Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” udhëtuam drejt Shkupit, drejt një shtëpie që veç e tillë s’mund të quhet. E improvizuar me dërrasa, kartonë e plastmasë, ajo shërben si strehë për nënë e bijë.
Barraka mund të shembet nga momenti në moment, dhe nënë e bijë që jetojnë atyre, u duket sikur orët i ka të numëruara. Historia e Shkupit që u bë virale në rrjetet sociale sapo u publikua në TV21 të Shkupit, kësaj here vjen në emisionin e “News24”.
Është historia që tronditi gjithë shqiptarët atje, të cilët vërshuan me mesazhe në faqen e “Facebook” të “Shqiptarët për Shqiptarët”, dhe të Elvis Naçit për t’i ardhur në ndihmë familjes.
Adriana 38 vjeç, rrëfen dramën e jetës së saj, një dramë që ka nisur që kur ishte 7 vjeç, e kur e ëma e la jetime. Vitet që do të vinin më pas do t’i sillnin asaj veç vuajtje e mjerim.
“Këtu jam rritur, nëna më la kur isha 7 vjeç, vdiq nga zemra. Babai u martua, jetova me njerkën e cila ndërroi jetë edhe ajo. Ma la vëllain 7 vjeç dhe motrën 3 vjeç me sindromën Down. I rrita me babin të dy. Me vdes edhe babi më la motrën dhe vëllain. Isha vetëm 23 vjeç kur më ndodhën këto. Jam bërë nënë dhe babë për të vegjlit.
Në vitin 2004 u martova linda një vajzë, sot është 11 vjeç. U ndava me burrin. Kushtet i kam shumë të vështira, natën nuk fle, vajza ka frikë, jeton e stresuar. Dua t’i plotësoj dëshirat por nuk mundem dot, nuk kam fuqi. Veten e lë pa bukë për t’i plotësuar asaj nevojat që ka. Na ka ndodhur që për tre ditë rresht nuk kam futur bukë në gojë, për t’ia dhënë vajzës. Ia kam dhënë pjesën time. Nuk e di si është dashuria prej prindërve, nuk kam ndier kurrë ngrohtësi”, rrëfen mes lotëve dhe ngashërimit Adriana.
“Babi më vdiq në duart e mia, amaneti i tij i fundit ishte mos i lërë vetëm fëmijët. E çova në fund amanetin e babit tim”, thotë ajo.