Nga Kara Swisher*
Ata të dy e dinë si ta drejtojnë një tregim. Por njëri prej tyre del si qenie njerëzore dhe tjetri si një karikaturë kokëmadhe.
Alexandria Ocasio-Cortez është “Ekstremisht Online”.
Kjo është fraza që Charlie Warzel – që së shpejti do të jetë kolegu im në The New York Times – përdori për të përshkruar kongresmenen e re në një artikull të Buzzfeed News, në të cilin ai vuri në dukje një numër të madh postimesh nga ana e saj lidhur me shumë çështje në Twitter dhe Instagram.
Ajo është “antiteza perfekte për mediat pro-Trump”, shkroi ai. Postimet e saj “janë të pamëshirshme, duke e mbajtur vazhdimisht në vrullin e lajmeve”. Ajo është një forcë politike kryengritëse e internetit. ”
” Ekstremisht Online” zakonisht përkufizohet si kryerja e pjesës më të madhe të jetës së njeriut në internet duke pasur kontakt njerëzor sa më pak të jetë e mundur. Por Znj. Ocasio-Cortez qartëson dhe e përkufizon konceptin, që do të thotë thjesht se ajo flet rrjedhshëm gjuhën e internetit.
Kjo u bë e qartë nga aftësia e saj për të kthyer një video të vallëzimit të saj në një homazh të “Breakfast Club” në Universitetin e Bostonit – postuar për ta lënduar – në një meta-meme transcendente javën e kaluar.
Dhe për më tepër: Znj. Ocasio-Cortez ka bërë biseda të drejtpërdrejta që përfshijnë këshilla për gatim dhe deklarata të politikave, ka botuar tregime për përvojën e saj në kongres, ose foto të festave apo ushqimit dhe u është përgjigjur me profesionalizëm çdo “thumbimi” nga të djathtët.
Ajo që po bën është e rëndësishme për politikën, për shkak të një gjëje kyçe: Ajo ka bërë që pamjet dixhitale të saj të duken shumë analoge. Me fjalë të tjera, është e mrekullueshme në internet.
Aftësia për të transmetuar mesazhin tuaj direkt te njerëzit është ndoshta një nga talentet më të rëndësishme të kësaj epoke. Për këtë, edhe pse ndoshta do të urrente ta pranonte, znj. Ocasio-Cortez po ndjek hapat e Presidentit Trump.
Kohët e fundit kam shkruar një artikull për mënyrën se si Trump kishte përdorur mediat sociale për të qeverisur, duke vënë në dukje se “ne jemi tani një qeveri e Twitter, nga Tëitter dhe për Twitter”. Kjo është edhe më e vërtetë këtë javë, pasi “shuarja” e qeverisë vazhdon të zvarritet dhe Z. Trump i është drejtuar Twitter-it për të dhënë koment mbi drejtimin e situatës dhe gjithashtu për të bërë kërcënime, për të sulmuar armiqtë dhe përgjithësisht për të luajtur një lojë të çuditshme me mendjen e tij. Pasi paraqitjet e tij televizive këtë javë për të kërkuar fonde për murin e tij të fantazisë u kritikuan gjerësisht, ai i dyfishoi njoftimet e tij në Twitter.
Çfarë është interesante në lidhje me përpjekjet dixhitale të z. Trump është se edhe pse ai është gjithmonë në internet, ai nuk është “ekstremisht online”. Në vend që të angazhohet plotësisht me platformat dhe të përdorë mjetet e mrekullueshme audio dhe video, ai është mbërthyer tek teksti, duke përdorur vetëm shprehjet dhe zërin e tij. Ndërsa në fillim kjo e bënte atë të dukej, për shumë mbështetës të paktën, më autentik sesa një politikan mesatar, tani e bën atë të duket gjithnjë e më shumë si një kokëmadh gjigant karikaturë. Interneti nuk e përmirëson atë më shumë si një person.
Dhe ndërsa ai është kthyer në një megafon online, znj. Ocasio-Cortez dëgjon, merr gjithçka dhe reagon. Të dy metodat funksionojnë. Dhe ajo është e vetmja që mund të vazhdojë replikat me të online. Përgjigjja e përbashkët e kryetares Nancy Pelosi dhe senatorit Chuck Schumer në fjalimin e zyrës së z. Trump u shndërrua në një meme shumë të këndshme, ndërsa senatorja Lindsey Graham dukej e indinjuar.
Nuk ka asnjë që afrohet më tepër, përveç Beto O’Rourke, stili i të cilit anon më tepër drejt ndërtimit të shtëpive familjare igloo, postimeve informative dhe atyre live në Facebook (ai sapo bëri një nga kufiri duke ngrënë një petull pas fjalimit të z. Trump). Por ai është djalë i qetë dhe i ftohtë dhe i thellë në një mënyrë që – edhe pse efektive – është shumë ndryshe nga toni i furishëm që zoti Trump dhe Znj. Ocasio-Cortez përdorin.
Do të ishte gabim që praktikat e tyre të emërtoheshin thjesht si zhurmë. Sepse, siç vuri në dukje z. Warzel, ata po e drejtojnë tregimin në mënyrë efektive. “Është organizuese,” shkroi ai, nëse flasim për murin (Z. Trump) ose për tatimin e të pasurve (znj. Ocasio-Cortez). “Krijimi i vazhdueshëm i një përmbajtjeje e detyron kundërshtarin tuaj që t’ju përgjigjet.” Kjo do të thotë që po krijoni lajm.
Përderisa ekziston rreziku në këtë strategji, ata që janë të aftë ta zotërojnë më mirë janë të prirur për të pasur më shumë sukses.
Kjo është bota që ishte parashikuar në filmin satirik të vitit 1976 “Network”, tani një shfaqje popullore Broadway. E pashë atë kohët e fundit dhe karakteri kryesor, Howard Beale, artikuloi pikërisht atë që po ndodh tani:
“Ndihem i gjallë dhe i ndezur, sikur papritmas të isha mbyllur në një fushë të madhe elektromagnetike”, thotë ai. “Kjo është një ndjesi shkatërrimtare dhe e bukur. Është rrjedha e ekzaltuar e vazhdimësisë së hapësirës-kohë, përveç se është pa hapësirë dhe pa kohë. Ndihem në prag të një të vërtete të madhe dhe përfundimtare. Dhe ju nuk do të më ndërprisni më tani ose në ndonjë moment tjetër pa hapësirë!”
Z.Beale ishte Ekstremisht Online.
*New York Times-Shqipëroi për TemA-Diona Çeço