Ballina Aktualitet Lajme Një i vdekur, dy të plagosur, dy të arrestuar…Detajet nga incidenti i...

Një i vdekur, dy të plagosur, dy të arrestuar…Detajet nga incidenti i armatosur në Tetovë (VIDEO)

Sipas informatave jozyrtare, Naip Rexhepi nga Kumanova është personi i vrarë nga incidenti i sontëm në Tetovë. Policia për Portalb.mk e konfirmoi vdekjen e një personi por nuk e zbuloi identitetin e tij. Policia gjithashtu konfirmoi se ka arrestuar dy persona, njëri nga to nga Kumanova.

“Ka një person të vdekur por nuk mund ta zbulojmë identitetin e tij” tha për Portalb.mk, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të brendshme, Toni Angellovski.

“Sonte rreth orës 18.20 në rrugën 167 në Tetovë, ka ndodhur një incident në të cilin me armë zjarri janë plagosur dy persona që u dërguan në Spitalin e Tetovës. Janë arrestuar dy persona, njëri nga Kumanova për shkak të ekzistimit të dyshimit se janë të involvuar në incidentin e sontëm. Policia dhe prokuroria kryejnë ekspertizën.” tha për Portalb.mk, Marjan Josfoski, zëdhënës i SPB Tetovë.

Edhe drejtori i spitalit të Tetovës, Florim Besimi konfirmoi për Portalb.mk se nga tre personat e plagosur nga ngjarja e sontme në Reçicë të Vogël të Tetovës: njëri ka ndërruar jetë, njëri është në Spitalin e Tetovës dhe i treti është lëshuar në mjekim shtëpiak.

Sipas asaj që dihet, personat e përfshirë në incident kanë qenë në dy vetura të ndryshme, janë ndalur në rruge dhe janë përleshur mes vete me armë. Ngjarja ka ndodhur afër selisë së Bashkimit Demokratik për Integrim ndërsa kjo parti përmes një kumtese mohoi të ketë lidhje me incidentin.