Nga James D. J. Brown
Qeveria japoneze është angazhuar në një akt balancimi delikat kur vjen puna me Rusinë. Edhe pse kriza në marrëdhëniet Lindje-Perëndim është intensifikuar që nga 2014, Japonia ka forcuar lidhjet politike dhe ekonomike me fqinjin e saj verior. Ajo e ka justifikuar këtë politikë si të domosdoshme për të siguruar një përparim në mosmarrëveshjen e gjatë territoriale të Japonisë mbi Kurilet Jugore / Territoret Veriore. Megjithatë, meqë tensionet gjeopolitike arritën nivelet e Luftës së Ftohtë, Japonia është nën presion në rritje që të vendoset në përputhje me partnerët e saj perëndimorë.
Në mesin e anëtarëve të G7, Japonia ka qenë një përjashtim rreth Rusisë për disa vite. Treguesi i parë i kësaj ishte në shkurt të vitit 2014, kur kryeministri Shinzo Abe mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Olimpiadës Dimërore në Soçi, një ngjarje e bojkotuar nga udhëheqësit më të mëdhenj perëndimorë. Pasi Rusia aneksoi Krimenë muajin e ardhshëm, Japonia vendosi disa sanksione, ndonëse këto ishin të dizajnuara të jenë jashtëzakonisht të dobëta, duke sinjalizuar kështu miratimin hezitues të qeverisë ndaj kësaj politike. Në të vërtetë, identitetet e 23 individëve të sanksionuar nga Japonia nuk u zbuluan kurrë.
Në vend që të kontribuojë në izolimin ndërkombëtar të Rusisë, administrata e Abe ka ndjekur afrimin. Më së shumti, në maj të vitit 2016, në kundërshtim me këshillën e atëhershme të Presidentit amerikan Barack Obama, Abe u kthye në Soçi për t’u takuar me Presidentin Vladimir Putin. Atje, kreu japonez njoftoi një “qasje të re” për marrëdhëniet dypalëshe, duke shfaqur një angazhim për dialog të nivelit të lartë politik dhe shkëmbim të zgjerimit ekonomik, duke përfshirë një plan bashkëpunimi tetë-pikësh. Më pas, kreu japonez krijoi pozitën e ministrit për bashkëpunim ekonomik me Rusinë, i vetmi portofol i qeverisë që në mënyrë eksplicite përfshin një vend të huaj.
Qëllimi i këtij angazhimi është vendosja e bazës për një zgjidhje ndaj mosmarrëveshjes territoriale të vendeve, që ka ndërlikuar marrëdhëniet që nga momenti kur ishujt e kontestuar u pushtuan nga Bashkimi Sovjetik më 1945. Pozita zyrtare e Japonisë mbetet kërkesa për kthimin e të katër ishujve, megjithatë Abe, i cili e pranon se kjo është e pamundur për momentin, është përqendruar në një qëllim të përkohshëm më të arritshëm.
Qëllimi i Abe është arritja e marrëveshjes për kryerjen e aktiviteteve të përbashkëta ekonomike në territorin e kontestuar nën një kuadër të posaçëm ligjor që nuk dëmton pretendimet e sovranitetit të të dyja palëve. Kjo do të lejonte një prani të konsiderueshme japoneze për t’u kthyer në ishuj për herë të parë në dekada. Ajo gjithashtu do të përfaqësonte një arritje të politikës së jashtme që mund të përcaktojë një trashëgimi që mund të shënohet nga një vizitë historike në ishujt nga kryeministri japonez. Përveç kësaj, Abe shpreson që një ringjallje e ndikimit japonez në territor mund të jetë vetëm hapi i parë drejt kthimit eventual të tij.
Marrëveshja tashmë është arritur në pesë projekte prioritare dhe dy vizita të përbashkëta janë kryer në vitin 2017. Problemi i mbetur është çështja ligjore, pasi Moska heziton të lejojë subjektet japoneze të operojnë në ishujt jashtë kuadrit të ligjit rus. Më 11 prill, takimi i dytë i një grupi pune dypalësh, i cili u krijua për të zgjidhur këtë çështje, përfundoi pa progres të dukshëm.
Pavarësisht nga kjo pengesë, Abe mbetet optimist që një progres i madh mund të arrihet gjatë vizitës së tij të pritshme në Rusi në fund të majit. Ky udhëtim pritet të përfshijë pjesëmarrjen në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburg më 25 maj, pas mbrëmjes me pjesëmarrjen pranë Putinit në festimin formal të Vitit të Japoni-Rusi në Teatrin Bolshoi të Moskës. Duke demonstruar afërsinë më të madhe të lidhjeve ekonomike dhe politike, kjo vizitë synon kulminacionin e “qasjes së re” të Abe-s.
Rasti Skripal, Siria dhe kriza intensifikuese midis Perëndimit dhe Rusisë
Planet e përcaktuara me kujdes të Abe janë trazuar nga dy ngjarje të fundit. I pari ishte sulmi me agjent nervor ndaj agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal dhe bijës së tij në Mbretërinë e Bashkuar më 4 mars. E dyta ishte përdorimi i supozuar i armëve kimike nga ushtria siriane më 7 prill në Ghoutën Lindore. Çdo incident ka thelluar ndjenjën e krizës midis Perëndimit dhe Rusisë, duke e vendosur Japoninë në një pozicion gjithnjë e më të vështirë.
Pas helmimit të Skripal, qeveria britanike me shpejtësi vendosi fajtorin, duke deklaruar se vetëm Rusia ka “mjetet teknike, përvojën operacionale dhe motivin” për të kryer një sulm të tillë. Vendet perëndimore mbështetën këtë vlerësim dhe 28 shtete u bashkuan me Mbretërinë e Bashkuar për të dëbuar diplomatët rusë në shenjë hakmarrjeje; përshirë këtu edhe qeverinë miqësore ndaj Rusisë të Viktor Orban të Hungarisë.
Përgjigjja perëndimore ndaj sulmit sirian me armë kimike ishte edhe më e theksuar, me Shtetet e Bashkuara, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar që filluan sulmet me raketa më 13 prill. Udhëheqësit perëndimorë gjithashtu e bënë të qartë se ata e konsideronin Rusinë përgjegjëse për dështimin në parandalimin e aleatit sirian nga përdorimi i armëve kimike. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në veçanti, e dënoi Rusinë si “bashkëpunëtore me një kafshë që vret me gazë”.
Në të dyja rastet, Japonia u përpoq të distancohej nga partnerët e saj perëndimorë nga frika e antagonizmit të Rusisë. Brenda G7, Japonia ishte vendi i vetëm që nuk i dëboi diplomatët rusë pas sulmit ndaj Skripal. Për më tepër, pavarësisht se i ishte siguruar e njëjta inteligjencë si shtetet evropiane, administrata e Abe refuzoi të akuzonte Rusinë për përfshirje. Për Sirinë gjithashtu, Japonia kërkoi të shmangte në mënyrë eksplicite mbështetjen e veprimit ushtarak perëndimor, duke thënë thjesht se ajo mbështeste “zgjidhjen” e Shteteve të Bashkuara.
Qëndrimi i Japonisë fitoi lavdërimin e ambasadës ruse në Tokio, por filloi të merrte kritika të brendshme dhe ndërkombëtare. Një artikull në veçanti në Nikkei akuzoi Japoninë se dështoi për të mbështetur “mikun e tij britanik në nevojë”. Artikulli po ashtu krahasoi shpresat e Abe për një marrëveshje territoriale me Rusinë me mendimin e dëshiruar që mbizotëronte para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Në atë kohë, ndërsa Japonia po kërkonte ndihmën e Moskës në ndërmjetësimin e përfundimit të konfliktit, Bashkimi Sovjetik po përgatitej të sulmonte.
Rreshtimi me Perëndimin
Eventualisht, qeveria japoneze duket se ka pasur frikë nga kërcënimi i izolimit brenda G7. Para takimit të ministrave të jashtëm të grupit në Toronto më 22-24 prill, Japonia u vu nën presion të fortë dhe kapitulloi. Ajo pranoi një deklaratë të përbashkët mbi rastin e Skripal që mbështeti plotësisht pretendimin e Mbretërisë së Bashkuar se “ka shumë gjasa që Federata Ruse të jetë përgjegjëse për sulmin dhe se nuk ka asnjë shpjegim alternativ të besueshëm”. Japonia gjithashtu shtoi nënshkrimin e saj në një deklaratë të veçantë që mbështeste plotësisht sulmet ushtarake të SHBA, Francës dhe Britanisë në Siri, duke i përshkruar ato si “të kufizuara, proporcionale dhe të nevojshme”.
Ky ndryshim i menjëhershëm i sjelljes lë politikën e kultivuar me kujdes të Japonisë nda Rusisë, në një gjendje konfuzioni. Abe ende pritet të vizitojë Rusinë në maj dhe udhëheqja japoneze shpreson që Moska të kuptojë se Japonia ishte e detyruar të binte në përputhje me Perëndimin. Abe si optimist madje mund të besojë se izolimi në rritje i Rusisë mund të sjellë që Moska të vendosë një vëmendje më të madhe në bashkëpunimin me Japoninë, duke bërë më shumë progres në çështjen territoriale.
Realiteti, megjithatë, është se mbështetja e Japonisë për deklaratat e G7 do të ketë një ndikim negativ në marrëdhëniet dypalëshe. Ambasadori rus në Tokio deklaroi se “është me të vërtetë e trishtueshme të shihet nënshkrimi i Japonisë në këto dokumente”, të cilët ai i përshkroi si “kulmi i cinizmit”. Më gjerësisht, pala ruse do të konkludojë se Japonia ka autonomi të kufizuar kur është fjala për politikën e jashtme dhe nuk mund t’i besohet që do të veprojë në mënyrë të pavarur. Kjo e bën edhe më të pamundur që Rusia të pranojë lëshimin ndaj kërkesës së Japonisë për një kornizë të veçantë ligjore mbi ishujt e diskutueshëm, pasi kjo do të konsiderohet si lëshime ndaj një fqinj kontradiktor në një zonë të ndjeshme kufitare.
Në përgjithësi, duket e pamundur që Abe, ylli i të cilit po venitet, do të arrijë ëndrrën e tij të gjatë për një progres të madh në kontestin territorial me Rusinë. Për më tepër, ndërsa ndarjet midis Perëndimit dhe Rusisë arrijnë thellësitë e Luftës së Ftohtë, aftësia e Japonisë për të ndjekur një politikë të pavarur të afrimit me Rusinë do të kufizohet gjithnjë e më shumë./The Diplomat – Lexo.al/