Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka përsëritur kundërshtitë e partisë së tij që Presidenti Thaçi të jetë kryenegociator. Qëllimi i vetëm i Thaçit, sipas Konjufcës, është që duke dialoguar me Serbinë, ta vonojë Gjykatën Speciale. Në seancën e sotme, Konjufca ka thënë se për VV-në është e papranueshme heqja e vijave të kuqe nga Presidenti Hashim Thaçi ndaj Serbisë, shkruan Gazeta Express. Shefi i GP të VV-së tha se Kosova ka pasur tri vija të kuqe ndaj Serbisë.
E para, sipas Konjufcës, është statusi i Kosovës që është i pakontestueshëm. E dyta kompaktësia e vendit dhe e treta, territori i vendit.E Konjufca tha se duke i hequr vijat e kuqe, Thaçi individualisht e vendosi Kosovën në tavolinë me Vuçiqin. Ndërsa, Vetëvendosja konsideron se interesimi i madh i Presidentit Thaçi që me çdo kusht të dialogojë me Serbinë dhe t’iu prijë bisedimeve është për shkak të vonimit të punës së Gjykatës Speciale, të cilës Konjufca thotë se po i frikësohet i pari i vendit. /Express