Për të rritur sigurinë e pushuesve gjatë këtij sezoni, Policia Bashkiake e Vlorës ka ndërmarrë një aksion dhe ka bllokuar plazhet që s’kanë plotësuar parametrat. Në kuadër të aksionit “Siguria e jetës”, janë bllokuar tre plazhe përgjatë Lungomares pasi aty mungonin kullat e vrojtimit dhe kufijtë në det për sigurinë. Policia ka vendosur shiritin e sigurisë në këto zona, pasi nuk kishin lidhur kontrata dhe nuk kishin punësuar roje bregdetare.
Nënkryetari i Bashkisë se Vlorës, Shkëlqim Rama është shprehur se Policia Bashkiake ka ngritur task-forcë për çështjen e sigurisë në plazhe dhe se nuk do të ketë asnjë tolerim për plazhet që nuk respektojnë rregullat për sigurinë e pushuesve të tyre.
Tetë persona kanë humbur jetën deri më tani, ku katër prej tyre në plazhin e Durrësit. Aksioni i Policisë Bashkiake do të vijojë nga Plazhi i Ri deri në Orikum.