Ballina Aktualitet Lajme Bullgaria shpreson se Kosova s’do të jetë pengesë për asnjë shtet të...

Bullgaria shpreson se Kosova s’do të jetë pengesë për asnjë shtet të BE për Samitin e Sofjes

28 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për tekstin e deklaratës që do të miratohet më 17 maj në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Sofje, ka thënë ministrja bullgare e Presidencës së BE-së, Lilyana Pavlova, në Bruksel.

Pavlova po fliste pas pjesëmarrjes në konferencën e Ditës së Zgjerimit e organizuar nga Komiteti Evropian i Rajoneve.

Samiti i Ballkanit Perëndimor në maj ka qenë një pilot projekt për kryeministrin bullgar, Boiko Borisov, vendi i të cilit mban Presidencën rotative të Këshillit të BE-së në pjesën e parë të vitit 2018, por nuk ka shkuar pa probleme.

Javë më parë pati një kërcënim për bojkot nga pesë shtete që kundërshtojnë trajtimin e Kosovës si shtet të pavarur, raporton “sofiaglobe”.

Mariano Rajoy, kryeministër i Spanjës, një prej vendeve që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, do të marrë pjesë në darkën e liderëve të BE-së në Sofje mbrëmjen e 16 majit, por ende është e paqartë nëse ai do të marrë pjesë edhe në samitin një ditë më pas, sipas një raporti nga Brukseli nga televizioni publik bullgar.

“Uniteti i 28 shteteve është i rëndësishëm në këtë proces”, ka thënë Pavlova.

“Besoj se në fund uniteti do të mbizotërojë, në emër të unitetit, pavarësisht dallimeve që kemi, për shembull për njohjen e Kosovës.

Kemi më shumë qëllime që duhen arritur, kështu që shpresoj fuqishëm se do të gjejmë një opsion kompromisi, në mënyrë që të marrin pjesë të gjithë, secili në formatin e tij, natyrisht”, tha ajo, transmeton Koha.net.

Ajo theksoi se qëllimi i takimit është që të konfirmohet vullneti politik për pathyeshmërinë e procesit të zgjerimit.

Deklarata pritet të afirmojë perspektivat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Pjesëmarrësit pritet të adoptojnë deklarata të ndërlidhura me lidhjen, sigurinë dhe luftën kundër krimit të organizuar, dhe në favor të sundimit të ligjit. Bullgaria shpreson të ketë memorandume specifike në disa prej këtyre temave.

Komisioni Evropian dhe Presidenca e Këshillit të BE-së ishin në mesin e atyre që, gjatë konferencës për Ditën e Zgjerimit e organizuar nga Komiteti Evropian i Rajoneve (CoR), theksuan se suksesi i fazës së ardhshme të zgjerimit të BE-së do të varet në masë të madhe nga qytetet dhe rajonet, shkruan Koha.net.

Karl-Heinz Lambertz, president i CoR-it, tha: “Anëtarësimi në BE në të ardhmen është realitet i prekshëm për Ballkanin Perëndimor, por kërkohet përkushtim politik nga secili nivel i qeverisjes”.

“BE-ja duhet të ndihmojë themelimin e një Facilituesi për Administratë Lokale për të ndihmuar nivelet nën-nacionale të punojnë së bashku me miqtë e tyre në BE”, shtoi ai.

Pavlova prezantoi progresin mbi prioritetet e BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe tha: “Procesi i zgjerimit paraqet një investim strategjik në paqe, demokraci, prosperitet, siguri dhe stabilitet në Evropë”.

“Bullgaria njeh vlerën e lartë të shtuar e të qenit pjesë e BE-së, që ka kontribuuar në masë të madhe në zhvillimin dhe rritjen ekonomike të vendit, respektivisht në mirëqenien e qytetarëve tanë”, shtoi ajo.

“Më vjen mirë që Presidenca bullgare ka arritur një prej synimeve tona kryesore dhe se perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor tani është lart në agjendën e BE-së, sepse Ballkani Perëndimor është një rajon me potencial të lartë, ekonomitë në rajon po rriten shpejt, dhe thellimi i marrëdhënieve mes BE-së dhe vendeve në rajon është interes i dyanshëm”, tha Pavlova.