Ballina Aktualitet Intervista INTERVISTË/ Adnan Ismaili për Turqinë dhe Ballkanin

INTERVISTË/ Adnan Ismaili për Turqinë dhe Ballkanin

“Jam i bindur se falë punëve që janë bërë viteve të fundit nga TIKA, edhe ne – si shqiptarë dhe, në përgjithësi, si popuj të Ballkanit – tashmë kemi arritur të komunikojmë lirshëm mes vete dhe të bashkëbisedojmë vëllazërisht për t’i zgjidhur problemet tona të përbashkëta, gjithë kjo në të mirë të së ardhmes sonë, po ashtu, të përbashkët…”

Javën që shkoi (30-31 maj 2018) në Ankara u mbajt Takimi i Dytë Ballkanik me titull “HISTORIA, KULTURA dhe IDENTITETI”, që u organizua nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Institutin për Mendim Strategjik SDA. Nga personalitetet e Maqedonisë në këtë tubim ishte i pranishëm prof. Adnan Ismaili. Kjo ishte arsyeja që kërkuam me të të realizojmë një bisedë të shkurtër për Almakos.

Intervistoi: Emad MEHMETI

Almakos: Prof. Ismaili, në çfarë cilësie ju morët pjesën këtë takim?

A. Ismaili: Ashtu si vitet e kaluara, në këtë takim isha si pedagog i Universitetit të Tetovës, por edhe si drejtues i SHB “Logos-A”. Natyrisht, si pedagog i filologjisë orientale dhe si botues unë kam krijuar mjaft miqësi dhe lidhje akademike dhe kulturore dhjetëravjeçare me shumë akademikë në Turqi dhe kjo, mbase, është arsyeja që isha i ftuar edhe në këtë tubim.

Almakos: Na thoni pak cili ishte karakteri i këtij tubimi.

A. Ismaili: Në të vërtetë, takime të këtilla janë organizuar edhe në të kaluarën, siç ka qenë takimi i famshëm ballkanik në vitin 2008, i organizuar nga organizata IHH, por edhe Takimi i Parë Ballkanik, i organizuar nga TIKA më 2016. Është kjo fryma e bashkëpunimit dhe komunikimit mes popujve të Ballkanit, që rregullisht, viteve të fundit, është nën kujdes të shtetit turk. Këtë vit, në këtë Takim të Dytë, që ishte më i madhi në 25 vitet e fundit, morën pjesë mbi 500 pjesëmarrës të vendeve të ndryshme të Ballkanit. Aty patën fjalë edhe personalitete të rëndësishme të jetës politike dhe akademike në Turqi, si prof. Ibrahim Kallën, që – përpos një filozof në përmasa botërore – është edhe Zëdhënës i Presidencës së Turqisë, që shpalosi vizionin kooperues të shtetit turk në Ballkan, ndërsa për t’u theksuar ishte edhe fjalimi i zëvendëskryeministrit, z. Hakan Çavushogllu, që gjithashtu solli mesazhin e paqes, mirëqenies dhe bashkekzistencës ballkanike.

Almakos: Sipas jush, cilat janë rezultatet e këtij takimi?

A. Ismaili: Tubimi ka qenë një veprimtari e shkëlqyeshme, sepse arriti të tubojë në një vend qindra intelektualë e mendimtarë nga gjithë Ballkani dhe sigurisht kjo ka shërbyer si përvojë e mirë për pjesëmarrësit, për ta kultivuar frymën e bashkëjetesës dhe komunikimit të ndërsjellë mes popujve të Ballkanit. Në fakt, Turqia, viteve të fundit, ka bërë hapa gjigandë për ta ndërtuar këtë botë të re në Ballkanin tonë të trazuar dhe tashmë të gjithë ne popujt e Ballkanit ia njohim këtë meritë, që për shumëçka na ka bërë ta rinjohim edhe ne veten tonë dhe të rinjihemi edhe me miqtë tanë. Për këtë sigurish i detyrohemi shtetit turk dhe drejtuesit të saj të urtë dhe vizionar, Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, që është përkthyer në punën shumëvjeçare të TIKA-s. Në këtë drejtim, shpresoj që kjo frymë e Presidentit, e përçuar edhe në TIKA, të vazhdojë të kultivohet edhe pas zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në Turqi.

Almakos: Në këtë kontekst, cili mendoni se është roli i TIKA-s në Ballkan?

A Ismaili: TIKA është institucioni i vetëm që e ka kuptuar dhe valorizuar në mënyrën më të mirë Ballkanin. Jam i bindur se falë punëve që janë bërë viteve të fundit nga TIKA, edhe ne – si shqiptarë dhe, në përgjithësi, si popuj të Ballkanit – tashmë kemi arritur të komunikojmë lirshëm mes vete dhe të bashkëbisedojmë vëllazërisht për t’i zgjidhur problemet tona të përbashkëta, gjithë kjo në të mirë të së ardhmes sonë, po ashtu, të përbashkët.
Këtu dua ta përmend rolin e personalitetit kryesor të këtij suksesi të TIKA-s. Është kryetari i Përgjithshëm i TIKA-s, Dr. Serdar Çam, i cili deri tash ka dëshmuar se ka vizion për zhvillimin e kësaj fryme në Ballkan, e veçmas në trevat tona. z. Çami, i cili është në krye të kësaj organizate qeveritare tashmë disa vite, ka dëshmuar suksese të punës së atij që nga Afrika, Evropa, e deri në Mianmar e Palestinë. Janë projekte të shumta humanitare, kulturore, shkencore, edukative e shumë trajnime, që lidhen me emrin e tij. TIKA ka pasur fatin që, përgjatë këtyre viteve, e ka drejtuar me kaq devocion vizionin integrues dhe kooperues të TIKA-s në botë.

Almakos: Në këtë kontekst, cili ishte roli i TIKA-s në organizimin e tubimit në Ankara?

A. Ismaili: E thashë më sipër se TIKA ishte organizatori i atij aktiviteti dhe mendoj se atë detyrë e ka kryer dhe po e bën me mjaft sukses. Mendoj se këtu duhet ta përmend drejtorin e Drejtorisë së TIKA-s për Evropën Lindore dhe Ballkanin, Dr. Mahmur Çelik, që është ndër më meritorët për organizimin e suksesshëm të tubimit në fjalë. Si duket, falë angazhimit të tij gjithnjë dashamirës, aty ishin të pranishëm mbi 500 personalitete të jetës akademike, politike e kulturore nga gjithë Ballkani.

Almakos: Cili është mesazhi juaj i fundit?

A. Ismaili: Unë do të doja që këto takime të vazhdojnë dhe të mbahen edhe nëpër vendet tona, sepse jam fort i bindur se bota jonë e trazuar ka nevojë për më shumë komunikim, dialog dhe bashkëpunim. Shprehur me gjuhën e prof. Kallënit, ne kemi nevojë për më shumë virtyt, që kështu ta ndërtojmë qytetërimin e virtytshëm.

@tn.lajmelokale
@tetovanews