Kryeministri Haradinaj është i bindur se duke e tërhequr nga krahu prej foltorës zonjën nga Shqipëria, u tregua burrështetas. Nuk është penduar aspak e thotë se do ta kryente ndryshe nëse në vend të saj do të ishte një burrë. Përjashton mundësinë se Kadri Veseli e vuri në kurth.
Kryeministri Ramush Haradinaj është arsyetuar për incidentin e djeshëm në manifestimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, ku shefi i ekzekutivit doli dhe e tërhoqi nga krahu një zonjë që mori fjalën pa leje, shkruan Express.
“Ngjarja e djeshme është protokoll shtetëror. Në atë ngjarje e thërrasim vetën edhe shtetet tjera. Është e papranueshme një i paftuar të flasë”, ka thënë kryeministri.
“Aty kenë dy zgjidhje: Ja policia, ja une. Zot shpie kam qenë”, tha tutje Haradinaj.
Sipas kryeministrit të qenit grua, nuk e bën të falshëm veprimin e zonjës në fjalë. Ai thotë se do ta tërhiqtë këdo që futet pa protokoll në ngjarje shtetërore.
“Sa të jem në detyrë kërkush s’më hyn nëpërkëmbë në ngjarje shtetërore. A ke burrë, a ke zojë, a ke fmijë”.
E, Haradinaj, është fortë i bindur se me tërheqjen e gruas e ka dëshmuar vetën si burrështetas. E krahason marrjen e fjalës së zonjës me arrestimin e Gjuriqit.
“Na e kemi arrestu Gjuriqin atje me tregu që jemi shtet, na e kem ndalë Frashër Osekun para grusë e fmijvë, e na po e lojmë një grua qaty me na torturu një popull qaty edhe me thënë i hijshëm i pahijshëm. Pahijshëm kom me e bo”, tha Kryeministri, shkruan Express.
Ai ka përjashtuar mundësinë se kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, e ka vënë në kurth, duke ia lëshuar zonjës mikrofonin.
“Janë do virusa këtu. Ne e dimë kush e shtin. Jo nuk është e Kadrisë. Gjesti i Kadrisë ka qenë korrekt, ka shpresu që i thotë dy fjalë edhe largohet. Ajo nuk dike mu ndalë”. tha Haradinaj.
“Nëse ish kon burrë, e kisha kry edhe ma ndryshe. Qaty ku qëlloj unë nuk shkelet shteti”, përfundoi arsyetimin e tij. /Express/