“Turp për Francën në Ditën e Fitores në Luftën e Madhe”, “Parisi nuk është më një qytet i dritës”, “Turp për ju francezë…”, këto ishin disa nga titujt plot mllef të mediave të Beogradit, si reagim ndaj faktit se në protokollin e ceremonive në Paris, presidenti Thaçi ishte nderuar më shumë se ai Vuçiç, sipas pozicionit të përcaktuar për t’u ulur, mes lidërve të ftuar botërorë.
Vetë Vuçiç u ndje i fyer, në emër të asaj që Serbia është vend fitues i luftës, duke thënë se nuk donte të bënte ndonjë skandal, meqë Macron do të vizitojë Beogradin pak javë më vonë.
Më pas, para dy ditësh, ishte ambasadori francez në Serbi, Frederic Mondoloni i cili i kërkoi falje Vuçiçit dhe popullit serb, për shkak të asaj që e quajti gabim në protokoll, ndërkohë që Le Figaro shkroi se “Serbia u poshtërua padrejtësisht”.
Por Azem Vllasi ish-udhëheqësi i fundit Kosovës nën ish-Jugosllavi, aktualisht këshilltar i Thaçit, beson se asgjë nuk ka qenë gabim apo aksidentale.
Duke folur për mediat boshnjake, Vllasi kujtoi se para se të jetë fituese, Serbia ishte shkak i shpërthimt të luftës, referuar faktit që serbi Gavrilo Princip vrau me atentat në Sarajevë Arkidukën Ferdinand.
“Kudo që shohin përfaqësuesit e Kosovës në skenën ndërkombëtare, Vuçiç dhe njerëzit e tij çmenden. Sa për atë se ku u ul Thaçi dhe ku ai, është e qartë se presidenti i Serbisë njeh protokollin francez.
Ai donte ta shihte veten sikur Serbia të ishte ndër fituesit e Luftës së Parë Botërore.
Por historikisht, Serbia është përgjegjëse për fillimin e kësaj lufte, për shkak të vrasjes së Franz Ferdinandit në Sarajevë dhe rolit të Serbisë në këtë vrasje.
Dhe protokolli francez këtë ka pasur parasysh kur ia ka caktuar vendin Vuçiçit”, tha Vllasi.