Kim Jong-un do të takohet me presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in më 27 prill, në një samit historik që mund të sjellë një marrëveshje formale dhe të hapë rrugën për takimin Trump-Kim.
Tashmë është zyrtare. Lideri i Penianit, Kim Jong-un do të takohet me homologun e Koresë së Jugut, Moon Jae-in më 27 prill, hera e tretë që liderët e të dyjave vendeve janë takuar dhe e para që kur Kim mori pushtetin në vitin 2011, pas vdekjes së të atit.
Dy shtetet teknikisht mbeten në gjendje lufte, pasi traktati i paqes mes tyre nuk u firmos kurrë në fund të luftës Koreane të viteve 1950-53 dhe ky takim mund të rezultojë me një marrëveshje formale.
Po ashtu, do të fokusohet edhe në përgatitjen e terrenit që presidenti amerikan, Donald Trump të takohet me Kim në maj apo në qershor. Më poshtë renditet gjithçka duhet ditur për këtë takim historik dhe përse është i rëndësishëm për pjesën tjetër të botës.
Çfarë po ndodh?
Kim dhe Moon do të takohen në Panmunjom, një fshat në zonën e përbashkët të sigurisë në kufirin e militarizuar rëndë midis dy fqinjeve. Sytë e gjithë botës do të ndjekin samitin dhe tonaliteti i tij do të ketë një ndikim madhor në çdo takim që mund të ndodhë midis Kim dhe Trump.
Përse është i rëndësishëm?
Kjo është vetëm hera e dytë që Kim do të takojë një kryetar tjetër shteti, pas një udhëtimi të shkurtër në Kinë, muajin e kaluar. Kjo është po ashtu hera e parë në një dekadë që Koreja e Jugut drejtohet nga një qeveri liberale që dëshiron të angazhohet aktivisht në bisedime me Veriun. Në shumë mënyra, Moon ka qenë përgatitur për angazhimin me Korenë e Veriut, për pothuajse gjatë gjithë karrierës së tij.
“Samiti ndër-Korean është si një lëvizje e parë hapëse në fushën e shahut. Si do ta luani atë përcakton edhe lëvizjet e tjera të mundshme që vijnë më pas”, thotë Mintaro Oba, ish-diplomat amerikan i cili ka punuar me politikat e Koresë së Veriut. “Kështu që domethënia e samitit ndër-Korean qëndron para së gjithash në atmosferën që do të krijojë dhe pritshmëritë që do të përforcojë përpara se palët të ndërmarrin lëvizjen e radhës, që është samiti Trump-Kim”.
Cili është historiku?
Koreja e Veriut dhe e Jugut kanë qenë të ndara që prej fundit të luftës Koreane dhe përveçse një dekade që e pati fundin në vitin 2008, marrëdhëniet midis dy vendeve kanë mbetur të acarta. Ka pasur shpërthime të herëpashershme dhune, më e fundit ajo në vitin 2010, kur 50 persona u vranë kur një anije ushtarake koreano-jugore u mbyt dhe u sulmuan disa ishuj ngjitur me kufirin.
Kjo nuk është hera e parë që Koreja e Veriut ka shprehur vullnetin për të braktisur ambicjet e saj bërthamore. Një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, Japoninë dhe Korenë e Jugut në vitet 1990, duhej të shndërronte fuqinë bërthamore të Koresë së Veriut për qëllime civile, pa pasur aftësinë për të ndërtuar një armë bërthamore, por reaktori nuk përfundoi asnjëherë.
Koreja e Veriut u zotua të lehtësonte programin e saj bërthamor në vitin 2007 në këmbim të heqjes së sanksioneve dhe furnizimit me karburant, mirëpo më pas u tërhoq nga marrëveshja dhe dëboi inspektorët në vitin 2009.
Përse tani?
Kim ndjen se ai ka zhvilluar programet e tij bërthamore dhe raketore në një shkallë të mjaftueshme që mund të veprojnë si siguresë kundër çdo sulmi dhe t’i japin Koresë së Veriut fuqi domethënëse negociuese.
“Kim Jong-un po përpiqet të riparojë marrëdhëniet që vërtet janë përkeqësuar gjatë viteve të fundit, ndërkohë që ata zhvillonin armët bërthamore”, thotë Jenny Toën, asistente në Institutin SHBA-Kore në shkollën Johns Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare.
Në fjalimin e tij të Vitit të Ri, Kim shtriu një degë ulliri dhe ofroi të merrte pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore, që u mbajtën në Korenë e Jugut në shkurt. Kjo pjesëmarrje solli një seri takimesh që kulmuan me samitin e këtij muaji dhe një takim të planifikuar midis Kim dhe presidentit Trump.
Çfarë dëshirojnë dy palët?
Interesat e të dy liderëve janë gjerësisht të mbështetura. Ata dëshirojnë që ta shndërrojnë samitin në sukses dhe të dyja palët e dinë që qëllimi i vërtetë është një marrëveshje midis Shteteve të Bashkuara dhe Veriut. Seuli po ashtu, ka lënë të kuptohet se mund të përpiqet të zëvendësojë marrëveshjen aktuale të armëpushimit me një traktat formal paqeje, por se dëshiron që Veriu të dakordësohet për denuklearizimin.
“Për Moon, samiti ka vlerë për shkak se e bën më të vështirë që Shtetet e Bashkuara apo Koreja e Veriut të përshkallëzojnë tensionet dhe i jep atij një manivelë për të nxitur të dyja vendet drejt qëllimit final: një marrëveshje të zbatueshme SHBA-Kore e Veriut”, thotë Oba. “Për Kim, është një mënyrë për të rritur mundësitë e tij, duke bërë presion mbi Shtetet e Bashkuara të arrijë marrëveshje me kushtet e tij dhe të bindë botëns e ai po vepron me qëllime të mita kështu që faji për çdo kthim të mundshëm pas në të ardhmen, do të bjerë mbi Amerikën dhe jo mbi Korenë e Veriut”.
Kim me gjasa do të kërkojë edhe lehtësim nga sanksionet që aktualisht janë vendosur mbi vendin e tij.
“Koreja e Veriut do të fokusohet në riparimin e marrëdhënieve diplomatike dhe në gjetjen e mënyrave sesi mund të përmirësojë ekonominë e saj”, thotë Toën. “Moon po ashtu kërkon të rinisë bashkëpunimin ekonomik ndër-Korean”.
Cilat janë rezultatet e mundshme?
Ndërsa Koreja e Veriut ka dhënë sinjale të përsëritura se dëshiron të heqë dorë nga armët bërthamore, kushtet që kjo të ndodhë mund të jenë çmim shumë i lartë për t’u paguar nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre.
“Skenari në rastin më të keq është të mësohet përcaktimi koreano-verior për denuklearizimin, nëse është në linjë me pritshmëritë e komunitetit ndërkombëtar. “Kur ata mendojnë për denuklearizimin, ata mendojnë se do të dojë disa dekada”.
Po ashtu, koreano-veriorët varen nga pasja e marrëdhënieve të mira me Shtetet e Bashkuara dhe Peniani ka parë se si SHBA janë tërhequr nga shumë marrëveshje ndërkombëtare, kështu që nuk do të besojnë asnjë premtim të vetëm, por do të kërkojnë të ndërtojnë besimin me kalimin e kohës.
Kim është i ndërgjegjshëm për fatin e diktatorit libian, Muamar Gedafi i cili u tërhoq nga programet e veta të armatimit vetëm që forcat europiane dhe ato amerikane të bombardonin vendin gjatë trazirave kundër tij.
Mundësi të tjera të rezultateve janë ai i një takimi të lehtë në thelv, fokusuar në ndërtimin e marrëdhënieve të besimit nga palët dhe për ndonjë fotografi, në vend që të preken çështje që mund të shkaktojnë konflikt.
Lëvizja e radhës?
Ka shumë pak shans për një marrëveshje konkrete të çdo lloji në samit. Nisja e negociatave me një takim midis dy liderëve, përpara sesa të rrihen detajet, është gjithnjë e rrezikshme. Takimi me gjasa do të pasohet me muaj, në mos vite negociatash në nivele më të ulëta përpasa të nënshkruhet diçka.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/