Nëse për 40 mijë serbë të veriut prishet një shtet si Kosova, me çfarë argumenti mund t’u kërkohet shqiptarëve në Maqedoni (mbi gjysmë milioni) që të jetojnë në këtë vend? Ndarja e Kosovës gjithsesi do t’i japë krahë tendencave për varrosjen definitive të Bosnjës dhe shkëputjen e të ashtuquajturës Republikë Serbe nga ky shtet.
Në një koment të botuar të premten, gazeta zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» kërkon ndryshim radikal të politikës së bashkësisë ndërkombëtare ndaj çështjes së Kosovës.
Autori i komentit, Andreas Ernst, prej vitesh angazhohet pothuaj në çdo paraqitje për ndryshimin e kufijve të Kosovës. Në komentin e tij ai shkruan se Kosova e ka shpallur pavarësinë në mënyrë të «njëanshme». Kjo nuk është e vërtetë, sepse procesi i zgjidhjes së statusit ka qenë shumëvjeçar dhe i kontrolluar nga OKB – raporti i Kai Eide, plani i Martti Ahtisaarit, ndërmjetësimi i «trojkës» (një diplomat i BE-së, një i Amerikës dhe një rus). Në tërë këtë proces kanë qenë pjesëmarrës edhe rusët dhe pala serbe, natyrisht.
Plani i Ahtisaarit është formuluar edhe me pjesëmarrjen e palëve. Kur diplomati finlandez ka përmendur pavarësinë, gjë që e kanë pasur të qartë të gjithë, fundja edhe Rusia kishte pranuar parimet e Grupit të Kontaktit se në Kosovë nuk mund të ketë kthim në gjendjen para vitit 1999, Beogradi dhe Moska kanë braktisur trenin diplomatik dhe kanë vendosur të kundërshtojnë pavarësinë. Pra, nuk bëhet fjalë për shpallje të njëanshme të pavarësisë, por për shpallje të pavarësisë me pëlqimin e pjesës më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare perëndimore. Këtë nuk e merr parasysh autori i komentit, kur thekson se Perëndimi në Kosovë veproi si një «hegjemon dashamirës», duke ua imponuar zgjidhjen palëve.Tani, sipas gazetës zvicerane, BE-ja duhet të ndryshojë qasjen: Brukseli duhet t’ua ndalojë palëve vetëm përdorimin e dhunës dhe t’i obligojë ato që marrëveshjen e tyre ta legjitimojnë me referendume. Çdo gjë tjetër, shkruan komentatori, palët le ta zgjidhin vetë. Dhe si duket zgjidhja: ndarje, ndryshim kufijsh, sepse, siç mendon autori, me shkëputjen e Kosovës nga Serbia bashkësia ndërkombëtare tashmë ka ndryshuar kufijtë e Serbisë. Andaj tani duhet të bie edhe tabuja e radhës, të ndryshohen kufijtë dhe nëse palët merren vesh të bëhet edhe shkëmbim territoresh – veriu t’i jepet Serbisë, ndërsa Presheva me rrethinë Kosovës. Këtu injorohet fakti se Kosova edhe nën Jugosllavinë socialiste ka pasur kufijtë e vet, ka qenë njësi federale. Serbia ka kryer agresion ndaj Kosovës kur e ka pezulluar autonominë e Kosovës dhe ka vendosur një regjim ushtarak dhe një sistem aparteidi. Këtë aspekt të rëndësishëm autori e hesht.
Autori i komentit nuk ngurron ta quajë bashkësinë ndërkombëtare hegjemon, por propozimi që ai bën për vizatim të kufijve në Ballkan të kujton një neokolonialist arrogant që ndan tokat e Ballkanit. Rrjedhimisht, autori i komentit thotë se Kosova duhet të ndahet, por kurrsesi Maqedonia dhe Bosnja. Me çfarë logjike? Nëse për 40 mijë serbë të veriut prishet një shtet si Kosova, me çfarë argumenti mund t’u kërkohet shqiptarëve në Maqedoni (mbi gjysmë milioni) që të jetojnë në këtë vend? Ndarja e Kosovës gjithsesi do t’i japë krahë tendencave për varrosjen definitive të Bosnjës dhe shkëputjen e të ashtuquajturës Republikë Serbe nga ky shtet.
Në furinë e tij autori thotë se 5 shtete të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Shqipërisë, duke ngatërruar kështu Shqipërinë me Kosovën. Nëse dëshira e 40 mijë serbëve në veri për të jetuar në Serbi qenka e madhe, siç nënvizon autori, atëherë çfarë të bëhet me dëshirat e jo pak shqiptarëve, të cilët nesër mund të kërkojnë bashkim me Shqipërinë? Me këtë aspekt as që merret autori, i cili po ashtu nuk ka përgjigje se cila do të jetë e ardhmja e serbëve të tjerë të Kosovës nëse ndahet Kosova? A do të kenë fare të ardhme për serbët në Anamoravë? Në rrethinën e Prishtinës? Në Shtërpcë? Këndej lumit Ibër jeton shumica e pakicës serbe të Kosovës. Jo në veri, por në pjesën qendrore dhe perëndimore të Kosovës gjenden manastiret më të rëndësishme të Kishës Ortodokse Serbe.