Ballina Bota Familja shqiptare nga Maqedonia dëbohet pas 25 vite qëndrimi në Gjermani

Familja shqiptare nga Maqedonia dëbohet pas 25 vite qëndrimi në Gjermani

Pas 25 vitesh në Gjermani, familja shqiptare nga Maqedonia është dëbuar nga Wolfschlugeni i Gjermanisë. Vetëm vajza më e moshuar ka mbetur e vetme, ndërsa familja do t`ia fillojë jetës në një vend të huaj nga asgjë.

Lejla 16-vjeçare ka qenë duke mësuar për të përfunduar shkollimin e mesëm. E motra e saj, Elifja 10-vjeçare pothuajse kishte shkuar në shtrat, kur rreth orës 22.30 dikush troket në derë.

Në momentin që nëna Gjilsime e hap derën, në banesën në Wolfschluehn futen pesë policë. Ata nuk folën shumë, vetëm i urdhëruan që të marrin me vete gjësendet e nevojshme dhe të shkojnë me ta.

Asaj mbrëmje, babai Isa po kthehej vonë nga puna, ndërsa dy vajzat, djali i tij Omeri dhe bashkëshortja e tij ishin futur më në veturën e policisë para banesës. Policët i thanë se ai shpejt e shpejt duhet të marrë gjësendet e nevojshme me vete dhe t`i bashkohet familjes.

Në korridor e takon të bijën e madhe, Hazbijen 23-vjeçare, e cila ishte përshëndetur me familjen dhe për të nuk ka urdhër dëbimi, pasi Maqedonia nuk e njeh si shtetase të veten. Hazbija me lot në sy rrëfen për atë ditë të kobshme në gazetën e përditshme gjermane “NTZ”, përcjell Albinfo.ch.

Për atë ditë, kur familja e saj u dëbua pas 25 vitesh qëndrimi në Gjermani.

Autoritetet gjermane janë prononcuar lidhur me dëbimin e tyre, me pretekst se nuk i kanë plotësuar disa formalitete të nevojshme administrative. Tani, familja shqiptare në Maqedoni duhet t’ia fillojë nga asgjë dhe gjithçka është e vështirë për ta, pasi as fëmijët e as prindërit nuk e zotërojnë sa duhet gjuhën maqedonase për t’u integruar në vend.

Babai Isa Bajrami, në Gjermani kishte ardhur në vitin 1993 dhe një vit më vonë e kanë shoqëruar bashkëshortja dhe i biri, Omeri. Për 25 vite me radhë, familja ka jetuar në Gjermani me statusin e të ashtuquajturit “Duldung”.

Në Wolfschlugen dhe Nürtingen, familjes Bajrami i janë shtuar shumë përkahës, bile edhe politikanë të cilët i kanë shkruar Ministrisë së Brendshme gjermane. Nga atje kanë marrë përgjigje se familja shqiptare nuk i ka plotësuar kërkesat e tyre për pasaportë, njofton më tej Albinfo.ch. Hazbija rrëfen se familja ka bërë përpjekje për t`i rregulluar pasaportat maqedonas, bile kanë qenë edhe në Konsullatin e Munihut ku iu kanë thënë se ata duhet të kthehen fillimisht në Maqedoni për të bërë kërkesat.

Hazbija vazhdon të luftojë me përkrahësit e familjes që ajo sa më parë të kthehet në ambientin e mëparshëm gjerman. Me këtë rast është hapur edhe një peticion për të grumbulluar sa më shumë nënshkrime dhe t`i dorëzohen autoriteteve përkatëse.