Pasojë e një aksidenti të tmerrshëm? Një projekt artistik? Një shaka? Policia dhe kalimtarët, mbetën të shastisur dhe të shqetësuar pasi një makinë e djegur u pa të lëkundej në pozicion vertikal nga një urë në Toronto.
Menjëherë pasi automjeti ngjyrë blu u pikas, gjatë orëve të pikut të trafikut, policia, zjarrfikësit dhe ambulancat mbërritën në vendngjarje për të vlerësuar makinën misterioze.
E lidhur me një kavo, makina luhatej mbi një fushë me bar dhe nuk përbënte rrezik për sigurinë publike. Policia fillimisht mendoi se mund të bëhej fjalë për ndonjë skenë filmi që po xhirohej, por pasi kishte biseduar me zyrtarët e qytetit, ky variant ishte përjashtuar.
Asnjë xhirim nuk ishte autorizuar dhe policia tani po heton se si ekzaktësisht makina kishte mbetur e varur në ajër. Honda Civic dukej e zhveshur nga të gjithë elementët identifikues, nuk kishte targa, disa dritare mungonin dhe pjesa e poshtme e saj, ishte hequr.
Media sociale u mbush me spekulime. Një pafundësi teorish u derdhën online për të shpjeguar se si makina kish mbetur atje duke e lidhur atë me gjithçka, që nga alienët e deri me ndonjë shaka nxënësish të klasave të fundit. Disa orë pasi skuadrat e emergjencave mbërritën në vendngjarje, zyrtarët ia dolën ta ulnin atë në tokë. Dhe policia thotë se po vazhdon të hetojë./TCH/