I gjithë rajoni grek i Attikas është përfshirë nga zjarri masiv në male, nga i cili kanë vdekur rreth 74 persona. Zjarri është më i ashpri që ka prekur vendin në një dekadë, ndërsa autoritetet kanë kërkuar ndihmë nga shtetet tjera.
Rreth 60 persona tashmë është konfirmuar se kanë vdekur nga zjarri që shpërtheu në malet e rajonit Attica në Greqi. Kjo konsiderohet të jetë kriza më e madhe me zjarre në vend në disa dekada. Më i prekuri në këtë rajon është fshati turistik Mati.
Ekipet e shpëtimit tashmë kanë gjetur trupat e 26 viktimave të rritur dhe fëmijë, e për të cilët është raportuar se u gjetën të karbonizuar e të përqafuar mes vete.
“Herët në mëngjes në këtë vend kemi gjetur disa viktima, në mesin e të cilëve fëmijë. Është e qartë se njiheshin ndërmjet vete, sepse u gjetën në grupe nga 3 njerëz, të cilët duket se deshën të mbronin njëri-tjetrin duke u përqafuar”, ka thënë një zjarrfikës.
Në anën tjetër, mijëra zjarrfikës janë duke luftuar me zjarrin e autoritetet kanë kërkuar ndihmë ndërkombëtare.
Megjithatë, tashmë disa shtete, sidomos fqinje të Greqisë, janë ofruar për të ndihmuar vendin.
Tashmë Italia, Gjermania, Polonia dhe Franca kanë dërguar aeroplanë për shuarjen e zjarreve, zjarrfikës dhe mjete të tjera, e Spanja dhe Qipro i kanë ofruar ndihmë vendit, por me temperaturën në rritje, të gjithë janë në garë me kohën për të qetësuar zjarrin.
Ndërkaq, patrullat bregdetare ia dolën të shpëtojnë me anije shumë njerëz, të cilët ia kishin dalë të iknin nga zjarri e të arrinin në plazhe.
Në mesin e viktimave, siç ka deklaruar Ambasada e Shqipërisë në Athinë, nuk ka shqiptarë, e ata që kishin ikur, folën për tmerrin që kishin parë.
Kryeministri grek, Alexis Tsipras, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në rajon duke thënë se të gjitha shërbimet emergjente janë mobilizuar. Shpërthimi i këtij zjarri është incidenti më i rëndë në Greqi që nga viti 2007.
Zjarret, përndryshe, janë problem i vazhdueshëm në Greqi shkaku i muajve të ngrohtë e të thatë të verës. Por, autoritetet kanë deklaruar për media se ka gjasa që këtë herë zjarri të jetë nxitur nga njerëzit që kërkojnë t’i plaçkitin shtëpitë e braktisura.
“15 zjarre kanë filluar njëkohësisht në tri fronte të ndryshme në Athinë”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë greke.
Për tragjedinë që po ndodh në Greqi, solidaritet kanë shprehur shumë politikanë nga rajoni dhe bota. Në mesin e tyre ishte edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, i cili duke shkruar në Twitter, u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave.
“Kosova i qëndron afër Qeverisë greke, dhe i ofron përkrahjen për ta kaluar këtë moment të vështirë”, shkroi Hoxhaj.
Në Greqi janë shpallur tri ditë zie në nderim të viktimave të zjarrit.