makina përplas gruan shqiptare në Itali, gjen vdekjen

Një aksident tragjik rrugor ka shkaktuar vdekjen e një 75-vjeçareje mbrëmjen e djeshme në Porcari të provincës së Luccas në Itali. Emoshuari, me origjinë shqiptare, por banues në zonë, po kalonte në këmbë rrugën “Puccini”, kur u përplas nga një makinë që drejtohej nga një e re.

Fatkeqësisht, me gjithë ndërhyrjen e menjëhershme të një ambulance, nuk u bë e mundur t’i shpëtohej jeta. Mediat lokale shkruajnë se viktima është Feime Besnik Nurce, e cila u godit nga një automjet tip Volkswagen Golf. Gruaja përplasi dhunshëm kokën në tokë duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Sipas një rindërtimi fillestar dhe ende përmbledhës, 75-vjeçarja po ecte përgjatë një pjese të aksit rrugor pa trotuar dhe me ndriçim të dobët kur vendosi të kalonte rrugën.

Në atë moment po mbërrinte e reja që drejtonte makinën Golf dhe për arsye që ende janë nën hetim nga policia, nuk mundi të shmangte të moshuarën. Përplasja ka qenë e dhunshme dhe 75-vjeçarja është hedhur disa metra larg, duke humbur menjëherë ndjenjat për shkak të një dëmtimi shumë të rëndë në kokë.

Me ardhjen e stafit të urgjencës, gjendja e saj ishte e dëshpëruar dhe nuk mund të bënin asgjë për ta shpëtuar. Mjekut që ndodhej në ambulancë, pas një tentative të dëshpëruar për reanimim, nuk i mbetej gjë tjetër veçse të deklaronte vdekjen.

Rita Ora dhe Kurti takohen në Qeveri, kryeministri: E diel e paharrueshme për mua (VIDEO)

Kryeministri Albin Kurti e ka pritur sot në Qeveri këngëtaren Rita Ora dhe bashkëshortin e saj, Taika Waititi.

Rita tha se zgjodhi që sot të vijë në Kosovë për ta festuar ditëlindjen e 33-të “në një mënyrë të pabesueshme”. Vizitën e sotme e cilësoi si “vërtetë emocionuese”, ashtu si dhe takimin me Kurtin.

“Ky udhëtim dhe ky takim më bënë kaq emocionuese për të ardhmen”, tha ajo,

Kurti e falëndroi Ritën “që na bëre kaq krenarë, si njerëz, si vend” ndërsa tha se “kjo ka qenë një e diel e paharrueshme për mua.

“Gjithashtu”, ia ktheu Rita.

“Rita Ora ka arritur majat më të larta të suksesit dhe njohjes në mbarë botën duke nderuar gjithmonë rrënjët dhe kulturën e saj në atdhe. Ishte nder ta prisja atë dhe Taika Waititi sot ne ditelindjen e saj. Kosova, Britania e Madhe dhe Zelanda e Re duken pa kufi përballë artit”, shkroi Kurti në “X”.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Tetova News (@tetovanews)


Vrasja brutale e 22-vjeçares nga ish i dashuri nxit revoltën e qytetarëve në Itali (VIDEO)

Vrasja e një 22-vjeçareje në Itali ka tronditur mbarë vendin dhe ka nxitur një lëvizje kundër dhunës ndaj grave. Dyshohet se e reja Giulia Cecchettin u vra nga ish-i dashuri i saj posesiv.

Por si ndodhi krimi?

BBC News raporton se më 11 Nëntor të këtij viti, 22-vjeçarja Giulia Cecchettin shkoi të blinte veshjen për ceremoninë e diplomimit në “Inxhinieri Biomjekësore” së bashku me ish-të dashurin e saj, Filippo Turetta. Por, më pas ata u zhdukën. Disa ditë më vonë, u shfaqën disa pamje, në të cilat tregoheshin momentet e fundit të jetës së saj.

Në video, Turetta shihet duke dhunuar ish-partneren e tij në një parking makinash afër shtëpisë së saj në Vigonovo, afër Venecias. Ajo u përpoq të arratisej, por prokurorët thonë se ai i vendosi shirit ngjitës në gojë, e futi me forcë në makinën e tij dhe e dërgoi një zonë industriale, ku e sulmoi përsëri.

Pas një kërkimi njëjavor, trupi i 22-vjeçares u gjet në fund të një kanali, i mbështjellë me qese të zeza plastike. Në trupin e saj u gjetën shenja të një vrasjeje brutale, në kokën dhe në qafën e saj kishte të paktën 20 plagë të thella me thikë. Sipas autoriteteve italiane, mendohet se e reja ka ndërruar jetë natën e 11 Nëntorit.

Policia lëshoi ​​një urdhër-arresti ndërkombëtar dhe nisi një ndjekje masive për Filippo Turetta. Makina e tij u gjurmua duke kaluar përmes Italisë veriore, në Austri dhe më pas në Gjermani. Një javë më vonë, ai u arrestua pranë Leipzigut të Gjermanisë kur një shofer thirri policinë pasi vuri re se ishte i parkuar në autostradë me dritat e fikur. Telefonuesi nuk e kishte idenë se 22-vjeçari kërkohej për vrasje. Deri më tani, Filippo Turetta nuk është akuzuar zyrtarisht dhe pritet të ekstradohet në Itali të shtunën./tvklan.al

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Tetova News (@tetovanews)

Një stuhi dimri po vjen drejt Ballkanit, priten reshje të mëdha dëbore

Moti parashikohet të sjellë temperatura të ftohta nga Arktiku drejt Evropës Lindore dhe Qendrore deri të shtunën dhe të dielën, duke u përhapur më në jug në të gjithë Gadishullin Ballkanik në fillim të javës së ardhshme.

Sipas Severe Weather, një stuhi e fortë dimri do të prekë Greqinë, pas së cilës do të forcohet dhe do të shndërrohet në një stuhi të madhe në Bullgari, Rumani, Moldavi dhe Ukrainë.

Meteorologët parashikojnë që moti i tillë do të jetë edhe ditën e shtunë dhe të diele. Pak borë parashikohet të mbulojë zona nga Sofja në Bukuresht në Odessa dhe Kiev në Ukrainë. Me rreth 50 centimetra reshje intensive bore të kombinuara me erëra të forta.

Ndërsa temperaturat në perëndim do të mbeten afër normales, një front i ftohtë arktik do të forcohet të dielën dhe të hënën në të gjithë Evropën Lindore, veçanërisht në Gadishullin Ballkanik. Për shkak të frontit Arktik, stuhi dimërore do të formohet mbi Greqinë dhe detin Jon të shtunën.

Pra, fundjava e ftohtë do të sjellë temperatura dukshëm më të ulëta se sa janë regjistruar së fundmi, madje shumë nën normalen e fundit të nëntorit.

Një stuhi dimri po vjen në Ballkan

Stuhia e dimrit do të fillojë të forcohet të shtunën në vendet jugore të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Greqinë dhe Bullgarinë, me reshje të dendura shiu dhe bore. Gjithashtu do të sjellë një masë ajrore dukshëm më të ftohtë në Ballkan.

Dëbora do të jetë e dendur gjatë mbrëmjes së ditës së shtune, ku me reshje më intensive të borës do të ketë në Bullgari. Moti i tillë gradualisht do të përhapet në verilindje të Detit të Zi dhe do të bëhet më intensiv deri në mëngjesin e së dielës.

Një stuhi e re dimërore ka të ngjarë të zhvillohet mbi Beneluks dhe të udhëtojë drejt rajonit alpin nga e hëna në mbrëmje në të martën. Sipas këtyre informacioneve do të ketë më shumë borë dhe do të përfshijë pjesë të Evropës Perëndimore dhe Qendrore dhe Gadishullit Ballkanik.

Me përhapjen e të ftohtit drejt Evropës Perëndimore, ka shumë të ngjarë të vijë bora. Bora pritet të bjerë mbi Francën lindore, Beneluksin dhe Gjermaninë të hënën në mbrëmje, pastaj më tej në lindje-juglindje mbi Alpe drejt Ballkanit të martën.

Sipas parashikimit, mëngjeset e së mërkurës dhe të enjtes do të jenë mjaft të ftohtë. Mund të ketë edhe temperatura nën -10 gradë Celsius. Megjithatë, i ftohti më domethënës do të mbetet mbi Skandinavi dhe rajonin e Balltikut. Me temperatura -20 gradë Celsius ose më të ulëta.

Fronti i parë arktik është qartë i dukshëm gjatë fundjavës (25-27 nëntor), i ndjekur nga një ngrohje e përkohshme, por një ri-ftohje e menjëhershme pasi fronti i ftohtë forcohet sërish në mes të javës së ardhshme, pra pas 29 nëntorit. Kjo periudhë e motit dukshëm më të freskët se normalja do të ulë ndjeshëm temperaturën mesatare mujore të nëntorit për pjesë të Evropës.

Gjenden mbetjet mortore të 6 personave në Kosovë

Mbetjet mortore të 6 personave janë gjetur ditët e fundit gjatë kërkimeve në një zonë në Prekaz të Poshtëm të Skenderajt në Kosovë.

Sipas të dhënave paraprake, mendohet se mbetjet mortore i përkasin personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Më datë 9 nëntor janë gjetur skelete të tre trupave, ndërsa më 20, 21 dhe 24 nëntor janë gjetur mbetje mortore edhe të tre personave të tjerë.

“Gjatë gërmimeve-kërkimeve, janë hasë disa mbetje mortore (gjetje eshtërore) që dyshohet të jenë të disa personave nga lufta e fundit. Më datë, 09 nëntor 2023 janë gjetur skelete të tre trupave. Hulumtimet kanë vazhduar edhe ditëve në vazhdim, kështu me 20, 21 dhe 24 nëntor 2023 janë hasur gjetje edhe të tre personave të tjerë. Pra, gjatë gërmimeve në këtë lokacion janë gjetur dhe më pas janë tërhequr nga ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore gjithsej trupa (gjetje eshtërore) të 6 (gjashtë) personave që dyshohet të jenë trupa të zhdukur gjatë luftës së fundit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Google do të fillojë fshirjen masive të llogarive të papërdorura Gmail javën e ardhshme

Google do të fillojë të fshijë llogaritë jo-aktive Photos dhe Gmail javën e ardhshme më 11 Dhjetor, raporton PCW. Është një lëvizje e planifikuar që kompania e njoftoi në muajin Maj duke shpjeguar se llogaritë të cilat nuk janë përdorur në dy vitet e fundit do të fshihen.

Së bashku me to do të fshihen edhe të gjitha përmbajtjet e lidhura me atë llogari që gjenden në aplikacionet Drive, Google Photos dhe Docs.

Zëvendës presidenti i menaxhimit të produktit të Google, Ruth Kricheli, shpjegoi se mbyllja e tyre është një masë sigurie e nevojshme.

“Nëse një llogari nuk është përdorur për disa vite me radhë, gjasat që të kompromentohet janë të larta. Kjo sepse llogaritë e pa përdorur zakonisht kanë fjalëkalime të vjetra dhe të ripërdorura që mund të jenë kompromentuar, ose nuk përdorin fare verifikim me dy faktorë.

Ai tha se në bazë të përllogaritjeve të Google, llogaritë e braktisura kanë 10 herë më shumë gjasa që të mos kenë verifikim me dy faktorë krahasuar me llogaritë aktive.

Deri në 2019-ën Google kishte 1.5 miliardë përdorues aktivë në mbarë botën dhe është një prej shërbimeve më popullore të e-mail-it.

Për shkak të popullaritetit dhe lehtësisë të regjistrimit të një llogarie të re, mashtrues kanë shënjestruar vazhdimisht Gmail-in.

SHF„Asdreni“: Prehu i qetë, mësues i dashur! I lehtë të qoftë dheu! …

Është ndarë nga jeta mësuesi i njohur nga rrethina e Tetovës, Burhanedin Isaku.Shkolla ku ka punuar ai i ka dedikuar një shkrim mbresëlënës dhe i ka shprehur ngushëllime familjes dhe atyre që e kanë njohur!

LAJM MORTOR
Të nderuar miq,kolegë,familjarë dhe qytetarë të fshatit Përshefcë me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e ish mesimdhënësit tonë Burhanedin Isaku!

E rëndë është kjo ditë nëntori, kjo ditë që zbardhi me lajmin mortor, për ndarjen nga jeta të mësimdhënësit bashkëqytetarit shembullor, personalitetit të veçantë që dha kontribut të çmueshëm në arsim.

Buzëqeshja e tij, karakteri pozitiv, dinjiteti që rrezatonte, profesionalizmi e përkushtimi i rrallë, janë vetëm disa nga vlerat që shquan veprën e tij..

Mësuesi Burhanedin ishte i nderuar, i urtë e i dashur për të gjithë, lamtumira e tij , lë prapa veprën e pasur, trashëgimin e çmueshme, përkushtimin e pashoq për edukimin dhe arsimimin e gjeneratave në frymën kombëtare.

Me largimin nga kjo botë ,familja humbi njeriun e tyre të dashur,nxënësit mësuesin e buzëqeshur, kolektivi i shkollës kolegun zemërgjërë dhe banorët e fshatit birin e tyre që do ju mungojë gjithë jetën në rrugicat e lagjes.

Ngushëllime të sinqerta familjes së respektuar Isaku, miqve dhe kolegëve.

Prehu i qetë i dashur mësues të qoftë i lehtë dheu..!

18-vjeçarja shqiptare humb jetën në aksident në Greqi

Një 18-vjeçare shqiptare ka humbur jetën, si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor mbrëmjen e së enjtes në Greqi ku dy automjete u përplasën kokë më kokë.

Në njërin mjet ku ishte edhe 18-vjeçarja shqiptare, ndodheshin 5 persona në total. E reja nuk arriti ti mbijetojë plagëve të marra, teksa të tjerët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa në mjetin tjetër ishte vetëm shoferja, 19-vjeçarja që po ashtu ndërroi jetë. Referuar mediave vendase 18-vjeçarja shqiptare po kthehej në shtëpi, momentin e aksidentit, pasi kishte qenë në punë.

Sipas raportimeve kushërira asaj me tre miqtë të tyre kishin shkuar ta merrnin nga puna. Aksidenti u regjistrua pak minuta para mesnatës në zonën e Varkizas, në rrugën Athinë-Sunio.

Sasia e reshjeve të borës deri të dielën

Reshje bore do të përfshijnë Republikën e Kosovës duke filluar sonte pas mesnate ose orët e hershme të mëngjesit në disa zona, ndërsa deri nesër pasdite bora do të fillojë edhe në viset e ulëta të Dukagjinit.

Në Rrafshin e Kosovës pritet shtresa paksa më të theksuara, ndërsa në Dukagjin më të pakta. Në viset kodrinore-malore pritet stuhi e dhe atmosferë klasike dimërore.

Normalisht disa zona më të ulëta në Dukagjin dhe rajonin e Shkupit mund të mbesin pa shtresa bore.

Edhe në shumë zona urbane të Kosovë pritet atmosferë dimërore, ndërsa reshje bore do të fillojnë edhe në verilindje, lindje dhe juglindje të Shqipërisë dhe më vonë edhe në Maqedoninë e Veriut. Bora do të zbardh edhe Luginën e Preshevës dhe normalisht veriun e Malit të Zi.

Siç theksuam edhe mbrëmë asnjë model nuk mund të jetë plotësisht i saktë, por afërsisht. Në viset e ulëta nga 2 deri në 15 cm, borë, ndërsa në viset kodrinore-malore nga 15 deri në 30, madje mund të ndodhë deri në 40 cm në ndonjë rajon malore. Edhe në ndonjë zonë të ulët mund të ndodhë deri në 20 apo 25cm.

Vonë pasdite dhe në mbrëmje pritet të zbardhen edhe shumë ultësira në Maqedoninë Veriore dhe Luginën e Preshevës me përjashtime të caktuara sigurisht.

Pra, para nesh goditja e parë serioze dimërore, me reshje bore. Në viset kodrinore-malore dimër i vërtetë, por edhe në disa ultësira.

Të dielen ftohtë, ndërsa reshjet rrallohen dhe vazhdojnë si rrebeshe lokale të borës kryesisht në viset kodrinore-malore. Të hënën dhe të martën rritje graduale e temperaturave dhe reshje bore të cilat shumë shpejt do të shndërrohen në shi.

Arti në zi/Ndahet nga jeta në moshën 73-vjeçare aktori i madh i humorit, Zef Deda

Ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare aktori i madh i humorit Zef Deda. Artisti shumëdimensional i cili ka spikatur me rolet e tij ne teatër dhe kinematografi mbylli sytë në qytetin e tij të lindjes pas një sëmundje të rëndë që e kishte prekur prej pak kohësh.

Zef Deda është një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë. Lindi në Shkodër më 27 korrik 1950. Eshtë shkolluar në qytetin e tij të lindjes, dhe në politeknikumin e ndërtimit në Tiranë. Fillon shkollën e lartë për gjuhë-letërsi, por nuk e mbaron dot për arsye shëndetësore. Ka punuar për më shumë se 40 vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Talenti i tij spikat që në moshë të vogël.

Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyër psiko-fizike ai arrine të realizojë qindra figura artistike. Prandaj edhe është mjaft i dashur për publikun shqiptar, sidomos atë Shkodran.

Pas një shkëputje prej 6 vitesh, për shkak te emigrimit jashtë atdheut, ai kthehet në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit, të cilin e vazhdon me shumë sukses. Zef Deda është i martuar me Rozina Dedën dhe ka dy djem, Julian Deda dhe Marjan Deda. Zef Deda gjithashtu ka interprertuar edhe shumë komedi si: “Vëllai nga babai”, “Kollovari”, “Big Brother Shkodra 1”, “Big Brother Shkodra 2”, etj.

Këshilli i Evropës: Dështimi në përballjen me të kaluarën rrezikon paqen në rajonin e Ballkanit

Këshilli i Evropës publikoi të enjten një raport sipas të cilit dështimi në përballjen me krimet e luftës të kryera në ish Jugosllavi gjatë viteve të ’90-ta, po rrezikon paqen në rajon.

Raporti thekson se kur kanë kaluar thuajse tri dekada nga përfundimi i luftërave që copëtuan rajonin e ish-Jugosllavisë, pajtimi mbetet i paarritshëm.

“Ka hapa pas në proceset e përballjes me të shkuarën dhe kjo përkon me rënien në shkallë më të gjerë të respektimit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në disa vende të rajonit”, thuhet në raport.

Llogaridhënia për krimet e luftës është larg të qenit e plotë, thekson raporti, “ndonëse në rajon ka pasur përpjekje të shumëfishta për të siguruar llogaridhënien penale, përfshirë një gjykatë plotësisht ndërkombëtare për krimet, gjykime të brendshme për krimet e luftës si dhe mekanizma të ndërkombëtarizuar ose hibridë të llogaridhënies”.Përpjekjet për llogaridhënie mbi krimet e luftës, siç thekson raporti, po dëmtohen nga “klima e aktuale e mohimit të krimeve të luftës dhe e glorifikimit të kriminelëve të luftës”, si dhe nga mungesa e bashkëpunimit gjyqësor mes disa prej vendeve, përfshirë refuzimet e vazhdueshme nga këto shtete për të ekstraduar shtetasit e tyre, të cilët vazhdojne të gëzojnë pandëshkueshmëri.

“Ka një prirje alarmante drejt diskursit etno-nacionalist, mohimit të krimeve dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës, çka dobëson përpjekjet për t’u përballur me të shkuarën. Është shqetësuese që praktika të tilla pranohen dhe ndiqen në mënyrë aktive nga politikanë në nivelet më të larta të politikës dhe që kthehen në strategji për të mbledhur vota dhe për të qëndruar në pushtet”, thuhet në raport, ku ndër të tjera nënvizohet se grupet nacionaliste të ekstremit të djathtë “kontribuojnë në këtë diskurs, duke gëzuar mbështetjen nga lidhjet rajonale dhe ndërkombëtare që i bënë ato faktor serioz rreziku për të minuar përpjekjet për të parandaluar përsëritjen e dhunës”.

Në raport thuhet se duke parë kontekstin e paqëndrueshëm në rajon, është i nevojshëm kriminalizimi i mohimit të gjenocidit dhe krimeve të luftës, si një formë e rëndë e gjuhës së urrejtjes.

Sipas raportit, ndonëse ka pasur një përparim të ngadaltë për njohjen e nevojave të të mbijetuarve të përdhunimit, nëpërmjet përfshirjes së tyre si viktima civile të luftës në disa legjislacione kombëtare, frika nga stigmatizimi dhe kriteret përjashtuese vazhdojnë t’ua vështirësojnë atyre marrjen e kompensimit.

“Kërkimi i reparacioneve nëpërmjet gjykatave civile apo penale është proces i gjatë dhe i kushtueshëm dhe i ekspozon viktimat ndaj rrezikut të ritraumatizimit. Në përgjithësi, autoritetet kombëtare, përveç kompensimit, i kanë kushtuar pak vëmendje reparacioneve në forma të tjera, si rehabilitimi, satisfaksioni nëpërmjet zbulimit të së vërtetës, ndjesa publike dhe kujtesa, si dhe garancitë për mospërsëritje”, theksohet në raport.

Aty kritikohet procesi i ndiriçimit të fatit të personave të zhdukur, i cili siç thuhet ka shënuar rënie viteve të fundit, ndonëse ende nuk dihet asgjë për fatin e nëntë mijë e 867 personave të zhdukur.

“Është urgjente që këto raste të mbetura të zgjidhen sa më shpejt më qëllim që t’u jepet fund vuajtjeve të familjeve. Koha e gjatë e kaluar dhe mundësia e identifikimeve të gabuara para përdorimit të testit të ADN-së paraqesin pengesa praktike të rëndësishme, ndërkohë që fatkeqësisht mungesa e përkushtimit politik për bashkëpunim të vërtetë rajonal në këtë fushë është kthyer në pengesë të madhe vitet e fundit”, thuhet në raport.

Raporti kërkon reagime të shpejta politike për të shmangur një rikthim të dhunës masive në rajon, duke theksuar se e shkuara krijon përçarje të thella si brenda, ashtu edhe ndërmjet vendeve të rajonit duke i kontirbuar një mjedisi me urrejtje dhe ndasi, çka pasqyrohet edhe në rritjen e gjuhës së urrejtjes, dhunës ndëretnike dhe mungesës së tolerancës.

“Brezat e rinj po rriten në shoqëri të ndara, pa mundësi të vërteta që të ndërveprojnë më anëtarët e grupit tjetër ose po edukohen që ta shohin “tjetrin” si kërcënim. Të dhënat për radikalizimin e të rinjve dhe disa incidente të dhunshme ku përfshihen të rinj përbëjnë shqetësim shumë serioz”, thuhet në raport.

Raporti nënvizon edhe disa mangësi në angazhimin e komunitetit ndërkombëtar, përfshirë atë të organizatave ndërqeveritare dhe shteteve te veçanta donatore.

“Zbehja e angazhimit me kalimin e kohës, vendosja e stabilitetit imediat si përparësi përkundrejt përballjes me të shkuarën; mesazhet jokonsekuente dhe qasja e bazuar në projekte afatshkurtra janë disa nga shkaqet, mes shumë të tjerash, që kanë dobësuar ndikimin e partnerëve ndërkombëtarë”, thuhet në raport ndërsa theksohet se përballja me të shkuarën me qëllim pajtimin dhe shmangien e konflikteve në të ardhmen kërkon përpjekje të vazhdueshme që duhet të shtrihen përtej një gjenerate./VOA

Enrique Iglesias jep lajmin e keq për të gjithë adhuruesit e muzikës së tij

Enrique Iglesias ka njoftuar të gjithë fansat se albumi i tij i ri do të jetë i fundit në karrierë.

“Është mbaruar. Në fakt do të dalë në shkurt. Ka përfunduar plotësisht. Ajo që unë dua të bëj është të xhiroj një ose dy video menjëherë përpara pjesës së dytë të turneut dhe ta lansoj atë”, u shpreh artisti për “Today”.

Enrique vazhdoi të përsëriste se albumi i ardhshëm në studio, ‘Final (Vol 2)”, në fakt do të jetë i fundit i tij.

“Kam shumë vite që punoj në këtë album. Dhe për mua ishte gjithmonë siç thashë, albumi im i fundit… ky është ai. Nuk do të bëj më albume”, tha Iglesias.

Pavarësisht lajmeve, fansat mund të jenë të sigurt se Iglesias ka këmbëngulur se nuk do të ndalojë së bëri muzikë.

Ai premtoi se do të publikojë ‘këngë’ të reja dhe projektet e tjera do të vijnë akoma.

“Asgjë nuk ka ndryshuar”- Këngëtarja Barbana Dini kujton vëllain që humbi jetën 7 vite më parë: Brenga më e madhe e jetës time do të jetë…

Këngëtarja Barbana Dini ka kujtuar vëllain e saj, reperin Ergi Dini, i cili humbi jetën 7 vjet më parë në një aksident me motor.

Përmes një postimi në Instagram, Barbana shkruan se, edhe pse kanë kaluar 7 vite, asgjë nuk ka ndryshuar dhe se malli vetëm shtohet.

Ajo shkruan se brengë do t’i mbetet që vajza e saj, e cila ka pak kohë që ka ardhur në jetë, nuk ka njohur dajën, dhe ky i fundit nuk ka njohur mbesën.

“Sot, 7 vite pa ty!

Sa me mungon, vetem Zoti e di!

Asgje nuk ka ndryshuar, jam ketu e mbushur me dhimbjen e ikjes tende dhe shume mall qe vetem shtohet

Te dua perjetesisht une dhe mbesa jote Ergola e cila erdhi kete vit si bekim per te mbajtur emrin tend…

Sa keq qe nuk e njohe dhe nuk te njohu fizikisht, do jete nje nga brengat me te medha te jetes sime daja Ergi!”, shkruan ajo.

Si humbi jetën Ergi Dini?

Në nëntor të 2016, Ergi Dini teksa po udhëtonte me motor me shokun e tij Kejdi Halili, të dy 21 vjeçarë, kanë humbur kontrollin dhe janë aksidentuar për vdekje.

Sipas policisë, dy të rinjtë po udhëtonin me një motor pranë urës së “Bllokut” në Bulevardin “Bajram Curri”, teksa drejtuesi ka humbur kontrollin e mjetit.

Dy të rinjtë kanë qenë duke udhëtuar me motorin e tyre tip “Yamaha”. Shkak nuk ka qenë shpejtësia e lartë, por një manovër e gabuar e drejtuesit të mototmjetit, i cili ka dhënë gaz motorit duke e ngritur rrotën e parë në ajër.

Ky ka qenë një moment fatal pasi dy të rinjtë kanë rënë mbrapsht. Ata morën dëmtime në kokë pasi të dy kanë qenë pa kaskat mbrojtëse.

Pas aksidentit u dërguan në spital dhe asnjëri prej tyre nuk arriti të mbijetonte.

Kujtojmë se Ergi Dini ka qenë një këngëtar i talentuar, i cili ka rrëmbyer dhe çmimin e parë në “X Factor Albania 2014”.

Publikohen përgjimet e Prokurorisë Speciale! Çfarë kanë folur Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi me vizitorët

Bazuar në transkriptet nga përgjimet, të tre të akuzuarit kanë keqpërdorur vizitat që u janë lejuar në Qendrën e Paraburgimit në Hagë për të çuar mesazhe te dëshmitarët dhe familjarët e tyre, mes të cilave edhe për ta prezantuar Adem Demaçin si njeriun kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjykatës Speciale i është kërkuar që t’ua ndalojë tre të akuzuarve edhe vizitat e edhe komunikimet me jashtë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë ka publikuar të enjten kërkesën adresuar Gjykatës Speciale për t’ua kufizuar ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarit Kadri Veseli dhe ish-deputetit Rexhep Selimi vizitat në Qendrën e Paraburgimit, si dhe komunikimet me jashtë, por edhe me njëri-tjetrin.

Sipas organit të akuzës, ata kanë shkelur urdhrat e trupit gjykues, duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur apo duke e shpërndarë përmbajtjen e dëshmisë konfidenciale për personat që i vizitojnë. Nga ZPS-ja është pretenduar se ata deri më tash i kanë shfrytëzuar vizitat për të çuar mesazhe te dëshmitarët dhe familjarët e tyre.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi kanë shkelur urdhrat e Trupit Gjykues, duke zbuluar identitetet e dëshmitarëve të mbrojtur dhe kanë shpërndarë përmbajtjen e dëshmive konfidenciale te personat që i vizitojnë ata në Qendrën e Paraburgimit. Hetimet e Prokurorisë së Specializuar kanë zbuluar gjithashtu përpjekje të mëtejshme për të penguar procesin, duke përfshirë dhënien e udhëzimeve se si dëshmitarët duhet të dëshmojnë dhe planifikimi i qasjeve ndaj dëshmitarëve”, thuhet në kërkesë.

Bashkë me kërkesën për pezullimin e vizitave për ta, Prokuroria ka publikuar edhe transkripte që, sipas saj, janë nga bisedat me të tjerët që kanë realizuar Thaçi, Veseli e Selimi.

“Në bazë të autorizimit gjyqësor nga gjyqtari i vetëm, PSP-ja ka regjistruar në mënyrë të fshehtë vizitat e tre të akuzuarve në Qendrën e Paraburgimit”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Bazuar në të, bashkëbiseduesve u janë dhënë instruksione se çfarë duhet të thonë dëshmitarët para gjykatës, mes të cilave edhe të tilla për ta paraqitur Adem Demaçin si njeriun kryesor në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Ai duhet të përgjigjet shkurt… ‘Bosi ka qenë Demaçi’, këtë duhet ta thotë qartë. Thuaji: ‘Po vjen këtu, dil nga ky vend hero. Mos dil i turpëruar’”, thuhet në transkriptin e publikuar nga biseda e ish-presidentit Thaçi.

Gjatë seancave të kaluara, të paktën dy dëshmitarë kanë thënë që ata kanë pasur respekt të veçantë për Demaçin dhe se ai ka qenë një person me autoritet dhe të cilit i kanë besuar.

Prokuroria ka kërkuar që Thaçi, Veseli e Selimi të mund të komunikojnë vetëm me anëtarë të ngushtë të familjeve të tyre dhe të gjitha këto komunikime të monitorohen nga dikush që e flet gjuhën shqipe dhe që të mos kenë vizitorë të përbashkët.

“Masat e kërkuara janë të nevojshme për të adresuar rrezikun konkret për: (a) përpjekje të paligjshme për të ndërhyrë te dëshmitarët dhe për të penguar dëshminë e tyre; (b) shpërndarjen nga Qendra e Paraburgimit të informacionit të dëshmitarëve të mbrojtur, duke përfshirë dëshmitë konfidenciale të dhëna për këtë rast; dhe (c) kërcënime të mëtejshme ndaj integritetit të procedurës”, është thënë në kërkesën e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria ka pretenduar se Thaçi dhe Veseli në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë udhëzuar një person që i pati vizituar ata në Hagë që ta caktojë dikë për t’ia përcjellë një mesazh familjes së një personi, emri i të cilit nuk është bërë publik.

“Njëri nga dëshmitarët në këtë çështje, identiteti i të cili i ishte zbuluar të akuzuarit më 30 janar 2023, raportoi se në mars 2023, kishte qenë i kontaktuar nga dikush, vetëm disa javë para se ai të nisë dëshminë. Kur ishte kontaktuar nga Individi 1, një personit (i redaktuar) i është thënë që Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli i kanë dhënë udhëzim të drejtpërdrejtë një personi, i cili i ka vizituar ata në Hagë, që të caktojë një person që të çojë një mesazh te familja e një personi (i redaktuar)”, thuhet në njërën nga pikat e kërkesës.

Sipas Prokurorisë, tre të akuzuarit, nëpërmjet vizitorëve kanë kërkuar që të mos dëshmohet ose të zbuten faktet ndaj tyre, nën justifikimin se kjo është “për të mirën e vendit”. Në kërkesë është theksuar po ashtu se një dëshmitari tjetër i është kërkuar që t’i tërheqë deklaratat e dhëna.

Në këtë dosje është theksuar se, gjatë vizitave, të arrestuarit veçse dyshonin që mund të ishin duke u përgjuar dhe shpesh kanë pëshpëritur, kanë lëshuar muzikë gjersa flisnin me vizitorët dhe janë përfshirë në biseda shumë palë njëkohësisht.

“Ishte praktikë që të ndaluarit, e paplanifikuar, të jenë prezent në vizita për të cilat nuk ishin të autorizuar. Veseli ka qenë prezent në disa vizita që u janë bërë Thaçit dhe Selimit gjatë korrikut dhe gushtit 2023”, thuhet tutje në dosje.

Në transkripet e publikuara është paraqitur një pjesë e bisedës së pretenduar të Selimit me një vizitor, gjatë së cilës tregohet se nga cili vend është një nga dëshmitarët.

Një komunikim që i përshkruhet Thaçit përmban instruksione se si të përgjigjet një dëshmitar në pyetje. Ai udhëzohet që t’i përdorë fjalët: “Nuk e di; nuk më kujtohet” ose “Çfarë shërbimi inteligjent mor burrë!”. Prokuroria ka pretenduar se Thaçi ka komunikuar edhe me një person, i cili i ka thënë se është takuar me së paku dy dëshmitarë para se ata të dalin para gjykatës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka pretenduar që këto shqetësime janë të bazuara mirë, që tre të akuzuarit janë duke u përfshirë aktivisht në sjellje të jashtëligjshme dhe që, sipas saj, është përcaktuese për sigurinë dhe mirëqenien e dëshmitarëve.

ZPS-ja më 30 shtator të 2022-tës e ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Jakup Krasniqit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, të cilat i ngarkojnë ata për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Prokuroria pati dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, në të cilën pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetisht.

Më 9 nëntor të 2020-s, në paraqitjet e tyre të para para Dhomave të Specializuara, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020./KOHA

“Dua të shkojmë përtej grupit”, kreu i FSHF-së, Armand Duka zbulon yjet kuqezi, ja kush është zemra e ekipit

Shqipëria në “Euro2024” është një senasion edhe për mediat evropiane, mbi të gjitha ato italiane, ku interesimi është edhe më i madh, për shkak se në Serie A aktivizohen pjesa më e madhe e legjionarëve. Armand Duka, kreu i FSHF-ës, në një intervistë për TuttomercatoWeb, u ndal në disa detaje, nga Sylvinjo e deri tek yjet kuqezi: “Jam i lumtur, jemi të gjithë të lumtur. Kemi bërë mirë, jemi kualifikuar dhe shumë të lumtur. Hera e parë ishte e bukur, por edhe kjo. Kemi bërë një rrugëtim të mirë, duke lënë pas përfaqësuese si Republika Çeke dhe Polonia. Sylvinho? “Kur u kualifikuam, trajneri ishte euforik. Ai bëri një punë të mirë, ia arriti qëllimit dhe kishte çdo arsye. Ju them sinqerisht, asgjë nuk ndodh rastësisht. Duhet sakrifica, planet e duhura. Pa të, rezultatet nuk do të ishin këto. Këto janë fryti i gjithë kësaj. Regjia është e tij, por duhet të them shumë mirë edhe për D’Olivian, ai ka luajtur në Itali, është një ekspert që ka ndihmuar shumë. Ai, si Zabaleta, kanë ndërtuar një grup kompakt”.

Në ndeshjen e fundit kishit shtatë lojtarë të Serisë A: Berisha, Gjimshiti, Ismajli, Hysaj, Asllani, Ramadani, Bajrami.

“Lidhja mes futbollit shqiptar dhe ligës italiane është e fortë. Kemi shumë fëmijë në Itali, janë gati 14 mijë shqiptarë të regjistruar në vendin tuaj, pothuajse të njëjtët futbollistë si në Shqipëri. Këtyre që janë në listë duhet t’u shtohet edhe Çuni nga Frosinone, ose Berisha nga Lecce, i cili tani për tani luan në U21, por është pothuajse gati të bëjë hapin lart. Dhe pastaj do t’ju them Shpendin, i cili luan në Empoli”.

Një nga më përfaqësuesit është Hysaj…

“Po, ka luajtur në nivel të lartë, por them edhe Gjimshiti që është kapiteni ynë”

Një nga shpresat tuaja dhe të Interit quhet Asllani…

“Lojtar i mirë, në perspektivë. Ai është vetëm 21 vjeç, ai mund të bëhet një lojtar i madh… Një lojtar i mirë. Ai na ndihmoi shumë, ai luajti pothuajse gjatë gjithë kohës dhe e bëri shumë mirë”.

Po Bajrami?

“Ai është një lojtar i madh, teknik, më tekniku në ekipin tonë. Shikoni golin që shënoi në Çeki, barazimi vendimtar, ne mbetëm në lojë. Dhe kemi djem të tjerë shumë të mirë, mbajeni mend  emrin Mitaj. Ai luan në Rusi, por mund të bëhet një top lojtar”

A e dini se Ramadanit i pëlqen Interi?

“Ai është një njeri i mirë edhe para se të jetë një lojtar i mirë. Ai është zemra e ekipit, ai vrapon shumë në fushë si në ekipin kombëtar ashtu edhe me Lecce. Jam i lumtur që ai po luan mirë në Serie

Çfarë synimi keni për Euro 2024?

“Tani vjen pjesa e vështirë, do të takojmë ekipet e forta. Në letër arrijmë si një nga skuadrat më të dobëta, por duam të shkojmë përtej grupit. Nuk e di ku do të arrijmë, por i kemi kualitetet për të shkuar më tej. Dhe festa tashmë ka përfunduar, ne po përgatitemi për Gjermaninë. Trajneri është i uritur. Dhe nuk dua të takoj Italinë, ata janë një ekip shumë i fortë edhe nëse nuk kanë arritur rezultate të mëdha kohët e fundit.

“Ti dërgoj nga llogaria e Elvanës 500 mijë euro borxh”, dyshohet se këngëtarja Gjata u përmend në bisedat e “Sky” nga Ervin Mata

Elvana Gjata, këngëtarja e njohur e përfolur gjerësisht në ngjarjen në zonën e ish-bllokut në Tiranë ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagosën Eljo Hato së bashku me Ervis Martinaj, ka dalë sërisht në skenë e lidhjeve të saj me Ervin Mata (Boli).

Emri i këngëtares del në një nga komunikimet që bën Erzen Breçani me djalin e tij, Eralbin, ku Erzeni i thotë të birit se kishte fol me Ervinin, e ky I fundit do i transferonte 500 mijë euro borxh, me llogarinë e këngëtares, Elvanës.

Me sa duket Mata përdorte llogarinë e të fejuarës së tij, Elvana Gjata, për të kryer transaksionet.

Mes shumë episodeve të siguruara nga “Ora News” në një rast jepet një tablo e qartë, ku gjatë një komunikimi në muajin Gusht 2020 në “Sky”, konfirmohet biseda e transaksionit prej 500 mijë euro.

Sipas dosjes hetimore në datën 18 gusht 2020 në orën 00:00:39, Erzen Breçani pasi ka marrë në posedim aparatin telefonik me SkyEÇ me perdorues KOB9EP, i dërgon mesazh zanor Ç4RE2 më përmbajtje:

Erzeni: Ç’a bone a je mirë?

Më pas në orën 00:09:50 Erzeni komunikon me djalin e tij Eralbi Breçani, perdores i SkyEÇ S7DEGI.

Erzen Breçani i tregon që aparatin telefonik me aplikacionin SkyEÇ ia ka blerë Bujar Ajeti për shkak se janë përgjuar.

Erzen Breçani i tregon që ka patur një bisedë me Ervin Matën dhe ky i fundit i ka ofruar 500 mijë euro borxh, për ta ndihmuar për ndërtimin e një HEC-i, por Erzeni ka refuzuar.

Në bisedë me Eralbi Breçanin i tregon për HEC-in dhe etapat e ndërtimit qe po zhvillohen aty. Ai i kërkon të birit që mos të vazhdojë me aktivitetin e tij jashtë shtetit duke rrezikuar, ku dyshohet që i referohet aktivitetit të jashtëligjshëm me lëndët psikotrope që zhvillon Eralbi Breçani dhe për t’i vënë në dukje rrezikshmërinë i tregon edhe për rastin që e ka përgjuar policia së bashku me Bujar Ajetin.

Babë e bir shkëmbejnë mesazhet:

Erzeni:…Persh…A eshte ky. Tini i joti… Toni. Ok. Sa e kam une apo ate që ta thash…Ma bleu Bujari me 80 dit i mushun…Ngage na kan pergjue…Ç’a je ka bani ju? Si asht Ervini?…Nuk pata kohë me të thanë se mtha mue po ti dergoj nga llogaria e Elvanes 500 mij euro borxh…

E maroj punet sa t’i kalosh kto halle…I thashë jo ne asnje menyrë…I ka Eralbi po nuk ka me ç’ka i sjell tha, kam njerez une që i sjellin sa te dush. Nuk jam ka të thom me nis gja jo, po të thash se me pat than vet dhe nuk te pata kallxue se nuk nejtem bashk..

Tash sa ka i bjen ne mend hic per HEC-in me than te drejten…Nuk i thash une nismi mtha vet e i thash ne asnje menyr…Me mujt me gjet noj lek me i ruejt per noj sëmundje se fola me Bardhin e ka pas ka pague i rrug hekur e gjys pagese Ramizit e nuk kem pague as punëtoret gati një muaj jua kem shty rrogat po shof une kto dy dit e takoj do shokë me u marr noj gja që mos te rim ne mshir te fatit….

I thash Ramizit sot nuk kam lek me te dhan, tha shiko me gjej noj pun noj tender i thash pz po shof. Ruje veten ti eme kan shnosh per veti e lej punt që rrezikojnë se apo e shef si mu kan vu mue e bujarit, tan shteti ne shpin…”

Nga biseda e zhvilluar ku permenden “Bardhi” “hidrocentrali”, duke ju referuar edhe veprimeve dhe verifikimeve tona, rezulton se subjekti “Breçani R.O.S.P” sh.p.k, me objekt veprimtarie sigurimi privat i sigurise fizike dhe nder tjera edhe shfrytezimin dhe administrimin e hidrocentralit “Drita”, me ortak të vetem dhe administrator Fatbardh Breçanin, vëllain e Erzen Breçanit, me vendim Nr.14 date 12.07.2019 et K.K.T është miratuar leja per ndertimin e objektit ‘Ndertimi i burimit të rigjenerues të energjise, hidrocentralit “Drita, në lumin e Gahit, Bashkia Tropoje, Qarku Kukes”.

“Breçani R.O.S.P” ka ndërtuar hidrocentralin “Drita” dhe ka regjistruar në QKB me NUIS L99524601K date 24.09.2019 “HEC Drita Energy”, me ortak të vetem “Breçani R.O.S.P” dhe administrator shtetasin Eralbi Breçani për periudhen 23.09.2019-23.09.2024. Emri i shtetasit Erzen Breçani nuk figuron në asnje nga dokumentet e depozituara ne QKB apo akt themelimi. Vetë Erzen Breçani sipas sistemit ÇcTS rezulton i punësuar në kompanine Breçani R.O.S.P.

Erzen Breçani, ish-drejtues policie, dhe njëherësh ish-kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike, u arrestua të hënën në kuadër të goditjes së një grupi kriminal, i cili trafikonte sasi të mëdha kokaine nga vendet e Amerikës Latine, por edhe kishte kryer dhe organizuar plane për eleminimin fizik të disa personave.

Në dosjen e SPAK, Breçani evidentohet në disa episode, fillimisht për lidhjen e tij familjare me Ervin Matën, motrën e të cilit e kishte nusen e djalit të tij, por edhe për shoqërinë me të fortin e Kukësit Bujar Germizi.

Djali i Erzen Breçanit, Eralbi Breçani dhe Ervin Mata janë në kërkim nga SPAK, por ende autoritetet nuk kanë rënë në gjurmët e tyre. Në kërkim është shpallur dhe Ismail Zeneli.

Ndërkohë ditën e nesërme pritet që të dalin para gjykatës Erzen Bercani, Besmir Murati, Dedan Gjoni dhe Bujar Ajeti.