Instituti meteorologjik i Serbisë, ka lëshuar paralajmërim urgjent rreth ndryshimit drastik të motit, sidomos për Beogradin me rrethinë, por edhe në shumë pjesë tjera të vendit, transmeton “Zëri.info”.
Erërat e fuqishme, vetëtimat, shtrëngatat me shi dhe breshër i madh, ka përfshirë shumë pjesë të Serbisë, duke shkaktuar edhe vërshime dhe dëme të mëdha sidomos në bujqësi por edhe në objekte.
Shumë pjesë të Beogradit janë tërësisht nën ujë për shkak të shiut të madh që ka rënë dhe po bie ende.
Por sipas këtij instituti, ky është vetëm fillimi i asaj që mund të pasoj më vonë gjatë ditës së sotme, ku parashihet deri në 30 litra shi në metër katror, çka nënkupton se do të ketë vërshime të mëdha, transmeton më tutje “Zëri.info”.
Por rrezik paraqesin edhe erërat e fuqishme, të cilat mund të shkaktojnë edhe dëme në objekte, sidomos në kulme.
Në tërë territorin e Serbisë gjendet alarmi i portokalltë. Moti shumë i keq ka goditur qytetet Pançevë dhe Vershac, ku mund të shihen veturat e mbuluara tërësisht nga uji. /Zëri/