Këngëtarja shqiptare Rita Ora ka dhënë një mesazh për Shqipërinë në ditën e Festës Kombëtare. Ajo thekson se ka vendosur t’i ndërtojë shtëpinë një familje të prekur nga tërmeti.
Më tej, Rita bën me dije se do të ndjekë ecurinë e kësaj pune që të ketë dhe familje të tjera që të marrin të njëjtën ndihmë.
“Gëzuar ditën e flamurit, Shqipëri. Gjatë ditëlindjes sime dhe në ditët e fundit, jam menduar se cila do të ishte gjëja e duhur për të bërë.
Bashkë me Erion Veliajn vendosëm të zgjedhim një familje të cilën ta sponsorizojmë e t’i ndërtojmë shtëpinë që i është shkatërruar nga tërmetet në Shqipëri.
I sugjeroj kujtdo që ka mundësinë, të gjejë një familje ose një shoqatë bamirësie, një mënyrë për të ndihmuar me rindërtimin e shtëpive të viktimave të kësaj katastrofe.
E para që zgjodha është familja Sala. Do ta ndjekim ecurinë e kësaj pune që të ketë dhe familje të tjera që të marrin të njëjtën ndihmë. Ju lutem, klikoni në blogun tim për të bërë të njëjtën gjë dhe ju. Lutjet e mia dhe dashuria ime shkojnë drejt atyre që janë prekur. Me dashuri, Rita”.
Një burrë i moshuar nga Medvegja, në një intervistë dhënë për mediat e Kosovës tregon mes lotësh se ka vetëm 10 euro e se ata do i dhurojë për Shqipërinë.
Siç shihet në këtë video të bërë virale, plaku nga zona e Luginës së Preshevës, shprehet se do me shpirt të ndihmojë Shqipërinë për këtë tragjedi të ndodhur.
Ai nis të qajë për Shqipërinë, ndërsa thotë se mezi ka fituar para, pasi ka bërë një jetë refugjati.
Presidenti i Republikës dhe kryeministri Rama kanë lënë pas përplasjet thyer akujt dhe janë takuar në Vlorë në 107 vjetorin e Pavarësisë. Meta është parë duke i dhënë dorën Ramës gjatë homazheve të zhvilluar në këtë qytet.
Kujtojmë se sot festat e këtij Nëntori do të kalojnë në heshtje, në nderim viktimave të tërmetit në Durrës dhe në Thumanë.
Në një deklaratë të shkurtër për mediat nga Vlora, Meta tha se kjo nuk mund të jetë një ditë feste, por një ditë për të nderuar Flamurin Kombëtar. Ai peloi për bashkim të politikës më të rëndësishme të vendit.
“Sot nuk është një ditë për të festuar, por një ditë për të nderuar Flamurin Kombëtar. Të angazhohemi për të shëruar sa më parë të jetë e mundur plagët e shkaktuara nga teërmeti. Të jemi sa me pranë familjeve që kanë humbur të afërmit dhe të dashurit e tyre. E gjithë politika duhet të jetë gjithmonë e bashkuar për çështjet më të rëndësishme të vendit dhe të shtetit, të popullit dhe bashkëjetesës sonë. Sot do të jetë si ansnjëherë tjetër dhe n ëejtën e përditshme për të përmbushur një mison si ai i anëtarësimit të Shqipërisë në BE”./abcnews.al
Një pallat 7-katësh, në lagjen nr. 18 në Durrës ka pësuar dëmtime të rënda nga termeti tragjik i 26 nëntorit. Banorët thonë se nuk ka shkuar askush nga Bashkia e Durrësit, për të vlerësuar dëmet. Po kështu banesat i kanë patur të pasiguruara.
“Kam dëgjuar se janë prishur blloqe, tulla janë hapur gjithandej. Dëmtimet janë të dukshme dhe jashtë pallatit. Nga kati i dytë deri tek i 5-ti janë dëmtuar komplet. Na kanë marrë vetem numrin e telefonit dhe na kanë thënë se do vijmë, por deri tani asnjë ekspert nuk ka ardhur. Nuk jam futur brenda se është me rrezik, janë dëmtuar kollonat”, tha një banor i këtij pallati.
Ndërsa një tjetër banor dha për mikrofonin e “AbcNews” se e ka kaluar natën jashtë bashkë me gruan. ” Më kanë thënë shko regjistrohu dhe ik për Kosovë… s’po marrim vesh asgjë…këtu ka vend sa të duash Durrësi, pse duhet të iki në Kosovë. Dua të marr përgjigje se çfarë do bëhet”.
Disa të rinjtë tetovarë kanë marrë rrugën për në Shqipëri, më ekzaktësisht në Durrës. Ato kanë ardhur me një mision. Së pari kanë sjellë ndihma elementare për të prekurit nga tërmeti dhe së dyti do të marrin me vete 5 familje, nuk ka rëndësi se sa anëtare janë. Këta të rinj për mikrofonin e Report Tv kanë deklaruar se do të ofrojnë strehim për këta 5 anëtarë deri kur ata të duan të largohen dhe nuk është e nevojshme për të paguar asnjë qindarkë.
“Ne kemi shpreh gatishmëri për 5 familje, pa marrë parasysh sa anëtare janë. Me gjithë shpenzimet e hequra, do të rrinë sa të duan ato. kemi sjellë gjërat elementare ca duhet për një familje. Si student të universitetit shtetëror në Tetovë i kemi bërë edhe një organizim, kemi mbledhur lekë, por do vijnë vetëm nesër”, tha për mikrofonin e Report Tv dy të rinjtë nga Tetova.
Tërmeti i 26 nëntorit që goditi Shqipërinë shënoi ngjarjen më të rëndë në vend, ku ndërtesa u rrafshuan, ndërsa mori dhjetëra jetë njerëzore.
Përpos tragjedisë së madhe, në këto momente të vështira për tu vlerësuar është solidariteti i vendeve të tjera dhe veçanërisht Kosova.
Kosova ishte vendi i parë që u gjend pranë duke dërguar forcat e ushtrisë dhe ndihma të tjera. Ndërkohë, historia është përsitur pas 20 vitesh për policin Hasan Mulaj. Efektivi ka mbërritur në Shqipëri për të dhënë kontributin e tij në operacionet e shpëtimit të jetëve në Thumanë dhe Durrës, dy zonat më të prekura nga tërmeti.
Vetë efektivi ka publikuar një foto të bashkuar në profilin e tij në rrjetet sociale. Në të anën e majtë të fotos shikohet efektivi në qytetin e Kukësit, i cili ndodhej aty pasi kishte ardhur në këtë qytet në vitin 1999, kur ishte ende fëmijë për ti shpëtuar genocidit serb.
Ndërkohë, në anën tjetër të fotos shikohet Hasani tashmë i rritur, teksa mban të veshur uniformën e policisë së Kosovës dhe sakrifikon për të shpëtuar jetë nën rrënoja.
“I njëjti destinacion, i njëjti qëllim: Dora për ndihmë, 20 vjet më parë për ta kërkuar, 20 vjet me pas për ta kthyer. Gjithmonë mirënjohës”, shkruan ai. /abcnews.al
Sot është 107-vjetori i pavarësisë së shtetit shqiptar, por askush nuk e ka mendjen për të festuar. Tragjedia e ndodhur nga tërmeti shkatërrues i ka prekur të gjithë dhe solidarizimi për popullin shqiptar është i madh.
Të fundit që kanë reaguar në lidhje me këtë situatë të vështirë janë klubet e Interit dhe Bayer Leverkusen. Zikaltrit kanë postuar në Twitter një foto të tifogrupit Inter Club Albania me një mesazh mbështetje sipër saj.
In Albania ci sono tantissimi tifosi dell’Inter. A loro, ai loro cari e a tutto il popolo albanese vanno i nostri pensieri in questi giorni di grande difficoltà.#FCIMpic.twitter.com/IppUbgX3T7
“Në Shqipëri ka shumë tifozë të Interit, Mendimet tona janë afër atyre, njerëzve të tyre të dashur dhe gjithë popullit shqiptar në këto ditë vështirësie të mëdha“, shkruan klubi italian.
Postimi i klubit gjerman
Bayer Leverkusen ka vendosur të urojë festën e pavarësisë. Klubi i “Aspirinave” ka postuar në Facebook, një foto të flamurit shqiptar me shkrimin “Dita e Flamurit” në të. “Mendimet tona janë me ju sot, Shqipëri“, shkruan klubi gjerman në postimin e bërë. /abcnews.al
Mes viktimave të tërmetit, në Durrës e Thumanw të Krujës ka familje që janë shuar plotësisht ose kanë humbur pjesë të madhe të anëtarëve të familjes.
Në Durrës në lagjen 17, në zonën e ish-Kënetës nga goditjet e tërmetit të 26 nëntorit, nga shembja e godinës 4 katëshe, nën rrënoja humbën jetën pothuaj gjithë anëtarët e familjes Lala. Nga operacionet e kërkim shpëtimit u nxorën pa jetë Marjeta Lala me dy binjakët e saj të mitur Dionis dhe Dionisa Lala dhe djalin Emiljo Lala. Nga e njëjta familje, Ilir Lala, Griselda Lala 22 vjeç dhe Amelia Lala 8 vjeç dhe gjyshja Sadete Lala 80-vjeçare. Kanë mbijetuar 3 persona.
Kështu familja Reçi u shua tërësisht. Nën rrënojat e pallatit 7 katësh në lagjen 18 të Durrësit humbi jetën studentja 25-vjeçare e Mjeksisë Kristi Reçi, vëllai 21 vjeçar Klauz Reçi, nëna 49 vjeçe Dolora Reçi dhe babai 54 vjeçar Eduard Reçi.
Në të njëjtin pallat kanë humbur jetën, nënë e bijë, Diena Karanxha 30 vjeç dhe Esiela Karanxha 8 vjec, si dhe nëna e piktores Rozeta Meçja 59 vjeç, ndërsa 4 vite më parë kishte humbur jetën nga një atak ne zemër edhe kryefamiljari.
Dy vëllezër nga Gjilani i Kosovës, që punonin në Durrës kanë humbur jetën në lagjen 13. Isah Abazi 29 vjec dhe Shemsedin Abazi u varrosën këtë të enjte në Kosovë
Në Thumanë të Krujës goditjen më të madhe e ka marrë familja Cara që humbi 7 anëtarët e familjes. Erisa Cara 25 vjec, Hasan Cara 18 vjec, Almir Cara 29 vjeç bashkë me të fejuarën 20 vjeçare nga Korça Stela Zvergeci, Sadajana Hysa Cara 21 vjec, Fatmira Cara 53 vjec dhe Anthi Cara 72 vjec.
Po në Thumanë kanë humbur jetën nën rrënoja tre anëtarët e familjes Greku: bashkëshortët Celike e Pëllumb Greku dhe djali i tyre 26 vjeçar, Saimir Greku që u nxor i gjallë nga rrënojat e pallatit të shembur, por humbi jetën më pas në spital.
Nipi dhe gjyshja Rolejd Vata 7 vjec dhe Hajrie Vata 62 po në Thumanë si dhe babë e bijë, Drita Cakoni 15 vjeç dhe Kastriot Cakoni 58 vjec, si dhe babë e bir, Klement Çupi 34 vjeç dhe Hajredin Çupi 66 vjeç./abcnews.al
Përfundojnë operacionet e kërkim shpëtimit. Nxirren dy trupat e fundit të pajetë në Durrës duke e çuar bilancin e viktimave në 50. 24 të vdekur në Durrës, 24 në Thumanë dhe 2 në Kurbin. Prej ditës së tërmetit të fortë e deri në vijim gazetarët e Report Televizion dhe redaksisë online të Shqiptarja.com kanë ndjekur të gjitha zhvillimet e një prej fatkeqësive natyrore më të rënda që ka kaluar vendi.
Një bilanc tragjik shënoi tërmeti i fuqishëm i së martës në Shqipëri, 50 jetë të këputa në mes. Fëmijë, burra, gra, të moshuar, të rinj, familje që u shuan nga tërmeti 6.4 ballë i shkallës Rihter në orën 03:54 të mëngjesit të 26 nëntorit. Pak pas mesnate, teksa hyri data 29 nëntor, ekipet italiane të shpëtimit që i erdhën në ndihmë popullit shqiptar si shumë partnerë të tjerë të huaj, nxorën nga rrënojat dy trupat e fundit të pajetë, atë të Ilir Lalës në vilën 4 katëshe në Kënetë të Durrës, aty ku tragjedia goditi më fort me vdekjen e 8 anëtarëve të një familjeje, dhe të Xhuljeta Gjonajt në pallatin tek “2 Gjelat” po në qytetin bregdetar.
Operacioni i kërkim shpëtimit në Thumanë të Fushë-Krujës, aty ku u shembën thuajse totalisht tre pallate, përfundoi një natë më parë. Si për ironi të fatit, janë shënuar 24 viktima në Durrës dhe 24 në Thumanë, ndërsa dy të rinj humbën jetën në Kurbin, njëri duke u hedhur nga ballkoni i tmerruar nga tërmeti dhe tjetri në aksident me makinë duke shkuar në spital pas dëmtimeve nga lëkundjet. Forcat e ushtrisë shqiptare, zjarrfikëset, forcat speciale, emergjencat civile dhe grupet e shpëtimit nga vendet partnere, Italia, Franca, Turqia, Serbia, Kosova, Rumania, Kroacia, Zvicra, Greqia etj, u bënë bashkë, për të nxjerrë trupat nga rrënojat. pati duartrokitje të shumta në momentet përlotëse të nxjerrjes gjallë të banorëve, por edhe heshtje të kobshme të nxjerrjes së viktimave. Heronj që nën kushte të vështira dhe aspak të favorshme të motit të keq nuk pushuan derisa e përmbyllën misionin me nxjerrjen nga rrënojat të të gjithë trupave.
Ngjarja tragjike që përfshiu Shqipërinë ngjalli ndjenjën humane të shumë qytetarëve, vendas e të huaj, që dhuruan ushqime, vlera monetare por mbi të gjitha lutje, për të prekurit nga tërmeti. Qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Tiranë dhe në Durrës, ndërsa 27 nëntori, dita e parë pas tërmetit u shpall ditë zie. Dita e shpalljes së pavarësisë u kujtua vetëm me ngritjen e flamurit ndërsa u anuluan të gjitha aktivitetet zyrtare. Mësimi në të gjitha shkollat në Shqipëri është anuluar deri me 2 dhjetor. Të mbijetuarit po strehohen në hotele, çadra, ashtu sikundër shumë të tjerë kanë zgjedhur t’i kalojnë netët në makina pranë shtëpive të tyre të dëmtuara nga frika se kjo situatë mund të shfrytëzohet nga hajdutët. Prej ditës së tërmetit të fortë e deri në vijim gazetarët e Report Televizion dhe redaksisë online të Shqiptarja.com kanë ndjekur të gjitha zhvillimet e një prej fatkeqësive natyrore më të rënda që ka kaluar vendi.
Duartrokitje e falenderime/ Grupi italian i shpëtimit largohet nga Shqipëria: Rrëfimet e misionit për të nxjerrë trupat nën rrënoja
Kreu i grupit të zjarrfikësve italianë, Nicola Cianelli, në një rrëfim për Report Tv tregon detajet e operacionit të kërkim shpëtimit në këto tre ditë që ata u vunë në krah të shqiptarëve pas tragjedisë së tërmetit. Për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta, ai thotë se grupet italianë të shpëtimit kanë punuar me kujdes të madh për të mos dëmtuar personat që shpresonin se mund të gjenin të gjallë nën rrënoja, edhe pse fatkeqësisht e mbyllën me nxjerrjen e një të pajeti, Ilir Lalës, i cili kishte humbur edhe 7 pjesëtarë të tjerë në rrënojat e vilës 4 katëshe në zonën e ish-kënetës.
Ai thotë se Italia i ka pajisjet që ndihmojnë në këto operacione me të cilat ai është mësuar pasi Italia është prekur shumë herë nga tërmete të mëdha. E rëndësishme – thotë Cianelli – është që edhe qeveria shqiptare të shikojë një plan për të pasur pajisjet që duhen për t ëpërballuar të tilla fatkeqësi natyrore.
E quan si çdo tërmet që ka ndodhur në Itali dhe kudo ndërsa thotë se grupet e shpëtimit italianë nuk patën shumë mundësi të shihnin nëse pallatet shqiptare ishin të fortësisë që duhet apo nëse kishin probleme. Në përfundim të misionin, ekipi italian është larguar me duartrokitje ndërsa nuk kanë munguar falenderimet nga të dyja anët, një shenjë solidariteti dhe mirënjohje!
Ora 00:08
Nxirret edhe trupi i fundit i pajetë te ‘2 Gjelat’ në Durrës
Pak minuta më parë është nxjerrë nga rrënojat edhe një tjetër viktimë tek një pallat në zonën e njohur si ‘2 Gjelat’ në Durrës. Viktima është Xhuljeta Gjonaj.
Ora 00:07
Shqipëria nuk gjen paqe, tjetër goditje e fortë tërmeti
Vijon vala e goditjeve nga tërmeti. Në mesnatë Shqipëria është lëkundur nga një tërmet me magnitudë 4.8 ballë i shkalles rihter me epiqendër në Rubjekë të Durrësit.
Ora 00:02
Nxirret trupi i fundit i pajetë i familjes Lala te Këneta në Durrës
Në mesnatë është nxjerrë trupi i pajetë i Ilir Lalës nga rrënojat te vila në Kënetë, që është edhe i fundit nga anëtarët e familjes Lala që u shua nga tërmeti. Trupi i pajetë është nxjerrë nga forcat italiane. Tashmë po kërkohet vetëm tek një pallat në zonën e njohur si ‘2 Gjelat’, ku sipas informacioneve po kërkohet për një trup të pa jetë, që mund të jetë nën rrënoja.
Ora 20:37
Pronarët i hoqën kolonat e katit të parë të pallatit për të hapur verandën e kafenesë…tragjedia që mund të ishte shmangur te ‘Dy Gjelat’ në Durrës
DURRËS- Zgjerimi i një kafeneje me verandë, e cila që në fillim është kundërshtuar nga banorët, ka sjellë një tragjedi në një pallat në zonën e njohur si “Dy Gjelat” në qytetin e Durrësit.
Siç raporton gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, pronarët e këtij lokali zgjeruan biznesin e tyre me një verandë dhe për këtë hoqën kolonat, mbi të cilën mbahej një anë e pallatit. Një veprim i tillë pati pasoja të rënda. Nga lëkundja e fortë e 26 nëntorit, dy katet e para të këtij pallati u zhytën në tokë, teksa banesat në katet e tjera nuk kanë pasur asnjë problem.
Një tragjedi kjo e cila vjen nga dora e njeriut dhe jo e Zotit, e që mund të ishte shmangur. Nga rrënojat e këtij pallati është nxjerrë trupi i Nafije Rexhepit, 74-vjeç dhe të Xhuljeta Gjonajt.
Iu hoqën kolonat e katit të parë të pallatit për ta bërë kafene…tragjedia që mund të ishte shmangur te ‘Dy Gjelat’ në Durrës
Ora 19:58
Manastirliu në spitalin e Durrësit: Riorganizuam shërbimin e urgjencës, puna në orët e mbrëmjes po vijon normalisht
Pas izolomit të pjesshëm të një prej hyrjeve të urgjencës të spitalit të Durrësit, shërbimi i urgjencës është riorganizuar nga hyrja kryesore e spitalit për të funksionuar me kapacitet të plotë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu e cila po ndjek nga afër situatën në spitalin e Durrësit tha se janë marrë të gjitha masat për t’i shërbyer çdo qytetari të lënduar.
“Është rionganizuar shërbimi i urgjencës nga hyrja kryesore e spitalit. Janë marrë të gjitha masat sipas protokolleve për të pritur çdo qytetar të lënduar dhe puna po vijon normalisht”, tha Manastirliu.
Manastirliu tha se aktualisht në spitalin e Durrësit po trajtohen 22 të lënduar, ndërsa pjesa më e madhe e të lënduarve kanë lënë spitalin. Ministrja në një dalje të mëparshme së bashku me inxhinierin Agron Hysanbelliu tha se pas vlerësimit të godinës u vendos që spitali i Durrësit nuk ka dëme në strukturë dhe nuk përbën rrezik.
Që nga momenti i rënies së tërmetit të parë në spitalin e Durrësit janë trajtuar rreth 345 pacientë, të cilët kanë marrë shërbimin e nevojshëm mjekësor.
Ora 17:49
Ministria e Shëndetësisë: Mbi 2 mijë të lënduar kanë marrë shërbim në spitale
Ministria e Shëndetësisë deklaron se ka shkuar në 790 numri i të lënduarve nga tërmeti që kanë marrë trajtim në spitale, nga të cilët 700 vetëm në spitalin e Traumës dhe Durrësit.
Aktualisht janë të shtruar 62 të lënduar, gjendja e të cilëve paraqitet e stabilizuar, përveç 3 personave që janë në observim intensiv dhe një e plagosur nga tërmeti në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës.
Përpos qytetarëve që po marrin trajtim në spitale, janë kryer 886 vizita mjekësore për banorët e prekur nga tërmeti që po marrin trajtim në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura pranë zonave të prekura. Ndërsa 335 persona kanë marrë shërbimin mjekësor pranë kampeve të emergjencës në Thumanë dhe Durrës. Urgjenca kombëtare ka përballuar 4411 thirrje për ndihmë që nga momenti i rënies së tërmetit dhe ka realizuar 1106 misione me autoambulancë. Të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti janë në gatishmëri të përforcuar.
Ora 17:49
Nxirret një tjetër trup i pajetë në ‘Dy gjelat’ në Durrës
Një tjetër trup, fatkeqësisht i pajetë është nxjerrë nga rrënojat në zonën “Dy gjela” në qytetin e Durrësit. Viktima është Nafije Rexhepi, 74-vjeç.
Ora 17:08
Nxirren trupat e pajetë të nënës dhe tre fëmijëve në vilën e familjes Lala në Kënetë
Ekipet e kërkim shpëtimit kanë nxjerrë nga rrënojat në vilën 4 katëshe të shembur në zonën e Kënetës katër trupa të pajetë. Ata janë pjesëtarë të familjes Lala, disa prej të cilëve janë nxjerrë më herët të pajetë.
Viktimat janë binjakët 2-vjeçarë Dionis dhe Dionisa Lala, nënën e tyre marjeta Lala, dhe vëllain tjetër Emilio Lala. Nga rrënojat janë nxjerrë nëna me tre fëmijët e saj. Ndërkohë vijojnë kërkimet për xhaxhain e tyre Ilir Lala, i cili është i paralizuar.
Ora 15:53
Mbyllet kërkimi tek hotel ‘Mira Mare’ në Durrës, sipër rrënojave vendoset flamuri shqiptarë (VIDEO)
Pak minuta pasi u nxor trupi i pajetë i 41-vjeçarit, Sotiraq Misha, në rrënojat e hotel Mira Mares është mbyllur puna e grupeve të kërkim shpëtimit. Në maj të pirgut me rrënoja është vendosur edhe një flamur shqiptarë në shenjë solidariteti me viktimat që la pas shembja e këtij hoteli.
Ora 14:35
U nxor trupi i fundit, ndërpritet puna e kërkim-shpëtimit në rrënojat e hotel ‘Mira Mare’ (VIDEO)
Pas nxjerrjes së trupit të pajetë të një 41-vjeçari, Sotiraq Misha nga rrënojat, ekipet e kërkim shpëtimit kanë ndërprerë punën. Ashti si edhe në Thumanë, nga informacionet e marra, si dhe nga dëshmitë e banorëve, tashmë nën rrënojat e kësaj ndërtese nuk dyshohet të ketë më njerëz. Kështu puna e grupeve të shpëtimit është ndërprerë.
Ora 14:28
Nxirret i pajetë një 41-vjeçar nga rrënojat e hotel ‘Mira Mare’ në Durrës (VIDEO)
Ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin nga rrënojat e hotel Mira Mare në Durrës, trupin e një 41-vjeçari, Sotiraq Misha. Kërkimi i këtij 41-vjeçari është bërë me ngulm edhe nga pronari i objektit i cili ka thënë se viktima ka qenë brenda në momentin kur është shembur ndërtesë. Ndërkohë dyshohet se ende nën rrënoja të jenë edhe dy persona të tjerë.
Ora 12:43
Lëkundjet e fundit të tërmetit/ Dëmtohen muret e Urgjencës në Durrës (VIDEO)
Ora 11:08
Mbyllet aksioni i kërkim shpëtimit në Thumanë, përfaqësuesit e IKMT në zonë, pritet të nisë shembja e pallateve (VIDEO)
Kur Ballkani zien nga de batet për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi, kjo foto e mëposhtme flet jashtëzakonisht shumë. Një pjesëtar i grupeve të emergjencave serbe, që kanë mbërritur në Shqipëri për të ndihmuar në operacionet e shpëtim-kërkimit, bashkëpunon me një ushtar shqiptar.
Kjo foto po bën xhiron e rrjetit. Nën dixhiturën “Dhimbja nuk njeh kufij”, qytetarët shprehin mirënjohjen me solidaritetin që forcat serbe dhe jo vetëm po tregojnë ndaj pasojave tra gjike të 26 nëntorit.
Edhe pse dy shtetas, të dy kombeve historikisht në përballje me njëri-tjetrin, fotoja e mëposhtme tregon se, jashtë politikës dhe interesave të saj, njerëzit mbeten njerëz pavarësisht pasaportës që mbajnë.
Sizmologu Rexhep Koçi u ka bërë thirrje qytetarëve të mos alarmohen pasi situata e tërmeteve po qetësohet.
Në një lidhje direkte në një emision televiziv këtë mëngjes, Koçi tha se tërmetet që kanë pasuar atë të 26 nëntorit, kanë pasur magnitudë më të vogël dhe se kjo gjë është normale.
“Njerëzit janë të trembur por kjo natë kaloi relativisht e qetë. Të gjitha tërmetet që ranë gjatë natës janë me magnitudë nën 3.8. Kështu që nuk është një situatë që vjen e agravohet por vjen edhe qetësohet. Të gjitha pasgoditjet nuk do jenë uniforme herë pas here çrregullohet rregulli dhe janë impulset e tilla me magnitutë 5.3 që ishte pasditen e djeshme.
Këto janë normale për një ngjarje sizmike si ajo e para dy ditëve. Është normale. Njerëzit nuk duhet të alarmohen për këtë situatë që po kalojmë. Kjo situatë do jetë edhe disa ditë por aktiviteti sizmik do jetë në rënie.
Mendojmë se nuk do ketë goditje më të fortë sesa ajo kryesorja”.
Ka shkuar në 40 numri i personave që kanë humbur jetën nga tërmeti që tronditi Shqipërinë.
Është konfirmuar edhe viktima e 40 është një zonjë.
Pak më parë Ministria e Mbrojtjes publikoi listën me emrat e personave që vdiqën nga kjo fatkeqësi natyrore në Durrës dhe Thumanë.
Persona të vdekur 40, si më poshtë vijon:
Në Durrës, në total 16 viktima , të identifikuar si më poshtë :
Bajram Hajdarmataj, 54 vjeç, gjetur në L 13 .
Amelia Lala, 8 vjeç, gjetur në 17.
Sadik Qato, 85 vjeç, gjetur në L 13 .
Isah Abazi, 29 vjeç, banues në L.13
Esiela Karanxha, 8 vjeçe, gjetur në L 18.
Flatar Zenelaj, 64 vjeç, gjetur në L 13
Eviola Broshka, 28 vjeçe, gjetur në L 18
Kristi Reçi, 24 vjeçe, gjetur në L 18
Sehadete Lala, 79 vjeçe, gjetur në L 18
Diana Karanxha, gjetur në L 18
Eduart Reçi gjetur në L 18
Shemsedin Abazi, gjetur ne L 13
Dolora Reçi, 49 vjeçe gjetur në L .18
Klaus Reçi, vjeç 21 vjeçe, gjetur në L
Griselda Lala vjeçe 22, gjetur në 17
Roza Meçja
Krujë – 23 viktima në total, të identifikuar si më poshtë:
Mbi 550 tërmete kanë ndodhur gjatë dy ditëve të fundit pas tërmetit të fortë të mëngjesit të së martës me magnitudë mbi 6.3 ballë.
sizmiologu
Sizmologu Edmond Dushi në një intervistë për “Panorama.al”, thekson se lëkundjet do të vazhdojnë, por qetëson qytetarët e Tiranës se nuk do të kenë pasoja.
Sipas tij, kjo situatë mund të zgjasë edhe disa javë, duke marrë parasysh eksperiencat e mëparshme. Sizmologu thekson.
Edmond Dushi: Situata vazhdon të jetë e ngarkuar në aspektin sizmik. Deri më tani janë regjistruar rreth 550 pas goditje. Vazhdojnë të bien. Ka ndodhur edhe një pasgoditje e fortë pasditen e sotme me magnitudë 5.3 të shkallës rihter.
Kjo është krejt normale. Për sa kohë trendi i goditjeve vazhdon të jetë gjithnjë e më i ulët në raport me goditjen kryesore, është tregues i qartë i relaksimit në zonën tërmetore. Për mendimin nuk është për të bërë shqetësim në qytetin e Tiranës e cila është rreth 30 km në vijë ajrore.
Nuk është hera e parë që Shqipëria goditet nga tërmetet, por është hera e parë që në këto 40 vitet e fundit, që është goditje kaq e fortë. Në çdo rast pas një goditje të fortë do të përvijohet me një numër të madh pas goditjesh. Ky është një fenomen natyror që karakterizohet në këtë mënyrë.
Jo pa qëllim ne themi që nuk është shqetësuese përderisa magnituda është me trend zbritës, efekti është shumë herë më i vogël. Zona siç është Tirana nuk përbëjnë shqetësim momental, kjo përbën shqetësim në zonat e dëmtuara. Për më tepër, duhet që njerëzit atje ku ka dëmtime të konsultohen me ekspertë në terren për këtë qëllim që të jenë më të kujdesshme.
I kthehemi shprehjes, nuk vret tërmeti por vrasin ndërtimet. Edhe në këtë rast, të gjitha strukturat e dëmtuara por edhe ato që kanë dëmtime të dukshme, nuk duhet të frekuentohen nga njerëzit në zonën ku ato ndodhen.
Është e natyrshme që sa më larg zonës së goditjes, aq më të sigurt jemi. Sa më afër, aq më të pasigurt jemi.
Pjesa dërrmuese të tyre ne i kemi lokalizuar dhe ne e kemi përcaktuar zonën ku ato ndodhet. Numri i tyre do të vazhdojë të rritet në vazhdim, këtë mund ta them nga përvoja. Por, kjo nuk ka një ligjësi pasi varet nga nëntoka. Aktiviteti sizmik do të jetë për disa ditë apo për disa javë.
Qendra Sizmiologjike Europiane Mesdhetare thotë se që prej kohës kur prezantuan aplikacionin e tyre mbi tërmetet nuk kishin parë kurrë më parë një numër kaq të lartë tërmetesh të ndjerë në të njëjtin rajon. Duke e cilësuar këtë periudhë tepër të vështirë, në një reagim në Twitter qendra shpreh solidaritetin me popullin shqiptar dhe këshillon për kujdes.
“Që prej lançimit të aplikacionit LastQuake në 2014, nuk kemi dëshmuar kurrë një numër kaq të lartë të tërmeteve të ndjera në të njëjtin rajon. Kjo është një kohë shumë shqetësuese dhe e vështirë për personat e prekur nga tërmetet në Shqipëri dhe të gjitha mendimet tona shkojnë për ju. Bëni kujdes”, thuhet në postimin e EMSC.
Që prej tërmetit me magnitudë 6.4 të së martës, sizmiologët thonë se vendi është prekur nga mbi 500 pasgoditje./tvklan.al
Nënë e bijë, 30-vjeçarja Diena Meçaj Karanxha dhe vajza e saj e mitur janë në mesin e viktimave të tërmetit të fuqishëm që goditi vendin.
Diena Karanxha doli e gjallë nga rrënojat, por ndërroi jetë në spitalin e Traumës.
Ndërkohë, në mëngjes 30-vjeçarja kishte humbur vajzën e saj 8-vjeçare.Vetë gruaja, u gjet nën rrënojat e një pallati 6-katësh në Durrës, pasi qendronte aty prej orësh.
Më herët policia kishte njoftuar se “pas shkollës së “Mjeshtërisë” në rrënojat e një pallati 6-katësh, pas 14 orë përpjekjesh, forcat speciale RENEA, bënë të mundur nxjerrjen e 30-vjeçares e cila është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore, por e reja nuk arriti t’ja dalë.
Ndërkohë, familja Karanxha ka pësuar nje tragjedi të madhe, duke qenë se pak kohë me parë Diena kishte humbur bashkëshortin, ndërsa sot humbi vajzën dhe jetën e saj.
Diena Karanxha, e cila kishte pasion pikturën ishte bashkëshortja e Dorian Karanxhës, djali i piktorit Ramadan Karanxha.
Në vitin 2015 Doriani ndërroi jetë pas një ataku kardiak. Në një postim në Facebook, Diena i ka dedikuar një poezi vajzës së saj pas vdekjes parakohe të të atit.
“Nuk do të kujtosh dot të qarat e tua, por unë po,
Nuk do të rikujtosh dot netët pa pushim, por unë po,
Nuk do të kujtosh dot lodhjen, por unë po,
Nuk do të mundesh të kujtosh, përse për çdo lot të derdhur, unë të kam përkëdhelur,
që për çdo dhimbje tënden, të kam puthur,
që për çdo frikë, unë kam prekur me buzët e mia syçkat e tua, dhe kam ledhatuar lëkurën tënde.
Nuk do të kujtohesh, për ditët që ke fjetur, dhe për ato që ke qarë,
Por për gjithë jetën, do ta dish shumë mirë, se krahët dhe përqafimi im, do të jenë për ty ngushëllim e dashuri!
Unë do të jem aty, për ty, ashtu siç kam qenë, që nga momenti kur ti fillove të ekzistoje,
do të jem këtu gjithmonë, për të të pritur, deri sa zemra ime prej nëne, do të vazhdojë të rrahë!”/abcnews.al
30 orë pas tërmetit vazhdojnë kërkimet për 6 anëtarë të familjes Lala ku dyshohet se kanë mbetur nën rrënoja edhe dy fëmijë të vegjël bashkë me nënën e tyre.
Pas tërmetit, edhe pse me dëme të konsiderueshme, banesa e tyre nuk ishte shkatërruar tërësisht.
Në këto momente ekipet e shpëtimit arrinin të dëgjonin zërat e banorëve nga brenda që kërkonin ndihmë.
Gazetarja Esiona Konomi raporton për abcnews.al se pas shembjes së dytë të banesës zërat u shuan.
Për fat të mirë gjatë mbrëmjes së djeshme është nxjerrë 17 vjeçari Ramë Lala, i cili kishte ngecur në një xhep mes kolonës dhe derës që e ka mbrojtur.
Deri më tani, Sadete Lala, gjyshja 80 vjeçare ka dalë pa jetë nga rrënojat.
MOMENTI I SHEMBJES SE DYTE TE SHTEPISE SE FAMILJES LALA
Ajo jetonte në këtë banesë bashkë me një djalë beqar dhe familjet e dy djemve të tjerë që ishin në Itali. Të dy ata janë kthyer dje nga Italia.
Njëri prej djemve ka nën rrënoja gruan 30 vjeçe me tre fëmijë. Ndërkohë, djali tjetër ka nën rrënoja një vajzë, kurse vajza tjetër u nxorr dje pa jetë.
Ram Lala, vëllai i vajzës që u nxorr dje pa jetë doli dje i gjallë. Për fat të mirë, nëna e tyre shpëtoi pasi gjatë tërmetit ishte në Tiranë.
Aktualisht, në familjen Lala po kërkohen nën rrënoja një burrë, një nënë me tre fëmijë dhe motra e Ramë Lalës që doli dje i gjallë.
Ndërtesat e rrënuara përbëjnë rrezik për qytetarët, por edhe për shtëpitë private përreth për shkak se mund të ndodhë shembja nga momenti në moment.
Zjarrëfikësit italian janë në vendngjarje dhe po punojnë për shpëtimin e anëtarëve të familjes Lala.
Ndërhyrja aplikohet përmes duarve për shkak se nën rrënoja ndodhen dy fëmijë dhe është i rrezikshëm përdorimi i mjeteve të rënda.
Gjithashtu është krijuar një hapësirë e konsiderueshmë që mund të çojë drejt anëtarëve të familjes.
Grupet e shpëtimit në vend po përpiqen të heqin tavanin që ka zënë poshtë dhomën që dyshohet se është e fëmijëve. /abcnews.al
Një i ri me mbiemër Çuko dha shpirt pas një pritjeje të gjatë prej 17 orësh nën rrënoja. Ai është një nga 27 viktimat e deri tanishmë të tërmetit të fuqishëm që tronditi Shqipërinë dhe pas 17 orësh nën beton mësohet se ka nxjerrë vetëm kokën nga rrënojat.
Në foto shihet djali i “buzëqeshur” edhe pse për orë të tëra ishte i bllokuar nën rrënoja. Ai pati një komunikim me trupat e shpëtimit dhe mësohet se gjatë bisedës me ta ka kërkuar një cigare.
Trupat e shpëtimit i vunë një kokore në kokë dhe nisën punën për ta nxjerrë nga gërmadhat, mirëpo një soletë e godinës e kishte zënë përfund dhe pas 17 orësh nën beton, i riu mbylli sytë.
“Më jepni një cigare. Gjysmën e trupit nuk e ndjej fare”, mësohet se janë fjalët e fundit të të riut./abcnews.al
27 viktima dhe mbi 650 të plagosur janë konfirmuar zyrtarisht si pasojë e tërmetit që goditi vendin tonë ditëne djeshme. Edhe pse kanë kaluar shumë orë kërkimet vazhdojnë pasi nën rrënoja, ku dyshohet të ketë ende shtetas.
Sipas Minsitrisë së Mbrojtjes, 12 viktima janë regjistruar në Durrës, 14 në Thumanë dhe 1 në Lezhë.
Një kamera sigurie ka fiksuar në kryeqytet momentet e lëkundjes së fuqishme të tërmetit që goditi Shqipërinë mëngjesin e të martës.
Pamjet janë publikuar nga ish kryeministri Sali Berisha në FB.
Në postimin e tij ai shkruan se kamerat e një pallati tek Shkolla e Kuqe në Tiranë kanë regjistruar sekondat e lëkundjeve të tmerrit. /abcnews.al
Tërmeti që goditi vendin i madhësisë 6.4 ka tronditur mbarë kombin shqiptar, por jo vetëm. Pallate dhe ndërtesa u rrafshuan, ndërsa numri i viktimave vijon të rritet.
Sakaq, të shumtë kanë qenë ata që janë solidarizuar me të prekurit nga tërmeti, në zonën e Durrësit dhe Thumanës ku edhe dëmet janë më të rëndat.
Një ndër ta është edhe reperi i njohur Capital T. “Jemi shumë të prekur nga fatkeqësia që ka ndodhur në Shqipëri. U bëj apel të gjithë miqve të mi që kanë nevojë me një numër të caktum të limitum, jeni të mirëseardbur në Prishtinë me të gjitha shpenzimet të hequra, strehim dhe çdo gjë tjetër që ju duhet. Jemi me ju deri në momentin e fundit. Zoti ju ndihmoftë!”- u shpreh reperi dje në rrjetet sociale.
Ndërkohë, nuk e ka lënë me kaq, pasi ditën e sotme këngëtari është nisur nga Prishtina me një kamiion të mbushur plot me ndihma.
“RRUGES PER SHQIPERI”- shkruan reperi krahas fotove./abcnews.al
Ambasada Amerikane bën me dije se Forcat e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara nga Njësia për Mbështetjen Civile dhe Ushtarake në Kosovë kanë mbërritur dje në Shqipëri, për të mbështetur operacionet pas tërmetit.
Përemes njënjoftimi selia diplomatike thekson se Shqipëria është një vend partner, aleat dhe mik dhe Shtetet e Bashkuara.
“Forcat e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara nga Njësia për Mbështetjen Civile dhe Ushtarake në Kosovë mbërritën dje në Shqipëri, për të mbështetur operacionet ndihmuese pas tërmetit të 26 nëntorit. Shqipëria është një vend partner, aleat dhe mik dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë punën e përbashkët për të ndihmuar popullin shqiptar në këtë kohë të vështirë për të”, thuhet në njoftimin e ambasadës./abcnews.al