SHBA duhet të heqë një pjesë të sanksioneve kundër Iranit kërkoi Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, por SHBA kundërpërgjigjet ashpër. Gjykatësit kritikuan, se disa sanksione prekin drejtpërdrejt popullsinë civile në Iran.
SHBA reagoi e zemëruar pas shuplakës nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Tani të gjitha marrëveshjet në bashkëpunim me Gjykatën Ndërkombëtare do të verifikohen.
Këshilltari i presidentit amerikan për sigurinë, John Bolton e ka vlerësuar vendimin e gjykatës së “të instrumentalizuar politikisht dhe joefektiv.” SHBA nuk do të rrijë duarkryq, kur Haga merr vendime të pajustifikuara dhe kur aty ngrihen akuza të motivuara politikisht kundër SHBA-së.
Gjykata Ndërkombëtare në Hagë bëri të ditur të mërkurën (03.10) se SHBA duhet të heqë një pjesë të sanksioneve kundër Iranit. Kjo vlen për masat që qeveria amerikane mori më 8 Maj 2018. Argumenti i gjykatësve të Gjykatës Ndërkombëtare: Disa sanksione prekin drejtpërdrejt popullsinë civile në Iran.
Sanksionet nuk duhet të prekin eksporte të të mirave materiale bazë si ilaçet, ushqimet apo aparatura që garantojë sigurinë e fluturimit ajror. Kështu për shembull transporti ajror civil i Iranit nuk duhet të preket nga sanksionet, vendosën gjykatësit.
Parimisht SHBA nuk i futi këto ilaçet dhe ushqimet në listën e sanksioneve, por Irani e ka të pamundur t’i sigurojë ato për shkak të kushteve të ashpra për transfertat financiare me këtë vend. Prandaj Gjykata Ndërkombëtare dha të mërkurën (03.10) vendimin, megjithëse ky është vendim paraprak, sepse mbyllja e çështjes mund të kërkojë vite.
Irani e përshëndeti të mërkurën vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare. “Vendimi ishte një njohje e qëndrimit tonë legjitim”, deklaroi Ministria e Jashtme në Teheran.
SHBA nuk e pranon vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare
Vendimi sipas së drejtës ndërkombëtare është detyrues. Por që më parë SHBA kishte deklaruar, se ato nuk e quanin këtë gjykatë përgjegjëse për çështjen. Gjykata Ndërkombëtare është Tribunali i Kombeve të Bashkuara për rregullimin e grindjeve ndërkombëtare. Vendimet e tij vërtet janë detyruese, por kjo instancë nuk ka mjete për realizimin e vendimeve. Si SHBA edhe Irani i kanë injoruar në mënyrë të përsëritur vendimet e kësaj gjykate.
SHBA hoqi dorë në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja me Iranin dhe vendosi në Maj sërish sanksione kundër republikës islamike. Këto mund të shkelin një marrëveshje të miqësisë të vitit 1955 mes dy vendeve, deklaroi gjykata. Kjo duhet të sqarohet ligjërisht- Deri atëherë, SHBA duhet të heqë dorë nga sanksionet që janë më kërcënuese. Se kur do të fillojë seanca kryesore për këtë çështje, nuk është përcaktuar ende.(DW)