Turqia gjendet përpara një vendimi të vështirë e të dyfishtë pasi nesër do të votohet për presidencën dhe parlamentin. Këto zgjedhje, në kombin e 81 milion njerëzve, konsiderohen historike pasi hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese duke transformuar sistemin qeverisës të Turqisë në një presidencë ekzekutive. Kjo do të thotë se zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare mbahen në të njëjtën datë në çdo pesë vite.
Presidenti aktual Recep Tayip Erdogan i cili po pretendon një tjetër mandat, gjendet përballë 5 kandidatëve të tjerë, por si kundërshtar kryesor konsiderohet Muharrem Ince, një ish-mësues fizike, i cili u propozua nga partia kryesore opozitare. Erdoğan ka shërbyer si president nga viti 2014 dhe është presidenti i parë turk i zgjedhur me votë popullore. Para kësaj, ai shërbeu si kryeministër nga viti 2003 deri në vitin 2014. Nëse do të fitojë sfidën e nesërme, ai do të bëhet udhëheqësi i parë i Turqisë nën sistemin presidencial që, ndër të tjera, largon postin e kryeministrit.
Zgjedhjet po zhvillohen 16 muaj më herët se sa janë planifikuar, në mes të një gjendjeje të gjatë emergjence dhe shenjave të një ekonomie në rënie. Më shumë se 59 milionë shtetas turq, duke përfshirë rreth 3 milionë banorë jashtë vendit, kanë të drejtë të votojnë. Një kandidat duhet të sigurojë më shumë se 50 përqind të votave për një fitore të plotë. Nëse kjo nuk arrihet, një raund i dytë do të zhvillohet më 8 korrik midis dy kandidatëve kryesorë.