Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka reaguar pas deklaratës së presidentit të SHBA Dobald Trump i cili tha se “Gjermania është plotësisht e kontrolluar nga Rusia”.
Duke iu përgjigjur presidentit amerikan, Merkel tha se Gjermania bën “politikë të pavarur” dhe merr “vendime të pavarura”.
“Unë vetë e kam përjetuar kohën kur një pjesë e Gjermanisë ka qenë e pushtuar nga Bashkimi Sovjetik”, tha Merkel, e cila është rritur në Gjermaninë Lindore komuniste.
“Jam shumë e lumtur që sot jemi të bashkuar në Republikën Federale të Gjermanisë dhe mund të bëjmë politikë të pavarur dhe të marrim vendime të pavarura”, tha Merkel teksa arriti në samitin e NATO-s në Bruksel.
Ajo po ashtu mbrojti kontributin e Gjermanisë në NATO, i cili është cilësuar si i pamjaftueshëm nga Trump.
“Gjermania bën shumë për NATO-n”, tha Merkel.
“Gjermania është ofruesi i dytë më i madh i trupave; pjesa më e madhe e kapaciteteve tona ushtarake i ofrohet NATO-s dhe po ashtu kemi një angazhim të fuqishëm në Afganistan. Një gjë e tillë mbron edhe interesat e Shteteve të Bashkuara”, tha Merkel. Ajo do të takojë Trumpin pasditen e së mërkurës, konfirmoi Shtëpia e Bardhë. (TemA)