Gjashtë sopotasit të cilët Gjykata Penale i shpalli të pafajshëm për vendosjen e minës në fshatin Sopot, i kërkojnë shtetit dëmshpërblim prej afro 2,5 milionë eurosh. Kërkesën e dorëzuan sot avokati Vullnet Paçuku dhe të dëmtuarit nga ky rast të cilët kanë vuajtur dënimin me burg për disa vite me radhë. Dënimin me burg e vuajtën Sulejman Sulejmani, i cili tani është në moshë tejet të shtyrë, Samet Lutfiu, Hasan Klaiqi, Shaban Limani dhe Zenel Klaiqi, ndërsa njëri nga të akuzuarit, Samet Limani, nuk arriti që të pres përfundimin e procesit gjyqësor pasi ndërroi jetë.
Ministria e Drejtësisë ka kohë maksimale prej tre muajve për të vendosur mbi nivelin e pranueshëm të dëmshpërblimit, por duke marrë parasysh, por sopotasit kërkuan që kjo procedurë të kryhet sa më shpejtë që është e mundur, pasi mjaftojnë vitet që i kanë humbur pa faj, dhe tani nuk duan të humbin asnjë ditë më tepër me këtë rast.
Samet Lutfiu, ish i dënuar
“Më së pakti 200 euro ditën e kërkojmë. Edhe ato janë pak, por çfarë na kanë bërë ata neve nuk është pak. Duhet edhe më shumë. Po të na e paguajnë edhe 100 mijë euro muajin nuk mund të shpaguhen. Neve na kanë marrë në qafë. Atë shumë më së pakti e kemi kërkuar. Më pas se ajo shumë nuk pranojmë. Në qoftë se Ministria e Drejtësisë nuk na e jep shumën e kërkuar do të shkojmë deri në gjykatën e Strasburgut”
Sipas përllogaritjeve të avokatit mbrojtës dhe vetë sopotasve, një ditë e kaluar në burg duhet secilit t’i dëmshpërblehet afro 200 euro, ndërsa për çdo ditë të kaluar në burg shtëpiak, u takon gjysma e kësaj shume ose 100 euro. Nëse 2,5 milion euro ndahen në gjashtë persona, i bie që çdo sopotasi që ka vuajtur burgun ti takojnë afro 400 mijë euro, por meqë sopotasit nuk kanë kaluar kohë të njëjtë në burg, dikujt do ti takojnë më shumë e dikujt më pak. Por, për sopotasit paratë janë vetëm për t’ua zbutur gjendjen ekonomike që gjatë qëndrimit të tyre në burg është përkeqësuar, dhe formë simbolike për pafajësinë dhe asesi nuk e lanë kohën e humbur.
Sulejman Sulejmani, ish i dënuar
“Ata nuk mund të na e paguajnë kurrë. Vetëm Zoti mund të na e paguajë. Burri 75 vjeç, baba i dhjetë fëmijëve terrorizëm. Mi kanë djegur rruzat e gjakut. Duhet të punohet ende më mirë. Nëse punon drejtësia duhet të na e paguajnë. Por, edhe për shtetin nuk është lehtë tani”
Sopotasve iu hap rruga për të kërkuar dëmshpërblim pas vendimit të muajit mars me të cilin Prokuroria Speciale tërhoqi akuzën pasi nuk gjeti asnjë provë e cila i lidh këta persona me minën e cila e vrau një kontingjent polak i cili patrullonte në fshat. /SHENJA/