Kancelarja gjermane Angela Merkel viziton sot Shtëpinë e Bardhë, menjëherë pas një vizite shtetërore tre-ditore të Presidentit francez Emmanuel Macron.
Vizitat e tyre të njëpasnjëshme shihen si një përpjekje në ekip për të bindur Presidentin amerikan Donald Trump që të mos braktisë marrëveshjen bërtharmore me Iranin, si dhe për të përjashtuar përgjithnjë vendet e Bashkimit Evropian nga tarifat e çelikut dhe aluminit.
Ndërsa miqësia mes zotit Trump dhe zotit Macron u shfaq dukshëm gjatë vizitës së tij, marrëdhënia e zotit Trump me zonjën Merkel është padyshim më e ftohtë. Gjatë takimit të tyre të parë në mars 2017, u duk se zoti Trump shmangu një shtrëngim duarsh me zonjën Merkel dhe se ata nuk patën kontakt për gati pesë muaj, deri kur u zhvillua një telefonatë më 1 mars.
“Ndërsa Emmanuel Macron ka shumë më tepër sukses në magjepsjen e Presidentit Trump, Angela Merkel nuk e konsideron këtë prioritet të saj, por ajo punon më tepër bazuar në parime, vlera dhe interesa të përbashkëta”, thotë Eric Jones, drejtor i Studimeve Evropiane dhe Euroaziatike në Universitetin Johns Hopkins.
Nile Gardine, drejtor i Qendrës “Margaret Thatcher” për Lirinë, në Fondacionin Heritage, i tha Zërit të Amerikës se Merkel do të ketë një përqasje më debatuese dhe kundërshtuese ndaj administratës Trump, se sa homologu i saj francez.
“Mendoj se gjermanët ka qenë shumë më kritikë ndaj politikave të jashtme dhe ekonomike të zotit Trump, dhe mendoj se Angela Merkel mund të mbajë një linjë më të ashpër se zoti Macron për disa çështje. Por, ajo gjithashtu do të përpiqet të shpëtojë marrëveshjen bërthamore me Iranin. Do ishte interesante të mësonim nëse Merkel dhe Macron paraqitën propozime të ngjashme për të forcuar marrëveshjen bërthamore me Iranin”, thotë zoti Gardine.
Edhe Heather Conley, drejtore e programit për Evropën të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, u tha gazetarëve se vizitat e kësaj jave të dy udhëheqësve evropianë mund të quhen “udhëtimet për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore me Iranin”.
Gjatë vizitës së tij, zoti Macron i bëri thirrje të vazhdueshme Presidentit Trump dhe Kongresit të Shteteve të Bashkuara që të mos braktisin marrëveshjen e vitit 2015-të që gjashtë fuqi të mëdha, SHBA-ja, Britania, Gjermania, Franca, Rusia dhe Kina, arritën me Iranin, për uljen e ritmit të programit të tij bërthamor në shkëmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare që kanë ngadalësuar ekonominë e këtij vendi.
Presidenti Trump e ka quajtur marrëveshjen e ideuar gjatë administratës Obama, “marrëveshjen më të keqe të negociuar ndonjëherë”. Presidenti Trump mendon se Irani do të arrijë me shpejtësi kapacitete bërthamore në përfundim të marrëveshjes 10-vjeçare. Ai gjithashtu denoncon aktivitetet ushtarake iraniane në Siri, Jemen, dhe Liban.
Edhe gjatë vizitës së zotit Macron, Presidenti Trump sërish e quajti marrëveshjen “të pamend” dhe “qesharake”, por nuk dha shenja nëse do ta tërheqë SHBA-në nga marrëveshja bërthamore me Iranin.
Çështja e tregtisë trans-atlantike do të jetë një tjetër çështje e rëndësishme gjatë vizitës së zonjës Merkel.
Zëvendësdrejtori i programit për Evropën të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Jeff Rathke, thekson se kjo çështje është tepër kritike për Gjermaninë.
“Gjermania është ekonomia më e madhe e BE-së. Është një ekonomi që vihet në lëvizje nga tregtia. Do të theksoja se Bashkimi Evropian ka gjasa të kundërpërgjigjet nëse Shtetet e Bashkuara nuk e përjashtojnë nga tarifat për çelikun dhe aluminin”, thotë zoti Rathke.
Ai mendon se Gjermania ka shqetësime të ngjashme si Shtetet e Bashkuara për praktikat tregtare të Kinës dhe rolin e saj ekonomik.
“Pikëpyetja është nëse do të munden të lënë mënjanë mosmarrëveshjet për tregtinë trans-atlantike, për t’u përqëndruar në çështjet më madhore dhe afatgjata”, thotë zoti Rathke.
Çështje të tjera që pritet të diskutohen gjatë takimit dypalësh do të jetë rëndësia e aleancës së NATO-s, si dhe plani i ardhshëm i veprimit për Sirinë.
Profesori i Universitetit John Hopkins, Erik Jones, thotë se evropianët nuk kanë pritshmëri të larta se do t’i ndryshohet mendimi Presidentit Trump në përfundim të vizitës së zonjës Merkel.
“Nëse sigurojnë që SHBA-ja të vazhdojë lehtësimin e sanksioneve (ndaj Iranit), kjo do të ishte një arritje. Gjithashtu, nëse do të merrnin një angazhim zyrtar për t’u përjashtuar nga tarifat për çelikun, apo nëse përfitojnë një angazhim të fortë për një rifillim të Marrëveshjes për Tregtinë Trans-Atlantike dhe Partneritetit të Investimeve (TTIP)”, thotë zoti Jones, i cili shton se “nuk mendoj megjithatë se janë duke marrë me vete një çantë të madhe për të treguar rezultatet kur të kthehen. Mendoj se do të kenë një dosje të vogël, nga e cila shpresojnë të mbetet diçka për të treguar në përfundim të vizitës”. /VOA/