Neurokirurgët kanë përshkruar në detaje sesi Michael Jackson arriti të realizonte përkuljen biomekanikisht të pamundur në videon e këngës së tij, “Smooth Criminal”.
Në vitin 1987, Michaeli anohet në një kënd 45 gradësh, ndërkohë që mban trupin e tij të tendosur. Iluzioni, që shumëkush është munduar ta kopjojë, krijohet falë këpucëve të veçanta dhe fuqisë së artistit.
Manjul Tripathi dhe kolegë nga Instituti i Edukimit Mjekësor dhe Kërkimeve në Chandigarh të Indisë, thonë se “kërcimtarët më të trajnuar, me një fuqi të madhe të shtyllës kurrizore, mund të arrijnë maksimumi në këndin 25 deri në 30 gradë të përkuljes, ndërsa performojnë një lëvizje të tillë. Michael Jackson realizoi ndërkohë një anim 45 gradësh, që sfidon gravitetin dhe që duket e pamundur për këdo që e sheh”.
Por si e ka arritur ai këtë? Nëse një person tenton uljen e “Smooth Criminal” do të vërejë se pesha dhe tensioni zhvendoset te tendina e Akilit në secilin kyç, e jo te muskujt e pasëm të shtyllës kurrizore.
Kjo lejon vetëm një shkallë të kufizuar përkuljeje edhe për dikë që mund të ketë aftësi të njëjta atletike me Michael Jacksonin. Por, ky i fundit ka fituar edhe disa gradë ekstra falë këpucëve të tij të posaçme.
Një çarje në formë V-je në takën e secilës këpucë e lejon atë të përkulet edhe më shumë përpara. Para shpikjes së patentuar të këpucëve, Michael bazohej te një litar që e nuk e lejonte atë të binte, e pajisje të posaçme përreth belit, për të krijuar iluzionin.
Thuhet se ai e ka huazuar idenë e këpucëve nga çizmet e astronautëve amerikanë, që mund të përdoreshin prej tyre kur punonin në mungesë graviteti. Sidoqoftë, edhe me këpucët e posaçme dhe fuqinë fizike, lëvizja është tejet e vështirë, veçanërisht kthimi në pozicion vertikal, ndaj dhe ekspertët paralajmërojnë fansat e Michael Jacksonit të mos tentojnë ta realizojnë atë, pasi edhe mund të dëmtohen./TCH/