Disa ditë më parë, kryeministrja e Britanisë, Theresa May, dëboi 23 diplomatë rusë, me argumentin se janë “oficerë të padeklaruar të shërbimeve sekrete”. Me fjalë të tjera, spiunë.
Kjo mund të surprizojë këdo që mendon se tiparet kyçe të një diplomati të mirë janë një shtrëngim dore, një përgjigje dredharake dhe aftësia për të porositur një xhin tonik në disa gjuhë të ndryshme.
Po cila është vija që ndan diplomacinë zyrtare nga bota e errët e spiunazhit?
“Çdo ambasadë ka spiunët e vet”, thotë prof. Anthony Glees, drejtor i Qendrës së Studimeve për Siguri dhe Inteligjencë në Universitetin e Buckinhgam-it.
Pikërisht sepse këtë gjë e bën çdo vend, ka një “mirëkuptim në heshtje” dhe qeveritë mbyllin njërin sy në lidhje me atë që ndodh mes ambasadave.
Por ky mirëkuptim është jetëgjatë deri në momentin që ndodh diçka e paligjshme.
“Kjo është arsyeja pse helmimi i ish-spiunit Sergei Skripal dhe vajzës së tij është bërë kaq problem”, thotë profesor Glees. Sigurisht, jo i gjithë stafi i një ambasade mund të jetë i mirë.
Diplomatët profesionistë mbledhin informacion duke përdorur metoda tërësisht të ligjshme që përcaktohen në Konventën e Vjenës, në vitin 1961. Puna e tyre përqendrohet në 3 fusha kryesore, që sipas qeverisë britanike renditen kështu:
Politikë – monitorojnë zhvillimet në vendin ku ndodhet ambasada dhe përfaqësojnë Britaninë në qeveri dhe në media
Tregti – ndihmojnë kompanitë britanike për tregtinë në vendet e tjera dhe promovojnë investimet britanike
Konsullatë – ndihmojnë qytetarët britanikë në vendet e tjera dhe punojnë me aplikimet për viza
“Këta janë diplomatët “e mirë”. Por disa të tjerë, edhe pse listohen si diplomatë, në të vërtetë janë oficerë të shërbimeve sekrete. Çdo vend ka të tillë. Këta oficerë janë përgjegjës për mbledhjen në mënyrë sekrete të informacioneve. Ata e bëjnë këtë punë për tri arsye: paguhen për ta bërë, shantazhohen apo e bëjnë për arsye ideologjike”, shpjegon profesor Glees. Oficerët në ambasada janë përgjegjës për drejtimin e agjentëve. Ata vetë nuk “bëhen pis”.
Kjo na rikthen te dëbimi i diplomatëve rusë nga Britania dhe rreth 25 vende të tjera të botës. Theresa May e bëri të qartë se ishte e sigurt se ata që u dëbuan nga vendi i saj kanë qenë spiunë. Kjo është ajo që dëmton Rusinë.
“A jemi më të sigurt në Britani pas largimit të tyre? Padyshim që po. Kjo është një goditje për shërbimet sekrete ruse. Por duhet të ketë agjentë të tjerë në pritje që të vijë dikush dhe t’i udhëheqë”, shpjegon profesori.
BBC – Përgatiti: Gazmira Sokoli