Ballina Aktualitet Intervista Leksione propagande: Një intervistë me Vasili Gatov, ish strategu i Vladimir Putinit

Leksione propagande: Një intervistë me Vasili Gatov, ish strategu i Vladimir Putinit

Qysh nga koha e Shën Agostinit e deri më sot, indoktrinimi ka mbetur njëlloj, ato që kanë ndryshuar janë platformat: Ish strategu i Vladimir Putinit shpjegon se kush është prapa Julian Assange, Wikileaks, Alt – Right dhe “fabrikës së trollëve” rusë

Një mjegullnajë e krijuar nga një konstelacion i madh burimesh, nganjëherë frut manipulimesh; një rajon midis dritës dhe errësirës, midis shkencës dhe supersticionit: është në këtë zonë errësire në kufijtë e realitetit informative që banon propaganda politike. Vasili Gatov, hulumtues rus me qëndrim në Boston dhe ish strateg mediash i Kremlinit, ia njeh skemat e artikuluara, ia parasheh qëllimet, i nxjerr natyrën në përmbajtje dhe fenomene virale, i zbulon protagonist, metoda, teknika dhe instrumenta.

Ndodhemi përballë një mjegullnaje informative, një perdeje të papenetrueshme lajmesh dhe informacionesh me tepri që nuk na lejon të dijmë se çfarë ka më tej. Është midis këtyre biteve dhe sekuencave që futet propaganda? Me çfarë mjetesh?

«Teknikat janë gjithmonë të njëjtat dhe shumë të lashta, përtej platformave të ndryshme të shpërndarjes: metodat themelore të indoktrinimit janë formuluar nga Shën Agostini në vitin 400 A.D. dhe janë kataloguar nga Lordi Arthur Ponsonby në fundin e viteve ‘20. Qysh atëhere janë zbuluar pak të të tjera: njerëz dhe objektiva nuk ndryshojnë edhe aq. Diferenca e vetme ështe se, falë dixhitales, propaganda ka sot të dispozicion më shumë instrumenta dhe e arrin çdo objektiv me kosto qesharake».

Cilët janë këto instrumenta?

«Për shembull, bot-ët. Në vitin 2009, kur isha Drejtor i Novatorizimit për RIA (Russian Information Agency) Novosti, agjencinë e shtypit më të rëndësishme të Federatës Ruse, kam bërë kërkime lidhur me publikun e mediave sociale dhe kam kuptuar se botnet-ë të ndryshëm përdoreshin nga politikanë dhe marka për të rritur numrin e ndjekësve të tyre: 45% e ndjekësve të Presidentit të atëhershëm sot Kryeministër, Dmitrij Medvedev ishte artificiale».

Një përqindje mbresëlënëse.

«Falë big data dhe përparimeve të inteligjencës artificiale, këto instrumenta sot kanë evoluar shumë. Kemi algoritme automatike në gjendje që të vendosin “like” në faqet e Facebook, të dërgojnë mesazhe me hashtagë të caktuar, të manipulojnë axhendën e mediave duke shpalosur artikuj si lexues falso, në mënyrë që t’i bëjë redaktorët të përqëndrohen mbi lajme specifike. Për më tepër operojnë në Twitter, pasi lidhur me bot-et Facebook ka një politikë më rigoroze. Kësaj i shtohen entitete artificiale me personalitet të zhvilluar, si ai i “fabrikës së trollëve” në Olgino, afër Shën Petërsburgut: nja 30 llogari të survejuara nga punonjës që krijojnë dhe shpërndajnë mesazhe. Janë të vështirë për t’u dalluar nga përdoruesit e vërtetë pikërisht pse janë të pilotuar nga qenie njerëzore dhe përdoren për të komentuar, denigruar dhe frikësuar».

Flitet shumë për këtë “fabrike trollësh”. Por si lindi? Kush është prapa saj?

«Bëhet fjalë për një krijesë të së ashtuquajturës agjenci federale shtypi Riafan.ru, që menaxhon rreth uebsajte më të vegjël me përmbajtje të ngjashme për të krijuar referime ciklike dhe ndihmuar uebsajtin qendror në pozicionim. Në pamje të parë duket një agjencia klasike mediatike, por duke i lexuar arikujt shikon se ka një mbizotërim deklarimesh me orientim antiperëndimor. Operacioni tjetër i menaxhuar nga “Agjencia”, siç e ka quajtur miku im Adrian Chen i “New York Times”, është në fakt ky shërbim famëkeq trollësh».

E si funksionon?

«Çdo ditë, të paktën 200 autorë lënë komente nëpër uebsajte dhe llogari të ndryshme sociale. Disa komandojnë një botnet të vockël, por me cilësi të lartë, që “cicëron” dhe ndaj përmbajtje të shënjestruara në Facebook; të tjerë janë të specializuar në postimin e komenteve në uebsajte të huaja si Reddit, 4Chan dhe 8Chan. Mesazhet përmbajne elozhe për Putinin, lista të “krimeve” të kryera nga Obama dhe Clinton, fyerje për Merkelin. Por është një operacion paksa qesharak, jo i menaxhuar nga Kremlini apo nga inteligjenca ruse. Prapa tyre ndodhet i ashtuquajturi “kuzhinier i Presidentit”, Yevgeny Prigozhin, një biznesmen kateringu: realizon darka shtetërore dhe furnizon me mallra ushqimore ushtrinë ruse. E ka themeluar “Agjencinë” pikërisht për t’u vlerësuar dhe për t’u bërë i domosdoshëm».

Atëhere kush është “mendja” e propagandës ruse?

«Po guxoj të them emra. I pari është Alexey Alexeyevich Gromov, ish shef i Zyrës së Shtypit të Putinit, më pas Zëvendësshef i Administratës Presidenciale. Me aparatin e tij të vogël kompetent kontrollon mediat shtetërore, axhendën e takimeve, botuesit. Domethënë, u “shpërndan” mediave opinionin e Putinit. Por, pavarësisht rolit, në realitet është një ekzekutues i thjeshtë».

Domethënë kush është truri i vërtetë?

«Një strateg është Sergei Borisovich Ivanov, një mjeshtër i vërtetë i spiunazhit sovjetik. I rritur dhe i stërvitur nga më të mirët, ka pasur role të ndryshme fillimisht në KGB dhe më pas në SVR (Služba Vnešnej Razvedki, Shërbimi i Inteligjencës Ndërkombëtare, shënimi im.) sidomos në Europën Veriore. Nën Putinin ka qenë Zëvendëskryeministër dhe Ministër Mbrojtjeje: ka diturinë, por edhe përvojën, për këtë punë. Figurë themelore në nivel të strategjisë mediatike ishte në fakt Mikhail Yuriyevich Lesin, që ka vdekur në rrethana misterioze në 2015. Ka qenë ai në vitin 1999 që ka planifikuar projektin RT ose Russia Today, një shërbim televiziv në gjuhën angleze, klon i BBC World, i ideuar për t’i dhënë drejtpërsëdrejti lajme ruse një publiku të huaj, pa kaluar nëpërmjet ndërmjetësve. Në vitin 2003, si Ministër i Informacionit të Presidentit, ka vënë Svetlana Mironyuk në krye të redaksisë së Novosti për ta bërë një mjet të fuqishëm propagande».

Në vitet në vazhdim, si është zhvilluar kanali informativ?

«Ekspansioni i Russia Today, i mbikëqyrur nga vetë Gromov, është financuar me më shumë se 3 miliard dollar në 9 vitet e fundit. në vend që të ofronte lajme kombëtare botës së jashtme, në fillim është përqëndruar mbi histori amerikane, britanike dhe europiane që synonin të nënvizonin problem kronike apo të rastësishme të demokracive perëndimore. Duke përdorur gazetarë të rinj amerikanë dhe angleze të ekstremit të majtë, ka “zbuluar” dhunën e ushtarakëve amerikane, problemet raciale dhe sociale në zonat e varfëra të Shteteve të Bashkuara, krizën e emigrantëve në Bashkimin Europian dhe ka përqeshur gjithmonë lidershipin perëndimor, nga Presidenti Obama tek Kancelarja Angela Merkel, bazuar tek mendimi i Putinit. Nga viti 2014 e këtej, domethënë nga lufta në Ukrainë, RT-ja është bërë një armë e vërtetë informative».

Midis mediave të konsideruara “partizane” është edhe Sputnik…

«Është një tjetër markë e RIA Novosti. Me deketin e vitit 2013, agjencia është ngarkuar që të promovojë interesat kombëtare, të mbështesë politikën e jashtme dhe të luftojë propagandën perëndimore negative kundër Moskës. Në shkrirje ka absorbuar The Voice of Russia (shërbimin shumëgjuhës radiofonik aktiv nga viti 1930, fillimisht si Radio Komintern, më pas si Radio Moska, shënimi im.) që në vijim është bërë Sputnik International. Jashtë vendit, Sputnik ka formuar në vijim personelin e saj: komentatorë dhe gazetarë të së djathtës ekstreme që kanë sjellë pozicionet dhe lexuesit e tyre në platformë. Ka ndodhur në Francë, ndoshta edhe në Itali».

Pjesa më e madhe e atij publiku formohet nga ndjekës të teorive komplotiste?

«Komunitetet perëndimore të prirura ndaj hipotezave të konspiracionit janë ndër më të prirurat për të besuar propagandën ruse. RT-ja nuk arrinte të kapte një public të madh, por bubrronte midis grupeve marxhinale që urrejnë mediat mainstream. Përkrahësit e komplotit jetojnë në një “superflluskë”: Asgjë nuk mund ta ndryshojë perceptimin e tyre, përdorin gjithçka. Përfshi refuzimin e natyrshëm të mediave kryesore për të trajtuar argumenta të caktuar, të damkosur ai klasikja “po mbulojnë të vërtetën”. Këta njerëz kanë një imazh pozitiv për Putinin pasi janë shumë konservatorë në fushën sociale, fetare dhe politike, prandaj e çmojnë mesazhin arkaik e udhëheqësit rus».

E ashtuquajtura kundërkulturë Alt – Right (lëvizje politike e djathtë, jo e organizuar, e lindur në Shtetet e Bashkuara) mund të jetë e influencuar nga Moska?

«Më shumë sesa për influencë, unë do të flisja për simbiozë. Amerikania Alt – Right është një diçka jashtëzakonisht antiliberale, domethënë homogjene për propagandën e Putinit që për nga përkufizimi është konservatore. Uebsajtet Alt – Right huazojnë disa përmbajtje nga RT-ja dhe Sputnik-u, pastaj i botojnë me shumë komente tek Breitbart dhe Infowars. Nuk kam arësye të besoj se ekziston ndonjë bashkëpunim ndërkombëtar” është një fluks normal i lirë informacioni».

Lidhur me këtë, dikush besoj se edhe prapa Wikileaks fshihet dora ruse…

«Dyshoj. Është e vërtetë se Julian Assange ka qenë mysafir i Russia Today në periudhën 2012 – 2013 dhe ka akoma sot raporte të ngushta me Margarita Simonyan, shefe e RT-së, por nuk besoj se bëhet fjalë për një operacion inteligjence. Preferoj të mendoj se e respekton Putinin prej pozicionit të tij antiamerikan, pasi Julian i urren vërtet Shtetet e Bashkuara. Dhe mediat: kur sulmojnë Putinin, ai e mbron. Për shembull, në rastin e botimit të dokumentave të Democratic National Committee, spiunazhi rus mund t’i ketë dhënë materialin Wikileaks, por mendoj se e konsideron Assange një “idiot të dobishëm”, jo një aleat».

Përsa u përket zgjedhjeve amerikane, a ka luajtur propaganda ruse vërtet një rol përcaktues, siç e pohojnë shumë liberal amerikanë?

«Sipas meje, jo. Nëpërmjet RT-së, Sputnik-ut dhe uebsajteve të tjera në gjuhën angleze, sigurisht që Moska ka marrë pjesë në një sulm alt – right në Amerikë, pork jo influencë nuk ka qenë as vendimtare, as vërtet domethënëse. Hakerimi i emailit të John Podesta, shefit të fushatës elektorale të Hillary Clinton, dhe nxjerrja pasuese e emailave ludhur me Wikileaks kanë qenë ndoshta një operacion rus, por ato që e kanë amplifikuar lajmin kanë qenë mediat kombëtare amerikane, të asistuar nga rrjeti alt – right në platformat sociale».

Hakerime, zgjedhje: Vënia e fajit gjithmonë Rusisë është bërë pothuajse modë. A ekziston edhe një “propagandë ndaj propagandës ruse”?

«Po dhe e gjejmë tek “Washington Post”, tek “Politico”, tek “New York Times” dhe në çdo sekondë tek CNN-i: gazetarë dhe aktivistë liberalë janë goditur aq shumë nga zgjedhja e votuesve, sa që e kanë gjetur natyrale të fajësojnë një influencë të huaj. Pastaj, inteligjenca e Shteteve të Bashkuara e ka mbështetur teorinë».

Duke parë instrumenta dhe mjete, si të mbrohesh nga propaganda e ndryshme?

«Çdo propagandë nuk duron dot dy armë të thjeshta, port ë fuqishme, që çdo njeri duhet t’i ketë gjithmonë afër: mendimin kritik dhe venefitin e dyshimit. Përpara se të pranojë një opinion, duhet ta dyshohë. Është shumë e thjeshtë të besosh në një konspiracion: në realitet shumë ngjarje mund të kenë koinçidenca, por asnjë lidhje reale».

(Vasili Gatov është ekspert i mediave ruse që jeton dhe punon në Boston. I lindur 49 vite më parë në Moskë, ka një përvojë të gjatë në mjetet e informacionit të Federatës Ruse (RenTV, Media3 dhe RIA Novosti) dhe në nivel ndërkombëtar. Sot punon për një libër që mund të titullohet “Life, censored”, lidhur me rilindjen e censurës në ish Bashkimin Sovjetik. Është edhe Profesor i Ftuar në Annenberg Center on Communication, Leadership & Policy të University of Southern California)

Përgatiti:

ARMIN TIRANA / Bota.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews