I gjithë delegacioni i Milanit ndodhet në Xhedah, për Superkupën e Italisë, por në “Casa Milan”, selia e klubit kuqezi, vetëm Leonardo nuk ka braktisur zyrën… Drejtori sportiv i Milanit është duke u marrë me merkaton dhe pasi ka takuar Ivan Ramiro Cordoba, agjentin e Zapatas, që në qershor i skadon kontrata, ka në plan një tjetër takim, më të rëndësishëm.
E ndërsa kolumbiani pritet të rinovojë edhe për dy vite, me rrogë 1,7 mln euro në sezon (Gattuso dha “ok” duke thënë se “mbrojtës të tillë i gjen ose jo 40-50 mln euro”), çështja e ditës është vetëm një emër: Piatek.
Bomberi polak, që ka shënuar deri tani 13 gola në 19 ndeshje në Serie A, është i tentuar për t’u larguar që tani sepse oferta apo interesime të tilla vijnë njëherë në jetë. Sigurisht, pengesa e kuqezinjve quhet Real Madrid, por spanjollët nuk duan të shpenzojnë më shumë se 30 mln euro. Për këtë arsye, Milani është më përpara dhe, për të bindur Preziosin, është shtyrë 40 mln euro dhe bonuse të ndryshme, që do të kapnin shifrën 50 mln euro. Një plusvlerë e frikshme për Genoan, e cila pagoi vetëm 5 mln euro për ta marrë nga Cracovia në Poloni.
Sigurisht, tratativat zyrtare ende nuk kanë nisur për të vetmin fakt se Chelsea ende nuk ka dhënë Moratan. Një efekt domino pra. Në momentin që spanjolli do të akordohet me Atletico Madrid, atëherë blutë do të bisedojnë për të mbyllur afrimin e Pipitas në Londër, pasi edhe Juventusi e Milani të gjejnë formulën e duhur.
Ndërkohë, Genoa, që pret një sinjal nga kuqezinjtë dhe ofertë zyrtare, nxiton dhe nuk dëshiron të mbërrijë e papërgatitur në fund të merkatos, pra pa një sulmues që mund të zëvendësojë golashënuesin polak.
Giorgio Perinetti, drejtori i përgjithshëm i Genoas, për “RMC Sport”, doli hapur: “Nuk ka ardhur ofertë zyrtare, por interesim nga Milani. Tani janë të përqendruar te Superkupa, por e dimë që mund të formulojnë një ofertë pas pak ditësh. Por, duhet të nxitohen, sepse kemi edhe në prioritete më pas. Do të dëgjojmë ofertën e tyre. Kemi thënë që nuk duam ta shesim në janar, por nëse vjen oferta e duhur, atëherë nuk kemi se çfarë të bëjmë. Nuk duam formula të çuditshme. Sigurisht, mes miqsh mund të gjendet gjuha e përbashkët. Do të vlerësojmë gjithçka”.