Nga presidenca braziliane te jelekët e verdhë në Francë, viti 2018 ka shënuar një ndikim gjithnjë e në rritje të lajmeve të rreme, që janë përhapur si rezultat i fuqisë shpërndarëse të rrjeteve sociale duke dëmtuar besimin, që është i dobët, tek mediet dhe institucionet.
Dezinformimi po rritet.
Sasi imazhesh, që janë të vërteta, po shfaqen në mënyrë që të marrin një tjetër kuptim. Një rast është dënimi i dhunës policore në Francë gjatë lëvizjes së jelekëve të verdhë me foton e një manifestuesit me fytyrën e skuqur nga gjaku… që ishte marrë para shumë vitesh në Spanjë.
Një manipulim sa i thjeshtë dhe i efektshëm, ndërkohë që ekziston një kërcënim tjetër shumë më i frikshëm, “deep fake”, video të manipuluara me kujdes që mundësojnë që një personalitet të thotë atë që duam, me të njëjtat gjeste dhe ton zëri që ai ka. Ato janë ende teknikisht shumë të vështira për t’u realizuar, por teknika po përparon me shpejtësi.
E bërë popullore nga Donald Trump, shprehja “fake news” është kthyer në një armë retorike për të sulmuar, paradoksalisht, mediet. Ajo përdoret gjithnjë e më shumë nga politikanët në Spanjë, Kinë apo Brimani. Ajo përcakton gjithçka dhe çdo gjë, si informacionet e rreme të vullnetshme që krijohen për të dëmtuar, informacione të ngatërruara apo të gabuara, por gjithashtu edhe informacionet e vërteta.
Situata ngatërrohet edhe më shumë kur një vend si Ukraina orkestroi në fund të majit “vdekjen e rreme” të një gazetari rus, Arkadi Babçenko që, sipas autoriteteve, të pengohej një përpjekje për vrasje.
“Një ushqim i bekuar për paranojakët dhe komplotistët e të gjitha llojeve”, ngre shqetësimin e tij sekretari i përgjithshëm i ”Reporterëve pa Kufij”, Christophe Deloire.
Zhdërvjelltësia e informacioneve të rreme mbështetet në një besim të dobët te mediet: 44%, sipas një studimi të bërë në 37 vende të botës nga instituti i sondazheve “YouGov” për Reuters Institute.
Studiuesi, John Huxford (Universiteti i shtetit të Ilinois) shpjegon se rrjetet sociale mund të rrisin dezinformimin duke vepruar si “dhoma të jehonës, duke i dhënë besueshmëri artikujve prej faktit të vetëm që ato janë shumë të shpërndara”.
“Lajmet e rreme kanë tendencë që të përhapen shumë më shpejt se sa informacionet e vërteta në Twitter”, tregon një tjetër studim i MIT (Instituti i Teknologjisë në Masaçuset).
“WhatsApp” një burim i madh i “fake news”
Shumë kritikojnë “Facebook” dhe më shumë se 2,25 miliardë përdoruesit e tij për prirjen që të lejojë të qarkullojnë madje edhe t’i japë peshë në rubrikën “Furnizimi i lajmeve” një sasie të madhe informacionesh të rreme.
Një kritikë të cilës iu shtua edhe skandali i “Cambridge Analytica”, ku “Facebook” pranoi se të dhënat personale të 87 milionë përdoruesve ishin përdorur pa pëlqimin e tyre nga kjo kompani britanike.
Për të treguar gatishmërinë e tij për të ndryshuar, gjiganti amerikan forcoi edhe më shumë në vitin 2018 një ofensivë sa komunikuese aq edhe teknike të filluar në vitin 2016, duke nënshkruar kontrata me më shumë se 35 medie, përfshirë AFP, në 24 vende si Argjentina, SHBA-ja, Franca apo Indonezia, që të vlerësonte vërtetësinë e artikujve që qarkullojnë në “Facebook”.
Një prej vendeve ku beteja ndaj dezinformimit është në kulm, është Brazili, por Cristina Tardaguila që themeloi median e “fact-checking” (verifikimit të fakteve) brazilian “Agência Lupa”, shpjegon se ka vënë re që informacionet e rreme spostohen në “WhatsApp”, që numëron më shumë se një miliard përdorues në botë dhe që po përhapet masivisht në Amerikën Latine dhe Afrikë.
Zbulimi i “fake news” mbi këtë platformë është veçanërisht i vështirë.
Bisedat, personale apo në grup, janë të koduara dhe private.
Në Indi, dezinformimi ka pasur pasoja tragjike. Sipas medias, të paktën 25 persona janë vrarë në një vit për shkak fjalëve që qarkullonin në “WhatsApp”, që numëron 200 milionë përdorues aktiv në vit në këtë vend.
Kjo kompani, filial i “Facebook”, ka filluar të njoftojë për marrjen e masave, ku në Brazil ajo ka lehtësuar dërgimin tek mediet të kërkesave të përdoruesve për verifikime.
Por, pavarësisht iniciativave të “fact-checking” që shtohen (162 agjenci në botë të numëruara nga “Reporters Lab” i Universitetit Duke) dhe masave të ndërmarra, me rezultate ende të dobëta, dezinformimi shpesh herë është një hap përpara./ (Nga Guillaume Daudin)/atsh