Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska para disa ditëve njoftoi opinionin që në kuadër të reformave në sistemin e pensionimit do të aplikojë të ashtuquajturin “pensionin social” që do të përfshijë qytetarët që kanë vetëm një ditë pune stazh dhe kanë arritur moshën 65 vjeçare. Këta persona do të marrin një shumë prej 40% nga pensioni mesatar i paguar në Maqedoni. Edhe pse në shikim të parë ky duket një lajm senzacional, megjithatë në analizën më të thellë vërehet se ka një truk, i cili më së shumti i përfshinë qytetarët shqiptarë, ose më mirë thënë ata qytetarë që nuk kanë pasur mundësi të punojnë së paku 1 ditë në jetë, e që është kushti kryesor për të përfituar pensionin social.
Nënat shqiptare, që kryesisht jetën e kanë kaluar si amvise dhe në veçanti bujqit që nuk kanë paguar kontributet dhe nuk iu llogaritet asnjë ditë stazh, me anë të këtij ligji nuk do të mund të përfitojnë dhe do të jenë të diskriminuar.
Publicisti Iljasa Salihu thotë se para disa ditësh, kur ministri i punëve të brendshëm mëtoi ta mbulonte një padrejtësi, pohoi se nuk është me rëndësi përkatësia, por përgatitja. Sipas tij qeveritarët shqiptarë heshtën, edhe pse me këso sjelljesh Salihu thotë se padrejtësia ndaj shqiptarëve po rritet, por dendur po ambalazhohet, saqë tashmë askush nuk po flet për përqindjen e ultë të shqiptarëve nëpër ministri.
“Ngjashëm e shoh edhe njoftimin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, që në kuadër të reformave në sistemin e pensionimit do të aplikojë të ashtuquajturin “pensionin social” që do të përfshijë qytetarët që kanë vetëm një ditë pune stazh dhe kanë arritur moshën 65 vjeçare, ku këta persona do të marrin një shumë prej 40 për qind nga pensioni mesatar i paguar në Maqedoni. Sërish, mbase “pa dashje” do të përfitojnë shumica dërrmuese e maqedonasve, ngaqë gratë dhe bujqit shqiptarë, të cilët janë të dërrmuar prej punëve, por që për arsye të përjashtimit shtetëror prej sistemit, që dukshëm ishte burokratik veçanërisht për shqiptarët, nuk e kanë regjistruar punën e tyre nëpër organet përgjegjëse institucionale që tani të mund të marrin pensione. Kësodore, kjo qeveri, me shkathtësi të paparë ka arritur ta kamuflojë padrejtësinë ekonomike dhe të drejtësisë ndaj shqiptarëve dhe në anën tjetër qeveritarët shqiptarë vijojnë të merren me gjëra krejt periferike e aspak të dobishme për qytetarët shqiptarë”, thekson publicisti Iljasa Salihu.
Ndryshe, Kryeministri Zoran Zaev gjatë fushatës “jetë për të gjithë” kishte njoftuar se do t’iu mundësojë pension të gjithë atyre që nuk kanë pasur mundësi të kenë asnjë ditë stazh, por në kuadër të propozimit që u publikua ditë më parë, u tha se kusht kryesor do të jetë 1 ditë pune stazh. Në fakt, “1 ditë pune” stazh nuk ka ndonjë dallim shumë të madh me dikë që nuk ka “asnjë ditë pune” stazh, prandaj ky kusht konsiderohet diskriminues dhe në këtë formë lë anash me mijëra qytetarë, nëna, amvise, bujq, blegtorë… që në moshën e pleqërisë nuk kanë mundësi të kenë asnjë të ardhur pasi në jetën e tyre nuk kanë pasur mundësi dhe fat të jenë të punësuar qoftë edhe 1 ditë të vetme.