Pas kritikave të shumta për gjendjen e keqe në pajisjen e ushtrisë, autoritetet kanë nisur një ofensivë për pajisje. Ministrja e Mbrojtjes von der Leyen planifikon të nënshkruajë 18 kontrata të reja vetëm për këtë vit.
Kontratat e parashikuara të jepen këtë vit kapin shumën prej 25 milionë euro, njoftojnë gazetat “Handelsblatt” dhe “Bild”. Burimet e këtyre gazetave thonë se 18 kontratat e parashikuara për këtë vit janë pjesë e projekteve të shumta të nisura në janar dhe shkurt, kur është paraqitur një listë e pajisjeve të domosdoshme të ushtrisë gjermane. Autoritetet e ministrisë së Mbrojtjes e kanë konfirmuar se ekzistojnë planet e këtilla, por pa dhënë detaje të tjera.
Gazeta Welt njofton se ndër projektet e parashikuara është edhe blerja e dronave izraelite HeronTP, për të cilat partitë e Unionit dhe SPD kanë rënë dakord edhe në marrëveshjen për bashkëqeverisje. Marrëveshja për nëntë vitet e ardhshme do të kushtojë 1,024 miliardë Euro. Marrëveshjet për shfrytëzimin e dronave Heron 1 në Afganistan dhe Mali do të zjgatet për periudhën deri në shkurt të vitit 2020.
Zëdhënësi i ministrisë së Mbrojtjes tha se dronat duhet të jenë të afta edhe për bartjen e armëve, por vendimi nëse vërtet do të jenë të armatosura në misionet e tyre do të merret më vonë. Marrëveshja e koalicionit nuk parasheh përdorimin e dronave të armatosura në misionet e tyre në këto vende. Lidhur me pajisjet dhe armatimet duhet të darkordohet edhe Bundestagu, pas konstatimit nëse kontratat janë në përputhje me Kushtetutën, të drejtën ndërkombëtare dhe vlerat etike. Huazimi i dronave izraelite është një nga projektet më të rëndësishme të armatimeve në ministrinë e Mbrojtjes. Marrëveshja ka dështuar në mandatin e kaluar për shkak të rezistencës së partisë socialdemokrate.
Më shumë avionë dhe helikopterrë
Bundeswehri duhet të pajiset edhe me shtatë helikopterrë dhe gjashtë avionë transportues C-130J Hercules, të cilët prodhohen në Évreux të Francës. Ministrja von der Leyen do të vazhdojë edhe marrëveshjen për përdorimin e avionëve ukrainas Antonov, në periudhën 2019 – 2021. Qëllimi është që të zvoglohen pasojat nga prishjet e mundshme të avionëve Airbus A400M.
Në listën e gjërave që do të porositen është edhe teknologjia e radarëve për Eurofighter, pajisjet detektuese, përmirësimin e tankseve Puma, helikopterrët NH90, hedhësit e raketave dhe gjëra të tjera. Janë planifikuar edhe një sasi e uniformave të reja për misionet luftarake.
Financimi i paqartë
Por financat për këto projekte ende nuk janë siguruar në tërësi. Autoritetet thonë se kjo është një listë aktuale. Ndërsa realizimi i projekteve varet nga financimi dhe ligji për buxhetin e vitit 2018./dw/