Vladimir Putin ka ripohuar planet e tij për zgjerimin e influencës ruse në Ballkan. Në një takim me ambasadorët e rinj të akredituar në Moskë, presidenti rus është shprehur i gatshëm të ripërtërijë marrëdhëniet me Malin e Zi.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka shprehur sërish, ndonëse jo në mënyrë direkte, synimin për të tërhequr Malin e Zi në anën e tij dhe për ta shkëputur atë nga ndikimi Perëndimor. Sidoqoftë, kreu i Kremlinit është shprehur i vetëdijshëm se për momentin një gjë e tillë është vështirë të realizohet.
Duke folur në një ceremoni të mbajtur në pallatin presidencial, ku ambasadorët e rinj të akredituar në Moskë dorëzuan letrat kredenciale, Putin ka thënë se, situata aktuale e marrëdhënieve mes Rusisë dhe Malit të Zi nuk përputhet me miqësinë e gjatë dhe tradicionale të dy vendeve.
“Aktualisht është më se e qartë që marrëdhëniet ruso-malazeze nuk janë në rrjedhën tradicionale të miqësisë shekullore e vllazërore dhe atë të afrimitetit shpirtëror mes dy vendeve”, ka deklaruar Putin.
Duke iu drejtuar ambasadorit të dërguar nga Podgorica, Presidenti ka theksuar se Rusia është pro zhvillimit të marrëdhënieve me Malin e Zi, për përfitim dypalësh. Vitin e kaluar, Rusia u irritua me vendin e vogël ballkanas për shkak të aderimit të tij në NATO.
Të njëjtin vit, Rusia u akuzua si organizatore e një atentati në dëm të ish-Presidentit Milo Gjukanoviç që kërkonte kthimin në pushtet, duke rekrutuar një grup mercenarësh serbë, që u arrestuan nga forcat speciale vendase./abcnews.al