Menjëherë pas ratifikimit të serishëm të Marrëveshjes për emrin me Greqinë në Kuvend, VMRO DPMNE ka ngritur kallëzime penale në Prokurorinë Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion. Janë denoncuar të gjithë personat e përfshirë në këtë proces, edhe nga pushteti ekzekutiv edhe nga ai ligjvënës.
Kallëzim penal kundër kryeministrit Zoran Zaev, kundër Nikolla Dimitrovit, kundër Talat Xhaferit në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, si dhe kundër të gjithë deputetëve që votuan për këtë marrëveshje kapitullimi dhe antikushtetuese të nënshkruar me Greqinë – deklaroi Naum Stoilkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Stoilkovski deklaroi se VMRO-ja pret që Prokuroria të veprojë ndaj kallëzimit edhe përkundër faktit që të paktën një pjesë e të denoncuarve janë të mbrojtur me Kushtetutë.
Gazetari: E dorëzoni kallëzimin penal, por do ju pyesja pse. Supozoj se e dini që sipas Kushtetutës deputetët kanë imunitet për atë sesi votojnë në Kuvend?
Dakord. Këtu flasim për shkelje të ligjeve, Kushtetutës dhe gjithë asaj si kishte ardhur deri te votimi. Nuk bëhet fjalë vetëm për votimin. Është shkelur tërë procedura për miratimin e një ligji të këtillë në procedurë parlamentare – iu përgjigj Naum Stoilkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Sipas kallëzimit penal të VMRO-DPMNE-së, të paditurit kanë kryer katër vepra penale. Tri janë kundër shtetit: tradhti, cenim të pavarësisë dhe bashkim për shkak të veprimtarisë armiqësore, ndërsa e fundit është keqpërdorim i detyrës zyrtare. Stoillkovski konfirmoi se parashtrimi i kallëzimit penal është sinjal i qartë se partia nuk do të votojë për ndryshime potenciale kushtetuese./am/