Italiani Pietro Spera është emëruar Avokat i Popullit i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Në një njoftim nga zyra për media e Dhomave të Specializuara, thuhet se Spera ka një përvojë pune 30-vjeçare, ligjore e gjyqësore e në veçanti për mbrojtjen e të drejtave në procedurat gjyqësore.
Spera, thuhet në komunikatë, ka punuar si gjykatës ndërkombëtar në Dhomën për Krime Lufte dhe Krimin e Organizuar të Gjykatës Shtetërore të Bosnjё e Hercegovinёs dhe gjithashtu në Afganistan, ku ka kryesuar disa projekte për fuqizimin e sundimit të ligjit në sistemin gjyqësor të Afganistanit.
Me rastin e emërimit në këtë detyrë, vetë avokati Spera ka thënë se është i gatshëm për sfidën e përmbushjes së mandatit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
“Avokati i Popullit luan një rol thelbësor në monitorimin, mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore mishëruar në Kushtetutën e Kosovës të të gjithë personave që kanë punë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Nga ana tjetër, Avokati i Popullit nuk mund të ndërhyjë në procedura gjyqësore të Dhomave të Specializuara, përveçse në rast të vonesave të paarsyeshme. Gjithashtu, Avokati i Popullit mund t’i paraqesë rekomandime kryetarit të Dhomave të Specializuara ose prokurorit të Specializuar për çështje që janë pjesë e funksioneve të tyre”, ka deklaruar Spera.
Edhe kryetarja e Dhomave të Specializuara, gjykatësja Ekaterina Trendafilova, e ka mirëpritur emërimin e zotit Spera.
“Sot është një ditë e rëndësishme për Dhomat e Specializuara. Emërimi i z. Spera si Avokat i Popullit, shënon një moment tjetër kyç për institucionin tonë.
Mandati dhe roli unik i Avokatit të Popullit e bëjnë atë garantues të të drejtave themelore të kujtdo që ka punë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke mundësuar përmbushjen e standardeve më të larta të të drejtave të njeriut”, ka thënë ajo.
Mandati i Gjykatës Speciale për krime lufte, përkufizohet kryesisht në hetimet dhe gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve, që përfshin periudhën kohore nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.
Kjo gjykatë u krijua pas ndryshimeve kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.