Ballina Diaspora Billy nga Gostivari pushton gastronominë në kryeqytetin e Zvicrës (VIDEO)

Billy nga Gostivari pushton gastronominë në kryeqytetin e Zvicrës (VIDEO)

„Tashmë një kohë të gjatë jemi duke vizituar restorantin `Bella Vita` në Bernë dhe secilën herë na duket se jemi në pushim. Për ne ka domethënie të madhe pasi atje çlodhemi nga sfidat e përditshme. Asnjëherë deri më tani nuk ka pasur ankesa as sa i përket sjelljes së personelit e as pritjes së porosisë. Ka raste kur restoranti është i stërmbushur, psh kur luan SCB Bern ndonjë ndeshje në hokej dhe kur të duket se situata nuk mund të kontrollohet, por stafi i restorantit është aq i shkathët sa që të gjitha shërbimet i kryen me kohë.

Sa i përket shefit `Billy` nuk njoh ndonjë shef tjetër, i cili personalisht është i angazhuar aq shumë në të gjitha sferat e restorantit, duke filluar nga higjiena e deri te menaxhimi i restorantit. Edhe në kohët më të vështira, ai është i aftë të ruajë gjakftohësinë dhe të përkujdeset për akomodimin sa më të denjë të mysafirit. Përfundimi i gjithë kësaj: Billy dhe stafi, vazhdoni kështu sepse gjithnjë po na përgatisni kënaqësi“.

Kështu shprehet një mysafir i restorant-picerisë „Della Vita“ në kryeqytetin helvetik të Bernës, të cilin e menaxhon shqiptari nga Maqedonia, Ilknur Arifi, alias Billy. „Bella Vita“ është më tepër se një piceri, një restorant i bukur dhe i sofistikuar në një stil joshës italian, me një ambient tipik mesdhetar për tu çlodhur e relaksuar, shkruan Shtegu.com. Në shumicën e top listave gastronomike, „Bella Vita“ vlerësohet si një ndër dhjetë resorantet më të mirë të kryeqytetit.

Familja e Billyt në Bernë është që nga viti 1987, ndërsa praktikën ai e filloi në hotelin „Bern“ me katër yje. Pas kësaj, filloi me punë si kamarier nëpër restorante të ndryshëm, kryesisht me specialitete italiane. Pas një pune të suksesshme në këtë drejtim, Billy arriti të bëhet shef servisi, bile edhe në funksionin zëvendësdrejtor.

Puna e zellshme e tij rezultoi me hapjen e restorantit të tij të parë „Abruzzese“ që e menaxhoi me shumë sukses për pesë vite me radhë. Rrethanat dashtën që ai të ndahet nga ky restorant dhe të fillojë me restorant-picerinë aktuale „Bella Vita“ në vitin 2010. Për shkak të vendit strategjik ku ndodhet ai (në afësri të objekteve sportive më të rëndësishme në Bernë), vendparkingjeve të mjaftueshëm dhe interierit të shkëlqyeshëm, zviceranët pothuajse e vërshojnë për çdo ditë, me kërkesa të ndryshme të specialiteteve italiane.

Por, Billy nuk kënaqet me aq. Në muajin maj të këtij viti do të hapë edhe një lokal tjetër me 30 dhoma hoteli, e që do të pagëzohet si „Vacanze Romane“. Nuk do mend se Billy është një talent i rrallë në gastronomi dhe sukseset e tij të bëjnë të krenohesh me arritjen e shqiptarëve në kryeqytet. Shtegu.com/Tetova News