Lekë Imeraj*
Mbrëmjeve dëgjojmë dhe shikojmë në stacione të ndryshme televizive sukseset e reformës arsimore, shembuj dhe modele mësuesësh dhe shkollash. Shikojmë tekste të rinj për klasa dhe mosha të ndryshme. Gëzohemi. Krahas këtyre shikojmë edhe mjerimin shkollor, nxënës që braktisin shkollën, shkolla të shkatërruara, mësues dhe pedagogë të korruptuar, të dhunshëm, të paaftë. Shikojmë nxënës brutalë, të dhunshëm, që dhunojnë shokët dhe mësuesët. Dhe… ekrani i televizorit vazhdon të transmetojë skena të dhunës në parlament, në rrugë, familje, në botë. Sikur të mos mjaftojnë këto, shfaqen analistët të cilët flasin me gjuhën e terrorit dhe të dhunës kundër bllokut politik kundërshtar. Dhe… thirrje për luftë, revolucion, gjakderdhje vëlla me vëlla.
Ky është mjedisi ku rriten, mësojnë dhe edukohen fëmijët tanë. Mjedisi i populluar nga dhuna, krimi, korrupsioni, degjenerimi. Në këtë mjedis, fëmijët nuk duken, nuk ndjehen. Ata nuk janë më fëmijë, nuk ka fëmijë. Edhe nëse prindërit, kanë dashurinë dhe aftësitë e duhura për edukimin e fëmijëve të tyre, çfarë mund të bëjnë ata brënda katër mureve!?
Duket se politika, përfundimisht, ka hequr dorë nga drejtimi i shkollës dhe, veçanërisht, nga edukimi i të rinjve. Ndoshta në mënyrë të vetëdijshme, me argumentin se, psikika e fëmijëve, formohet vetvetiu, në mënyrë të pavarur. Politikës i duhet njeriu i bindur dhe jo i ditur. Sa më i paditur që është njeriu, aq më lehtë manipulohet ai. Këtë e dinë mirë politikanët.
Kudo dhe çdo ditë takojmë dhe shikojmë fëmijë me shqetësime të shumëllojshme. Aq sa, nëse nuk merren seriozisht, do të përbëjnë një problem potencial shoqëror. Do të shtohet masivisht numri i atyre që nuk e dëshërojnë punën, që humbasin aftësinë e komunikimit social, të lidhjeve sociale. Do të “prodhohet” njeriu i desocializuar, pa kulturë social-juridike i cili nuk njeh as ligj dhe as moral.
Psikologët sqarojnë se, tek njeriu i desocializuar, desocializimi i tij ka filluar që në fëmijërinë e hershme. Zhvillimi i tyre fizik dhe ai psikik janë larguar shumë nga njëri-tjetri. Kurrsesi ata nuk mund të ndërtojnë marrëdhënie normale me botën dhe mjedisin që i rrethon.
Ndërhyrja nga jashtë, tek ata, duket si e pamundur. Ata, me mospranimin e tyre, terrorizojnë mjedisin dhe kanë një “imunitet” absolut nga ndërhyrjet e jashtme. Duket sikur trekëndëshi i mësim-edukimit-familje, shkollë, mjedis ka dështuar.
Disa mundohen të argumentojnë çrregullimet e karakterit tek të rinjtë si gjenetike, të lindura. E papranueshme. E vërteta është se fëmijë të tillë, nuk janë të aftë psikikisht që sjelljet e tyre t‘i vlerësojnë dhe mendojnë si të gabuara. Zhvillimi i tyre psikik ka mbetur pas.
Përgjegjësia për këtë disfatë njerëzore nuk mund të kërkohet tek njëri apo tjetri cep i trekëndshit mësim-edukim. Eshtë një konglomerat i tërë që e bllokon zhvillimin psiqik të fëmijëve duke “prodhuar” kështu të rinj “tiranë” dhe “përbindësha”, të cilët ne i ndeshim gjithandej në jetën e përditshme.
Vetëm nëse, teoria e padagogjisë, konceptet e edukimit, metodat e mësim-edukimit, në kopësht dhe shkollë, të kombinuara këto me edukimin në familje, do të kenë si qëllim zhvillimin psikik të fëmijës, në përshtatje me moshën e tyre, do të mund të arrihet qëllimi i edukimit. Këtë koncept bazë, madje, edhe vetë ata që përgjigjen direkt për edukimin, e njohin pak. Ata, shumë më tepër, i qëndrojnë besnikë teorisë fallso se, psikika e fëmijëve, zhvillohet vetë, paralel me trupin dhe se ligësitë i mësojnë nga jashtë. Sa gabim!
Lajmet që ne shikojmë mbi kriminalitetin tek të rinjtë, janë vetëm maja e aisbergut, në krahasim me shqetësimet e pafundme psikike të tyre por, që askush nuk e vret mendjen për një gjë të tillë kaq tragjike.
Vetëm ata që punojnë direkt me të fëmijët, kopësht-shkollë i njohin kundërshtitë dhe sjelljet e tyre prej tirani aq sa duket sikur janë të pashpresë. Pjesa më e madhe nuk tregojnë respekt dhe duken sikur e kanë humbur orientimin në lidhje me vlerat dhe normat. Mbi të gjitha, një gjë e tillë vihet re tek fëmijët nga familjet e dështuara, të divorcuara, të varfëra, me shumë fëmijë, tradicionale, fanatike, fshatare etj. Një mësuese gjimnazi, duke më folur për “tiranët e bankave”, më tha: U takova me babain e një nxënësi shumë problem. Kur i tregova për mënyrën se si djali i tij i dhunonte dhe tiranizonte shokët, mësuesët dhe të tjera gjëra, u përgjigj: “Po, veç e ka baba trim”. Zotëria ishte një nga prapamalet, i rënë në qytet. Ai jo vetëm që nuk mund të integrohet vetë me jetën sociale të qytetit por, ua heq fëmijëve të vet, të gjitha mundësitë e integrimit. Psikika e fëmijëve të tij, duhet të jetë psikika e tij. Dhe pikë. Qytetet tona janë mbushur plot me të tillë.
Pas vitit 1990, ashtu si çdo gjë kombëtare, u rrënua edhe shkolla, mësim-edukimi. Filloi rebelizmi ndaj autoritetit të mësuesit. Nxënësit humbën mësuesin, mësuesi humbi nxënësit. Prindërit humbën fëmijët dhe fëmijët humbën rrugën drejtë shkollës. Mësim-edukimi kaloi në anarshizëm. Edhe sot, pas 28 vjetësh, duket sikur është riparuar shumë pak nga ky anarshizëm.
Duhet një kthesë radikale.
Si do të bëhet kjo? Kjo është çështja.
Shumë mendojnë se duhen përdorur masat shtërnguese, kushtëzimet, sanksionet. Natyrisht, jo dhuna. “Shkulja e veshit”, ndoshta edhe duhet pranuar. Mësuesi duhet të njihet për mësues, ndryshe nuk bëhet. Eshtë koha që nxënësit, edhe nëse nuk duan, duhet të detyrohen të binden se: Shkolla është shkollë, urdhri është urdhër, mësuesi është mësues! Por, cilat mund të jenë dhe duhet të jenë masat shtrënguese, kushtëzimet!? Këtë duhet ta vendosin specialistët, psikologët dhe pedagogët. Eshtë problem specialistësh dhe jo injorantësh nga studiot televizive. Boll me këta! Asgjë nuk është e pamundur. Çelësi i ndryshimit të sjelljeve të nxënësve dhe të rinjve, është tek pedagogjia e re nga e cila duhet të dalin modelet e reja didaktike.
Format shtërnguese apo kushtëzimet, nuk duhet të kenë si qëllim dhunimin dhe as diskriminimin e nxënesit. Kurrsesi, as plotpushtetshmërinë e mësuesit, mbi nxënësit. Nuk bëhet fjalë për fajtorë dhe ndëshkues, nuk bëhet fjalë për përcjelljen e fajsisë tek njëri tjetri-mësues-prind-nxënës. E vetmja mënyrë e “pjekjes” së psiqikës së fëmijëve është “saçi mbi kokë”. Qëllimi i mësim-edukimit nuk arrihet me “llomotitje bizantine”. Saçin le ta prodhojnë specialistët, pedagogë-psikologë, jo kovaçët.
*Shkrimtar dhe përkthyes