Vazhdojnë paralajmërimet se negociatat për çështjen e emrit janë në fazën përfundimtare, por fundi nuk duket akoma. Zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani thotë se dallimet për çështjen e emrit kanë të bëjnë më shumë me interpretimin e asaj që është shkruar sesa principet e dakorduara. Ai tha se këto orë dhe ditë janë kritike dhe plotë emocione.
Jemi në metrat e fundit të një maratoni 25 vjeçar. Nuk mund të parashikoj se cili do të jetë epilogu i këtij maratoni, por e di që jemi në hapat e fundit të tij dhe gjithmonë pjesë e fundit është ajo më kritikja e cila mund të përcaktojë suksesin ose mos-suksesin. Janë momentet më kritike kur ndonjëherë edhe racionaliteti nuk mbizotëron, kur edhe emocionet dominojnë – tha Bujar Osmani, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane.
Amabsadori i BE-së, Samuel Zhbogar u shpreh optimist, por theksoi se duhet durim që çështja të zgjidhet.
Të gjithë këtu me padurim po presim rezultatin e negociatave shumë të intensifikuara dhe bisedimet që po vazhdojnë. Mendoj se të dy palët do të mund të gjejnë zgjidhje që përveç për dy shtetet, do të jetë mirë për gjithë rajonin dhe gjithë Evropën. Por që ajo të ndodhë ne duhet të kemi durim dhe besim se do të ndodhë – u shpreh Samuel Zhbogar, Ambasador i BE-së.
Edhe SHBA-të vazhdojnë të dërgojnë porosi inkurajuesi për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar. Ndërkohë opozita në Greqi vazhdon me akuza ndaj Qeverisë greke. Nënkryetari i Demokracisë së Re, Kostis Hacidikis tha se nuk ka kuptim të bisedohet për emër të përbërë përderisa Qeveria ka pranuar gjuhën dhe identitetin maqedonas. Lideri i Partisë Qendrore Greke, Vasilis Leventis ndërkaq ka bërë thirrje që për emrin e ardhshëm të Shkupit të vendos populli grek në referendum./alsat-m