Ballina Diaspora Kosovari shpallet ‘Heroi i vitit 2018’ në Suedi

Kosovari shpallet ‘Heroi i vitit 2018’ në Suedi

Autoritetet suedeze e kanë shpallur Fidan Bejtën “Heroi i vitit 2018”.
Akti i kosovarit është vlerësuar lartë nga autoritetet e vendit skandinav.
Në fakt, Fidan Bejta ka bërë një akt trimërie. Duke rrezikuar jetën e tij, ai ka shpëtuar disa fëmijë të lagjes nga një grua e cila i ndiqte me thikë.
Siç raporton portali aftonbladet.se, 29 vjeçari ishte duke i bërë gati rrobat që të shkonte të luante futboll. Në një moment, ai ka dëgjuar motrën e tij, që ishte në ballkon, duke bërtitur: “Është një grua me thikë”..

Fidani menjëherë ka vrapuar drejt saj.
Nga ballkoni ai sheh se një grua e armatosur me një thikë të madhe po i ndiqte fëmijët në kopshtin e ndërtesës.
Edhe djali i Fidanit ishte në grupin e shumë fëmijëve që rrezikoheshin.
Menjëherë, Fidani ka zbritur me vrap shkallëve dhe ka hyrë në zonën ku gruaja po i ndiqte nga pas fëmijët dhe disa gra me fëmijë në duar që iknin e fshiheshin prapa lodrave të fëmijëve.

Ai udhëzon fëmijët nga të dalin. Ishin rreth 20 fëmijë.
Së pari, Fidani e ka mënjanuar fëmijën e tij. Pastaj, ka filluar evakuimin e fëmijëve të tjerë.
Gjatë kësaj kohe, ai i bërtiste gruas me thikë për t’ia tërhequr vëmendjen. Ajo fillon ta ndjekë Fidanin. Pastaj kthehet prapë drejt fëmijëve.
Në një moment, Fidan Bejta e shkelmon gruan në shpinë dhe ajo rrëzohet. Fidani i hidhet sipër dhe për ta neutralizuar i ndihmon edhe një burrë tjetër. Gruas ia heqin thikën dhe e mbajnë ashtu të shtrirë.

Pas dy minutash në vendin e ngjarjes arrin Policia, e cila e arreston gruan me thikë. Ngjarja, sipas portalit suedez, ka ndodhur më 10 maj. Më 17 dhjetor, 29-vjeçari me origjinë nga Kosova do të marrë titullin “Engjëlli mbrojtës”.