Prokuroria Themelore në Prizren, në bazë të informacioneve dhe dëshmive të arsyeshme, si dhe, në bashkëpunim me Gjykatën Themelore në Prizren dhe në koordinim me Policinë e Kosovës, kanë realizuar ngrirjen e përkohshme dhe sekuestrimin e aseteve në vlerë rreth 3 milionë euro në dy raste të ndara në Prizren. Prokuroria njofton se në rastin e parë, ngrirja e përkohshme e aseteve dhe sekuestrimi është realizuar në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, ndaj të pandehurit H.P., i njëjti gjendet nën masën e paraburgimit, me ç’rast janë ngrirë dhe sekuestruar:
Objekt për afarizëm me sipërfaqe prej 530 m²; Ngastra kadastrale së bashku me objekt afarist me sipërfaqe të përgjithshme prej 95 m²; Dy shtëpi banimi me lokal afarist dhe me objekte të tjera përcjellëse me sipërfaqe prej 3270 m²;Dy shtëpi banimi me objekte të tjera përcjellëse me sipërfaqe prej 3256 m²; Lokal me sipërfaqe prej 174 m²; Lokal me sipërfaqe prej 92 m²; Veturë e tipit “Audi A7” viti i prodhimit 2018; Veturë e tipit “Land Rover” viti i prodhimit 2018; Veturë e tipit “Renault Megane” viti i prodhimit 2018;
Veturë e tipit “VW Touran” viti i prodhimit 2016; Veturë e tipit “VW Golf” viti i prodhimit 2009.
Shuma e përgjithshme e aseteve të ngrira dhe të sekuestruara në këtë rast arrin vlerën rreth 2 milionë e 600.000 euro.
Për këtë rast, do të vazhdohet me procedurë hetimore, me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të rrethanave lidhur me këtë çështje.
Ndërkaq, rasti i dytë ka të bëjë me zyrën “MNP Personal Leasing” SH.P.K., dhe zyrën “DBBS” SH.P.K., me pronar dhe menaxher F.H. dhe B.R., të akuzuar për veprat penale “Mashtrimi” nga neni 335 paragrafi 5 lidhur me nenin 31 dhe nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës si dhe për veprën penale “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve” nga neni 399 paragrafi 1 pika 1.3 lidhur me nenin 31 dhe nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ngrirja e përkohshme e aseteve dhe sekuestrimi edhe në këtë rast është realizuar në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, me ç’rast janë ngrirë dhe sekuestruar:
Shtëpia e cila gjendet në ngastrën kadastrale nr. 7148-15 në Prizren, banesa në sipërfaqe prej 82.50 m² në Prizren, dy garazhe në sipërfaqe prej 28 m²; Veturë “BMW M3” ; Veturë “Volkswagen Polo” viti i prodhimit 2010.
Shuma totale e asteteve të ngrira dhe të sekuestruara në këtë rast kap shifrën rreth 400.000 euro. Për këtë rast Prokuoria, ka ngritur aktakuzë dhe lënda është në gjykim. /insajderi