Ministri i Punëve të Jashmte të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov ka thënë se vendimit për dëbimin e një diplomati rus, i ka paraprirë një analizë e detajuar.
“Ky vendim vjen si reagim në funksion të interesave shtetërore, integritetit të institucioneve dhe sigurisë së shtetit”, ka theksuar Dimitrov, duke shtuar se vendimi për dëbimin është marrë për dy arsye, njëra ka të bëjë me solidarizimin për rastin Skripal, kurse arsyeja e dytë është se diplomati rus ka tentuar që të marrë informata të klasifikuara, të cilat do të ndikonin mbi sigurinë e Maqedonisë.
“Bëhet fjalë për tentim të marrjes së informatave të ndjeshme dhe të klasifikuara, të cilat janë të rëndësishme për sigurinë e Republikës së Maqedonisë”, ka thënë Dimitrov.
Ai ka shtuar se procedura për dëbimin e diplomatit rus është e bazuar mbi shumë fakte se i njëjti ka tentuar të marrë informata të klasifikuara.
Ndërkaq, presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov dëbimin e diplomatit rus e ka quajtur si hap të përshpejtuar.
“Duke e pasur parasysh se vendimi për dëbimin e diplomatëve rusë, nuk shpreh qëndrimin e përbashkët të vendeve anëtare të BE-së, por bëhet fjalë për vendime individuale të shteteve, presidenti i vendit vlerëson se vendimi i Ministrisë së Jashtme është i shpejtuar”, kanë njoftuar nga kabineti i presidentit të Maqedonisë.
Ndryshe, gjatë të hënës në mbrëmje përmes një komunikate për mediat Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se ka dëbuar një diplomat të Federatës Ruse, për shkak të rastit Skripal.
“Përdorimi i armatimit kimik të nivelit ushtarak është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe një gjë e tillë ndikon në sigurinë e vendeve”, theksohet në komunikatë,ku është nënvizuar se ky vendim është marrë në konsultim me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, në shenjë solidarizimi me Mbretërinë e Bashkuar në lidhje me “rastin Skripal” .
Pas dëbimit të diplomatit rus nga Maqedonia, ambasada ruse ka reaguar përmes rrjetit social Twitter ku është thënë se Maqedonia si shtet do të bart përgjejësi për një vendim të tillë.
“Qeveria solli vendim që ta dëbojë diplomatin rus. Përgjegjësinë e plotë nga ky provokim dhe aktin armiqësor të pa precedent në marrëdhëniet ruso-maqedonase do t’i bart pala maqedonase”, theksohet në reagimin e ambasadës ruse.
Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare në Maqedoni vlerësojnë se tanimë është e qartë se Rusia humbet ndikimin në Maqedoni dhe çdo presion mbase mund të paraqet shtytje për procesin e integrimeve.
Alajdin Demiri ish-diplomat për Radion Evropa e Lirë thotë se Rusia tani përmes propagandës se siguria e Maqedonisë është e brishtë, do të synojë të ushtrojë trysni ndaj Maqedonisë, si kundërpërgjigje ndaj dëbimit të diplomatit rus.
“Nëse i vëreni protestuesit të cilët protestojnë në Maqedoni në mbrojtje të emrit të shtetit etj, do të shihni se përdoret komplet fjalori i Rusisë, i cili është anti-NATO anti-Bashkimit Evropaian, që do të thotë se ka ndikim Rusia në këtë drejtim.
Në aspektin sigurisë, mendoj se nuk do të shkohet më larg se krijimi i propagandës, përkatësisht krijimit të bindjes së pasigurisë, të krijimit të bindjes së frikës dhe asgjë më tepër”, thotë Demiri.
Ndërkaq Denko Malevski ish-ministër i Punëve të Jashme për Radion Evropa e Lirë e vlerëson si hap shumë të rëndësishëm rreshtimin krah për krah me Britaninë e Madhe, si dhe vendet tjera të Bashkimit Evropian. Kjo sipas tij tregon se Maqedonia si shtet dëshiron të jetë pjesë e proceseve demokratike.
“Reagimi rus nuk do të jetë i fokusuar vetëm për Maqedoninë sepse ne jemi një shtet i vogël dhe në një mënyrë mund të shërbejë vetëm për thyerjen e shtizave mes forcave të mëdha të cilat janë në konfrontim”.
“Megjithatë duhet theksuar se kjo situatë e shtyn Maqedoninë të zgjidhë kontestin e emrit dhe të bëhet pjesë e aleancës, që të mos u nënshtrohet presioneve të këtillë nga një fuqi botërore”, thotë Malevski.
Ndryshe, vendimin e Maqedonisë për të dëbuar diplomatin rus e ka mbështetur edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Maqedoni, Charles Garett i cili këtë vendim në profilin e tij në Twitter e ka quajtur si “shprehje e fuqishme e solidaritetit”.
“E përshëndes vendimin e Maqedonisë si një pjesë e një veprimi të jashtëzakonshëm dhe të bashkuar nga bashkësia ndërkombëtare kundër sulmit rus me gaz nervor në tokën britanike. Shprehje e fuqishme e solidaritetit”, ka shkruar ambasadori Garrett në Twitter.