Shumë shpesh kohën e fundit dëgjojmë se vajza të mitura bëhen nëna, statistikat tregojnë se gjithnjë e më të shpeshta janë abortet nga vajza që ende nuk kanë mbushur 18 vjet dhe gjithnjë e më shpesh dëgjojmë për martesa në moshë të re.
Shtatzënia e të rejave nuk është diçka që ndodh atje diku, por problem që godet gjithë botën dhe duhet ti përkushtohet më shumë vëmendje si dhe të merren masa për parandalimin e kësaj dukurie.
Nga OKB alarmojnë se nëse nuk ndalohet rritja e shtatzënive nga të miturat, numri i nënave më të reja se 15 vjet që është tani 2 milion në vit, deri në vitin 2030 do të rritet në 3 milion.
Çdo vit në Maqedoni ka në mes 4 mijë dhe 5 mijë aborte, njofton Koha.
Gjatë dy viteve të kaluara në Klinikën për gjinekologji dhe akusheri kanë abortuar 8 vajza të mitura, ndërsa më e vogla ka qenë 15 vjeçe.
Në statistikën e Gjinekologjisë dhe akusherisë është regjistruar edhe rasti i një 13 vjeçe që është pacientja më e re. Shokuese ka qenë për gjinekologët edhe fakti që kjo ka shkuar në spital bashkë me bashkëshortin.