Megjithëse në politikën kosovare ende nuk është arritur konsensusi operacional dhe organizativ se si do të duhej të bëheshin bisedimet e fazës finale me autoritetet e Serbisë për arritjen e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve (e cila do të duhej të nënkuptonte njohjen formale në mes të Kosovës dhe Serbisë), në shoqërinë por edhe në politikën e vendit, nuk ka fare dyshim që kjo punë duhet të kryhet një herë e përgjithmonë.
Pra, raporti i Kosovës dhe Serbisë duhet të merr trajtën e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, që respektojnë pavarësinë dhe sovranitetin e njëra-tjetrës. Bisedimet që po zgjatin tash e 21 vjet, nuk mund të zvarriten tutje. Ato duhet të marrin një epilog që tashmë është kodifikuar edhe nga Bashkimi Evropian, si Marrëveshje ligjësisht detyruese.
Për dallim prej Kosovës, në politikën dhe shoqërinë e Serbisë, nuk ka pajtim të gjërë jo vetëm për mënyrën se si do të duhej të bëhej Marrëveshja eventuale me Kosovën, por për më shumë, a do të duhej fare të ketë një Marrëveshje të këtillë me Kosovën. ‘Dialogu i brendshëm’ në Serbi, që u bë tash e një vit, riktheu në skenë modelet dhe qasjet e vjetra ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, të cilat nuk paralajmërojnë gjë të mirë në këtë aspekt. Për më keq, shumica e opozitës në Serbi, qarqet më të larta fetare në këtë vend, por edhe intelektualë dhe analistë të njohur, insistojnë që Serbia nuk do të duhej në rrethanat e tanishme assesi t’i përfundojë bisedimet me Kosovën me një akord të madh politik, apo që relacioni në mes të Serbisë dhe Kosovës do të duhej të mbetej ai që shquan nocionin e ‘konfliktit të ngrirë’, apo të ruajtjes së Status Quo-së.
Sipas vlerësimeve të ithtarëve të këtij solucioni që në fakt është jo-solucion, apo që shmang zgjidhjen e një kontesti tragjik mbi njëshekullor në mes të shqiptarëve dhe serbëve si Kosovë dhe Serbi, tani nuk është koha për ta bërë zgjidhjen, sepse Serbia në situatën e tanishme, në rajon dhe në Botë, nuk mund të merr atë çfarë kërkon, apo, nuk mund ta imponojë vullnetin e vet. Mbështetësit e këtij qëndrimi, nuk fshehin fare që ata llogaritin në ndryshimet e mëdha politike ndërkombëtare dhe gjeo-strategjike, në largimin e SHBA-së nga kjo anë e Evropës, në dobësimin e mëtejmë të BE-së, në fuqizimin edhe më të madh të Rusisë në Ballkan dhe në Evropë, në mëkëmbjen politike dhe ekonomike të vetë Serbië, ashtuqë më pas, Beogradi do të ishte në gjendje që të ‘flasë ndryshe’ me shqiptarët e Kosovës.
Në thelbin e kësaj qasjeje apo të kësaj politike ndaj Kosovës është bindja e gjithë këtyre përfaqësuesve të saj, që në realitet, nuk ka ndodhë ende ai ‘qërimi final i hesapeve’ me shqiptarët e Kosovës, apo që mund të ndodhë revidimi i të gjitha zhvillimeve të njohura politike dhe ushtarake që nga lufta e vitit 1998 e këndej.
Për ta pra, duhet pritur (siç është pritur me shekuj të tërë që nga Beteja e Kosovës me Perandorinë Osmane në ardhje e sipër në Ballkan, deri në Shekullim XX), derisa të vie ai ‘momenti i të vërtetës’, i cili realisht, nuk ka dhe nuk mund të ketë formën tjetër pos asaj që njeh fuqinë ushtarake si përcaktuese të relacioneve të ardhshme në mes të shqiptarëve dhe serbëve, apo thënë edhe më sakt, që ndërtohet mbi zgjidhjen e çështjes së Kosovës sipër supremacisë ushtarake.
E pranuan këtë apo jo, të gjithë ata në Serbi që janë përfaqësues të konceptit të ‘konfliktit të ngrirë’ në raportet e Serbisë me Kosovën, besojnë që do të krijohen, herët a vonë, rrethanat kur Serbia me luftë do ta ri-marrë Kosovën (zatën me luftë, me dhunë dhe me krime e ka marrë dhe e ka mbajtë), duke i bërë kështu ‘llogaritë’ një herë e mirë me shqiptarët dhe me Kosovën.
Nuk duhet hezituar fare në kualifikimin e kësaj qasjeje si një politikë që paralajmëron konflikte dhe tragjedi të reja në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe në këto anë të Evropës.
Natyrisht, këto kohëra kanë përfunduar një herë e përgjithmonë në relacionet në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Duket që edhe një herë, këndejpari, tek ne, ne kemi supremacinë politike dhe qytetëruese, sepse përkundër të gjithë historisë së njohur, duam që ta bëjmë Marrëveshjen për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë.
(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)