Kapiteni i Shkëndijës, Armend Alimi, e ka të qartë se ai dhe bashkëlojtarët e tij duhet të japin maksimumin në ndeshjen kthyese të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve për të vazhduar tutje.
Kampioni i Maqedonisë e fitoi me rezultat 1-0 takimin e parë kundër Sheriff Tiraspolit në Filip Arena II në Shkup dhe ka një epërsi të lehtë para sfidës në Moldavi.
“Kemi ardhur këtu për të treguar vlerat tona dhe e vetmja që mendojmë është të japim maksimumin. Është mirë që hyjmë me epërsi, por asesi nuk pretendojmë se kjo është e mjaftueshme”, ka thënë Alimi.
Ai e ka përmendur sfidën e raundit të parë kur skuadra tetovare kishte fituar 5-0, por në ndeshjen e kthimit humbi 4-0 dhe ishte në rrezik.
“Secili prej futbollistëve në kokë ka të fiksuar se kjo betejë fitohet vetëm me qasje serioze, me dhënien e maksimumit në terren, koncentrim 100 për qind gjatë gjithë lojës, minimizim të gabimeve dhe shfrytëzim të rasteve para portës kundërshtare”, është shprehur kapiteni.