Projekti më i madh i Qeverisë së Serbisë në territorin e Kosovës po realizohet ngadalë e në heshtje. “Lugina e Diellit” në Zveçan po vazhdon me ndërtimin, raporton KTV.
Në fund të vitit të kaluar, shumica e shtëpive ishin pa çati, pa dyer e pa dritare. Por, tashmë në to është kryer puna.
I vetmi këshilltar shqiptar në Kuvendin e Zveçanit, Lavdim Peci thotë se ky projekt i qeverisë serbe po bëhet më qëllim të largimit të shqiptarëve nga ajo pjesë.
Ai shton se duke qenë i vetmi shqiptar në Kuvendin Komunal është i pafuqishëm dhe përgjegjësinë e hedh te Qeveria e Kosovës.
Para një viti, Ministria e Mjedisit kishte urdhëruar ndalimin e punimeve e më vonë kishte paditur Komunën e Zveçanit lidhur me realizimin e këtij projekti. Por, Inspektorati i Ministrisë nuk është në dijeni të punimeve të fundit.
Në Komunën e Zveçanit, të martën, nuk kanë dhënë asnjë përgjigje lidhur me këtë projekt. Projekti “Lugina e Diellit” përfshin një sipërfaqe prej 24 hektarësh, ku parashihet vendosja e rreth 1500 serbëve.