Një shpërthim kamikaz me bombë ka tronditur sot aeroportin e Kabulit. Shpërthimi vetëvrasës ka ndodhur pak pasi zëvendëspresidenti afgan Abdul Rashid Dostum u kthye nga ekzili. Ministria e brendshme afgane njoftoi se 11 vetë u vranë në sheshin ku i “plotfuqishmi” Gen Dostum sapo kishte kaluar, por fatmirësisht ai doli i paprekur nga atentati.
Zëvendëspresidenti me etni uzbekistaneze, njëkohësisht ish-kryekomandant lufte u prit nga qindra mbështetës në atdhe. Ai prej një viti ndodhej në Turqi, ku u vendos pasi akuzohej në Afganistan për urdhërimin e njerëzve të tij për rrëmbimin dhe përdhunimin e një rivali politik, akuza të cila ai mohoi.
Hashmat Estankzai, i policisë së Kabulit, i tha BBC-së se një sulmues vetëvrasës kishte shpërthyer eksplozivin e tij jashtë portës së aeroportit. Ai tha se së paku 14 vetë u plagosën nga shpërthimi.
Disa raporte thanë se eskorta e Gjeneral Dostum ishte duke u nisur pasi u dëgjua shpërthimi. Ai ishte në një automjet të blinduar. Pamjet televizive treguan se Dostum ka përshëndetur përkrahësit në zyrën e tij jo shumë kohë pas shpërthimit.
“Rilindja” e gjeneralit Dostum u parapri nga trazirat në bazën e tij në Afganistanin verior, pasi mbështetësit kërkuan kthimin e tij dhe lirimin e një udhëheqësi të milicisë. Analistët besojnë se presidenti Ashraf Ghani ka sanksionuar kthimin e Gjeneral Dostum në përpjekje për të fituar mbështetjen përpara zgjedhjeve presidenciale vitin e ardhshëm.
Gjenerali Dostum ndihmoi SHBA-të të rrëzojnë talebanët në vitin 2001, por është fajësuar për disa nga mizoritë më të këqija në luftën civile të gjatë të vendit. Ai u bashkua me qeverinë e unitetit kombëtar në vitin 2014. Ahmad Eshchi, një ish-aleat, tha se kishte pësuar ditë rrahjeje të rënda dhe abuzime seksuale në komandën e Gjeneral Dostum. Ai tha se zv/presidenti dhe 10 njerëz të tjerë e sulmuan atë, ndërsa ai u mbajt me forcë në rezidencën e Gen Dostum në nëntor 2016.
Ish-kryekomandanti mohon pretendimet dhe ka thënë se Eshchi u arrestua nga shërbimi i inteligjencës në Afganistan. Zëdhënësi i Gjeneral Dostum tha se ai shkoi në Turqi thjesht për një kontroll mjekësor.