Ballina Aktualitet Opinione Kim Mehmeti: Ja si zyrtarizohet gjuha shqipe

Kim Mehmeti: Ja si zyrtarizohet gjuha shqipe

Analisti i njohur Kim Mehmeti në intervistën e tij për Lajm.tv ka thënë se Ligji për Gjuhët i publikuar ditë më parë në Gazetën Zyrtare vetëm e avancon përdorimin e shqipes në Maqedoni, por nuk e zyrtarizon atë, pasi për një gjë të tillë duhet të ndryshohet kushtetuta.

“Ky ligj më së miri e dëshmon atë për të cilën flas unë se në Maqedoni nuk ka vullnet politik që njëherë e përgjithmonë t’i vendoset pikë disa problemeve të brendshme pas të cilave më lehtë shkohen në NATO dhe BE. Nuk dua të lë përshtypje se jam njëri që vetëm kritikoj, por as nuk dua të lë përshtypje politikabnëve se ne jemi të marrë dhe vetëm ata dijnë.

Ky ligj është vetëm avancim, ky është vetëm për 20 për qindëshin, pra nuk bëhet fjalë për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, por bëhet fjalë për zyrtarizimin e gjuhës së një etni që është mbi 20 për qind. Nesër në Maqedoni nëse bëhen 20 për qind kinez, do të duhet që në këtë shtet gjuhë zyrtare të jetë kinezishtja. Nëse nesër shqiptarët shënojnë rënie nën 20 për qind, nuk ezkiston më gjuha shqipe këtu. Pra, zyrtarizimi i shqipes në Maqedoni bëhet vetëm përmes kushtetutës dhe autoktonisë, jo në bazë të përqindjes. Në Kosovë kur thoni se një gjuhë është zyrtare, askujt nuk i intereson për qindja e popullit.

Gjuha shqipe te ne nuk është avancuar në bazë të asaj se është gjuhë autoktone, e një populli autokton por e një për qindjeje. Pra, ky ligj është tallje me gjuhën shqipe dhe ç’është më tragjike ata që më së shumti janë tallur, BDI-ja i ka mashtruar shqiptarët shumë herë se e ka zyrtarizuar gjuhën shqipe. Kryetari i BDI-së edhe tani del e thotë se e zyrtarizoi gjuhë shqipe në vend se të turpërohet. Nuk them se është keq që është avancuar përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoni, por ajo nuk është zyrtarizuar. Pra, ç’do të thotë nëse vazhdon migrimi i rinisë shqiptare dhe ne ngelim 18 për qind, s’do të kemi gjuhë zyrtare” ka thënë analisti i njohur Kim Mehmeti në një intervistë eksluzive për Lajm.tv.